Gruaja shqiptare dhe feminizmi

0

Zekirija Ibrahimi

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kur në mjediset shqiptare gratë janë të preokupuara me flokët, grimin dhe veshjen, sepse rëndom mblidhen diku për të festuar, është për të ardhur keq që në këtë ditë kemi fare pak ose aspak aktivitete që do ta diskutonin pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare, praninë e saj në jetën publike, rolin e saj në shoqëri, e aq më pak ndonjë protestë që gruaja sot po bëhet shpesh mjet komercial në vend se të jetë qenie e respektuar humane.

Këtu po e ndërmend se edhe 8 Marsi është një ditë që shënon historinë e protestave të grave në periudhën e industrializimit në Perëndim, kur gratë ngritën zërin e protestës për rroga më të larta dhe për kushte më të mira në punë. Andaj, do të më dukej me vend nëse sot gratë do të kishin protestuar që ato po përdoren për të shitur edhe goma të traktorëve, që përdoren si dekor për emisione argëtuese, ku ato rrinë si statiste vetëm për ta mbajtur vë- mendjen e shikuesve, që i detyrojnë të jenë tryeza buke për meshkujt e këtyre emisioneve ose që këngëtaret janë detyruara të bëjnë këngë jo për t’u dëgjuar zëri i tyre, por për t’u shikuar trupi i tyre. FEMINIZMI NË MJEDISIN SHQIPTAR Dhe, kur jemi në këtë ditë, do të donim ta ngremë debatin se cili është roli i femrës në shoqërinë shqiptare (me theks të veçantë në Maqedoni), cilat janë trendet, prirjet dhe pritjet. Pa dashur të gjykojmë, do të ishte e udhës që sot të analizohet se a ka te shqiptaret mendim feminist dhe cili është ai apo kemi vetëm tone feministe, që akoma nuk kanë zënë vend në mendimin publik shqiptar? Sa për informacion, feminizmi lindi në kohën e modernizmit, që erdhi me epokën e iluminizmit.

Është kjo koha kur në Perëndim koncepti mbi Zotin, si burim i të vërtetave, zë- vendësohet me konceptin e racios (arsyes) si burim i të vërtetave. Kjo është periudha kur arsyeja si e tillë e kundërshtoi qasjen tradicionale të pozitës së gruas, duke synuar barazimin e saj me burrin në të gjitha aspektet e jetës. Këtu zë fill ideja për feminizmin, që pastaj është zhvilluar në trajta të veçanta. Studiuesja Zekije Demir në librin e saj “Feminizmi” ka bërë një sintezë të gjithë mendimit feminist botëror, duke ofruar një pasqyrë të përgjithshme, që është fare e lehtë të vihet në korrelacion me prirjet e femrave në shoqërinë shqiptare. Ajo vë re disa lloje të feminizmit, si feminizmi liberal, feminizmi radikal, feminizmi marksist, feminizmi socialist, feminizmi kulturor etj. Ndërkaq autorja boshnjake Zilka Spahiq Shiljak (me studimin “Identitetet femërore, feministe dhe myslimane”) e përcakton edhe një tip tjetër të feminizmit religjioz, që – derisa ajo e vendos në kontekst të Kosovës dhe Bosnjës – e quan feminizëm islamik. Duke i pasur në konsideratë këto kategorizime, si dhe librin “Gratë” të rilindësit shqiptar Sami Frashëri (që mund të merret si debati i parë shqiptar mbi feminizmin), mund të themi se në mjedisin shqiptar ekzistojnë diskurse me tone feministe, që mund t’i kategorizojmë në tri tipa të lëvizjeve feministe: liberale, radikale dhe islamike.

Sipas feminizmit liberal, që bazohet në mendimin e përgjithshëm liberal për lirinë e subjektit, femra është ajo që e zgjedh rrugën e saj jetësore, ajo duhet të jetë e barabartë në arsim, në ekonomi, në jetën shoqërore-politike, përpara drejtësisë, si edhe në jetën private. Ky është një tip i feminizmit që ka zënë mjaft vend edhe në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, edhe feminizmi radikal duket se po ngre krye, por duket se mjedisi konservator shqiptar, veçmas në Maqedoni, nuk i ka lejuar shumë hapësirë. Sa për informacion, Zekije Demir-i feminizëm radikal e quan lëvizjen feministe të viteve të ’60-ta të shekullit të shkuar në SHBA, që kundërshton dikotominë gjinore, që kundërshton martesën, amësinë dhe që kërkon zhdukjen e familjes, sepse e merr si mënyrë skllavërimi të femrës. Ky tip i feminizmit konsideron se gjinia, por edhe orientimi seksual, janë diçka që secili njeri e zgjedh vet dhe se kjo nuk ka të bëjë me biologjiken e njeriut. Kjo është në frymë të asaj që Simon de Beauvoir e përkufizon se “gruaja nuk lind, por bëhet”. Ndërkaq qasja e fundit feministe është i a.q. feminizëm islamik, që do të duhej vijë në shprehje sidomos të gratë (femrat) e përkatësisë islame, siç janë shumica në Maqedoni (e që nuk ndjehet thuajse fare), që – duke i riintepretuar tekstet fetare – thotë se edhe femra myslimane mund të marrë pjesë në jetën publike. Marrë në përgjithësi, sikur në mjedisin tonë shqiptar të kishte debat të mirëfilltë, sot – më 8 Mars – do të duhej të diskutoheshin këto tema dhe të shihet se ku qëndron gruaja shqiptare në këto relacione. Sido qoftë, derisa të krijohen këto forume debati, neve na bie të konkludojmë se për të pasur një fenomen shoqëror, nuk mjafton vetëm imitimi si i tillë, e as imponimi përmes programeve të ndryshme, porse duhet një bazament a zhvillim normal shoqëror që e lind fenomenin përkatës. Nisur nga kjo mendoj se kushtet shoqërore të ndryshme në shoqërinë shqiptare nuk kanë arritur të prodhojnë zhvillim normal edhe të lëvizjeve feministe. Për këtë arsye konsideroj se debati mbi feminizmin duhet të fillojë nga Sami Frashëri (por, jo të përfundojë te ai), i cili e sheh femrën si “mendjemprehtë”, por që më shumë i jep peshë rolit të saj në familje, e veçmas në edukimin e fëmijëve. Sipas tij, femra është e vlefshme për shkak se ajo bëhet nënë, ndërsa nëna është shtylla e shoqërisë.

