Greqi, sekuestrohen pranë kufirit me Shqipërinë 230 kg kanabis

Policia greke ka sekuestruar pranë kufirit me Shqipërinë rreth 230 kilogramë kanabis dhe ka arrestuar tre shtetas shqiptarë si transportues të sasisë së drogës.

Tre shtetasit shqiptarë, të moshës 32, 31 dhe 22 vjeç, janë arrestuar në një zonë pyjore në afërsi të Pogonit.

Aty, me ndihmën e qenit të zbulimit të drogës, u gjetën të fshehura 90 pako me kanabis, me peshë të përgjithshme 229,9 kilogramë.

U sekuestruan gjithashtu dhe dy telefona celularë.

Sipas komunikatës së policisë, shërbimi anti drogë kishte informacione se nga Shqipëria do të tentohej futja e një sasie të konsiderueshme droge. Prandaj dhe përgjatë gjithë zonës kufitare ishin përforcuar patrullat policore.

Policia po heton nëse droga do të trafikohej në brendësi të territorit grek prej tre të arrestuarve, apo do të vinte ta merrte dikush tjetër, siç bëhet zakonisht.

Përveç veprës penale që lidhen me drogën, tre shtetasit shqiptarë akuzohen edhe për hyrje të paligjshme në Greqi.

/Ora News.tv/

 

Comments

comments