Haradinaj premton Qeverinë për 10 ditë

I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova do të bëhet me Qeveri brenda 10 ditësh. I bindur në votën e AKR-së dhe në realizimin e Qeverisë me bazë të gjerë Haradinaj ka thënë se nuk do të përsëritet kriza e vitit 2014. Pas zgjedhjeve të 11 qershorit Haradinaj kishte bërë premtimin e parë duke thënë se Qeveria do të bëhet në dy javët e para të afatit ligjor

Në dymujorin e zgjedhjeve nacionale lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka krijuar një situatë të re politike në bllokadën e krijuar. Deklaratat e tij të fundit kanë bërë që edhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, të japë edhe premtimin e tij të dytë brenda dy muajve. Premtimi i tij i parë se Qeveria do të bëhet në dy javët e para të afatit ligjor prej 30 ditësh, tash ka mbetur në harresë. Por kjo nuk e ka penguar atë që të bëjë një tjetër premtim.

“Kosova do të bëhet me Qeveri brenda 10 ditësh”. Ky është zotimi i dytë i Haradinajt, duke besuar thellësisht në mbështetjen e liderit të AKR-së. Por një largim të mundshëm të AKR-së nga koalicioni LAA nuk e beson kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Sipas tij, Pacolli do t’i përmbahet marrëveshjes. Madje Mustafa ka thënë se Haradinaj nuk do të mundë ta formojë Qeverinë për dhjetë ditë, ashtu siç ka premtuar.Në anën tjetër, lëvizja “Vetëvendosje” i ka bërë thirrje PAN-it që nëse i kanë votat ta formojnë Qeverinë sa më shpejt. Kurse, njohësit e çështjeve politike lëvizjet e fundit të kreut të AKR-së i shohin si kalim i kësaj partie te koalicioni PAN. Megjithatë, ata besojnë se edhe po të krijohet Qeveria, ajo do të jetë jetëshkurtër.

Comments

comments