Humbja e kuptimit për veprim politik

Humbja e kuptimit për veprim politik

(Në thjerrëz, veprimi i subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni)

 Nga Abdulla Mehmeti

Subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni, duke marrë parasysh rezultatet e tyre tepër negative dhe dëshpëruese në zgjedhjet e fundit parlamentare, kurrë në të ardhmen të mos gabojnë të pranojnë zgjedhje sipas kornizës ligjore aktuale, të përgatitur më parë nga organet e pushtetit, i cili nuk dëshiron ndryshime pozitive, nuk i respekton parimet demokratike elementare, përderisa funksionimin e tyre e mbështetin kryesisht në strategjinë antishqiptare, të përgatitur mirë nga qendrat e specializuara brenda dhe jashtë vendit, të zbatuar nga qendra të caktuara në bllokun e partive maqedonase, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht shërbimeve sekrete, Entit Shtetëror të Statistikës dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (për shkak të partishmërisë së skajshme dhe vartësisë nga organet e sigurimit shtetëror), të cilat nuk i mbështetin vendimet e veta në gjendjen faktike, por në të dhënat e falsifikuara paraprakisht.

I tërë ky mega manipulim dhe falsifikim i zgjedhjeve realizohet përmes Sistemit zgjedhor, Njësive zgjedhore të pa balancuara, Listave zgjedhore të pa pastruara, si dhe tërë kornizës ligjore të mbështetur në të dhëna joreale, të falsifikuara në mënyrë ordinere.

Se kjo është kështu, jo vetëm kundër interesave të shqiptarëve, por edhe kundër interesave të kundërshtarëve politikë të pushtetit në radhët e partive opozitare maqedonase, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 dhjetorit fituan mbi 45 mijë vota, pa siguruar asnjë mandat deputeti në Parlament!

Nëse subjektet politike të shqiptarëve nuk mund t’i sigurojnë rezultatet sipas përqindjes reale të shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që sipas analizave tona shqiptarët në pushtetin ligjdhënës duhet të përfaqësohen me afër 45 deputetë, ose së paku rezultate minimale, me sigurimin e 35 mandateve të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, atëherë veprimi politik i tyre për përfaqësimin e interesave të popullit shqiptar, vërtet e humb kuptimin!