Haradinaj flet nga Franca: Të shkohet në zgjedhje, mos të torturohet populli

Haradinaj flet nga Franca: Të shkohet në zgjedhje, mos të torturohet populli

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, beson se vetëm zgjedhjet e reja mund ta riparojnë gjendjen aktuale në vend.

Ai ka vlerësuar se gjendja ekzistuese çdo ditë e më shumë po bëhet më e rëndë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme është pjekuri politike.
“Mbajtja e gjendjes ekzistuese po bëhet e rëndë dhe e vështirë për institucionet dhe për vendin, sidomos për qytetarin. Duhet t’ia kthejmë vendimin qytetarit, pra sovranit. Në këtë situatë kjo është legjitime dhe shprehje e një pjekurie politike, e një vetëdije të lartë. Nuk bën të testohet deri në pafundësi një gjendje e tillë. Mënyra më e mirë për t’u riparuar kjo gjendje që e ka rënduar Kosovën është për t’ia kthyer vendimin sovranit. Kjo besoj se do të ishte e mirë për gjithë spektrin politik dhe për qytetarët”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, i cili po mbahet padrejtësisht në Francë që disa muaj, në bazë të një fletarrestimi serb, është shprehur i bindur se Gjykata e Colmarit më 27 prill do ta refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe do ta lirojë atë.
Ai ka thënë se kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht. “Kjo kërkesë është thjesht përndjekje ndaj meje dhe nuk ka të bëjë asgjë me ligj”, ka thënë Haradinaj.