E në bazë të asaj që e sollëm më sipër, i bie të themi se kjo është qasje konservatore, sepse familja shihet si bërthama e shoqërisë. Madje, që të jemi të saktë, përkundër përpjekjes së vazhdueshme që gruaja të jetë sa më shumë e pranishme në jetën publike, por edhe në tregun e punës, e vërteta është se te shqiptarët e Maqedonisë kjo akoma nuk ka rezultuar me ndonjë sukses të madh (shumica e femrave janë bërë mësuese, mjeke, infermiere, administratore dhe, më pak, drejtuese e, fare pak, menaxhere e politikane), që na bën të konkludojmë se gruaja shqiptare në Maqedoni qëndron e paepur në rolin e saj në familje, madje edhe kur ka angazhim publik dhe profesional. Për këtë mendoj se rol të madh ka luajtur morali tradicional konservator dhe religjioz i familjeve shqiptare, por edhe klasat politike shqiptare. Dikush edhe mund të mos pajtohet pse është kështu dhe të kërkojë të jetë ndryshe, por realiteti është i tillë. Për këtë arsye mendoj se në këtë shteg duhet parë edhe avancimin e saj në shoqëri. NË KËRKIM TË FEMINIZMIT AUTOKTON Dhe, nëse duam ta shtojmë këtë argument, paraqitja publike e gruas shqiptare të Maqedonisë (mbase e edhe të Kosovës) në trajta të tjera më shumë është përjashtim sesa zhvillim normal. Për shembull, pas paraqitjes së Rita Orës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj deklaroi se “ne jemi populli i Rita Orës”. Mendoj se ky konstatim nuk është i drejtë, sepse këngëtarja që mezi flet dy fjalë shqip dhe që është bërë artiste në mjedis joshqiptar nuk është zhvillim tipik i shqiptares së Kosovës, por është më shumë një prurje nga rrethana të tjera kulturore e politike. Konsideroj se këngëtare autoktone shqiptare në atë koncert do të ishin Shkurte Fejza e Shyhrete Behluli, që janë ikona të këngës shqipe të Kosovës, por bile edhe pjesë- marrëse artistike në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Mendoj se nuk mund të tejkalohet tradita për të ndërtuar arketipe të reja. Në këtë kontekst gratë e Maqedonisë, si: Sulltana e Qafës, Hanife Sejfullahi, Elhame Bilalli, Nadire Krasniqi, Myjesere Hoxha, Kimete Agai e shumë të tjera, që nuk lejon hapësira të përmenden, janë prodhimi vendor, mbi të cilin duhet të kërkohet avancimi i pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare këtu.

Secili komb e ka zhvillimin e vet shoqëror, e ka historinë e vet dhe nuk mund të imagjinohet që të ngjitesh lart pa pasur shkallë. Ndërkaq këto shkallë, në këtë rast, janë tradita që është krijuar me pjesëmarrjen e gruas në jetën publike. Prania e femrës shqiptare në jetën publike duhet të vijë bashkë me zhvillimin e përgjithshëm shoqëror e jo të jetë ajo një imponim ose imitim. E BUKURA NË HARMONI Dhe, pas këtij debati serioz, për ta relaksuar lexuesin, për fund po kalojmë në një dimension tjetër. Nëse gjithë këtë diskutim e interpretojmë në nota të historisë së krijimit të njeriut, duke anashkaluar qasjen racionaliste, do të thoshim se gruaja dhe burri (femra dhe mashkulli) janë një qenie vetme e ndarë në dysh. Ato, si gjithë pjesa tjetër e botës, të ndarë në dy gjini të kundërta, e plotësojnë harmoninë dhe baraspeshën e madhe të botës. Perëndia nuk e krijoi Havën/Evën nga dheu, që ajo të jetë qenie tjetër e veçantë, por e bëri atë nga trupi i Ademit/Adamit. Andaj Ademi u bë qenie plotë (njeri) vetëm ku prej tij u shkëput Hava, ndërkaq Hava ishte pasqyrë e ekzistencës së Ademit. Derisa Ademi ishte simbol i ndrojtjes ose i maturisë, Hava mbeti simbol i kërshërisë dhe kuriozitetit; derisa Ademi ishte simbol i fuqisë, Hava u bë simbol i bukurisë; derisa Ademi synonte qenien intelektuale dhe etike, Hava u bë pjesa estetike dhe sentimentale e asaj qenie. Prandaj, vështruar kështu, imponimi i Ademit për të qenë drejtues i vetëm i botës është fragmentim, si edhe anasjelltas, kur kërkohet që Hava ta përzë Ademin dhe ta zë vendin e tij. Nëse do të shpreheshim figurativisht ose me gjuhën e Titus Burchkardt-it, do të thoshim se, që nga ardhja në tokë, Ademi e Hava janë në kërkim të njëri-tjetrit, për ta plotësuar qenien, për ta korrigjuar “mëkatin e parë” dhe për t’u bashkuar aty ku u ndanë. E deri në këtë bashkim, le të urojmë: Urime 8 Marsin!

(Marrë nga gazeta KOHA)