I paprekshmi Hashim Thaçi dhe burgosja e dyshimtë e Ramush Haradinajt në Francë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po vazhdon akuzat dhe sulmet ndaj Presidentit të vendit Hashim Thaçi, pas paraburgimit të liderit të saj, Ramush Haradinajt në Francë.

Ka qenë Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, ai i cili i ka dërguar një mesazh të fortë Thaçit, duke ia kujtuar 21 korrikun e vitit 2010 kur Ramush Haradinaj kishte marrë thirrjen për në Hagë derisa Thaçi kishte udhëtuar në Amerikë.

I njëjti rast, sipas Daut Haradinajt, ndodhi edhe aktualisht kur Thaçi udhëtoi për në Amerikë, pikërisht pas ndalimit të Ramushit në Francë.

“Hashim Thaçi mbërriti në Amerikë edhe me 21 Korrik 2010 kur u thirr Ramushi në rigjykim në Hagë.  A mos po na thotë diçka prapë?  Hashim mos e harro darkën e 13 Dhjetorit 2010 kur folke Dik Marti në Restorant Puro?  Çka të duash bëj, por e vërteta është e vërtetë. Kosova është më e madhe se ti”, ka shkruar Daut Haradinaj në mesazhin për Presidentin Thaçi.

Gazeta “Bota sot”,  ka provuar të marr përgjigje nga z. Daut Haradinaj, lidhur me këtë çështje, mirëpo telefoni i tij ka qenë i mbyllur.

Thaçi i paprekshëm!

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së AAK-së Muhamet Kelmendi, ka përmendur shumë raste të gjykimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së në të cilat Presidenti Thaçi po mbetet i paprekur.

“Dyshime për veprime të dëmshme dhe shumë jo ligjore për Hashim Thaçin ekzistojnë dhe ato janë edhe shumë të bazuara. Si gjatë viteve të rënda në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ashtu edhe tash, ka mendime jo faktike, se Hashim Thaçi ka vepruar dhe po vepron në drejtim të ndalimit dhe të dënimit të tjerëve, në llogari të veten. Shume burgosje po ndodhin! Kemi burgosje për gjoja krimet e UÇK dhe Thaçi nuk preket!? Kemi kapje për krime pas luftës dhe Thaçi është i paprekshëm !?”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, tash në vend që të angazhohet me pushtet dhe me popull për lirimin e Ramush Haradinaj nga burgu në Francë, Thaçi shkon në SHBA.

“Pse? Po qarkullojnë mendime në skenën politike se ndalja e Ramush Haradinaj në Francë është vepër e Hashim Thaçit. Ka gazeta që përmendin edhe emra të shërbyeseve të shërbimit francez për të cilët punon Hashim Thaçi. Mendimet po lidhen edhe me Gjykatën Speciale. Ndërsa, të tjerët e lidhin ndaljen ne Francë si vepër e Hashim Thaçit, në mënyrë që të ndalet z. Haradinaj nga pjesëmarrja në ditën e inaugurimit te z. Trump si president i SHBA-ve. Pra, ka shume dyshime për punën e Hashim Thaçit në burgosjen e Ramush Haradinaj në Francë  Natyrisht se ne nuk duam të jenë të vërteta këto dyshime”, ka deklaruar ai.

Por, këto dyshime sipas Muhamet Kelmendit vetëm Presidenti Thaçi ka mundësi t`i sqaroj.

“Deri atëherë mbetet dyshim i bazuar për të”, është shprehur Kelmendi.

Nga Thaçi pritet çdo gjë!

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se akuzat e Daut Haradinajt do t’i dëshmoj koha, edhe pse sipas tij, nga zoti Thaçi çdo gjë është e pritur.

“Daut Haradinaj është mbështetur në retrospektivë, por kjo nuk do të thotë se akuzat e tij qëndrojnë realisht. Etiketimet, akuzat, shpifjet  bëhen me qëllime të caktuara politike. Në njërën anë për  të manipuluar më opinionin publik dhe në anën tjetër  shpërqendrimin e opinionit publik karshi problemeve reale. E në rastin Haradinaj, nëse mbështetemi në retrospektivë dhe nga premisat logjike atëherë nxjerrim konkluzionin së Thaçi ka gisht në arrestimin e Ramush Haradinajt. Po prapë po them se nga premisat logjike nxjerrim një teori konspirative, ku gjasat janë të njëjta si në aspektin e të vërtetës ashtu edhe të pavërtetës. Akuzat e Daut Haradinajt do t’i dëshmoj koha, edhe pse nga zoti Thaçi çdo gjë është e pritur çdo gjë”, është shprehur Ahmeti.

Sipas tij, Presidenti Thaçi, shumë herë e ka dëshmuar se për pushtet është në gjendje të kërcënoj, shantazhoj e bëjë presion bashkë partiakëve të tij.

“Thaçi, shquhet për dinakërinë e tij dhe personalitetin e tij përçarës. Thaçi shumë herë e ka dëshmuar se për pushtet është në gjendje të kërcënoj, shantazhoj e bëjë presion bashkë partiakëve të tij. Nuk është mirë të dalim me akuza publike përderisa të vërtetohen rastet, por në Kosovë nuk merr askush përgjegjësi për peshën e fjalës publike. Po të kishim një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, shpifjet, akuzat, etiketimet nuk do të kishin vendin në  shoqërinë kosovare”, ka deklaruar ai.

Dauti e di pse u ndalua Ramush Haradinaj

Për njohësin e rrethanave politike në vend, Arbër Gashin, Daut Haradinaj dhe të tjerët e dinë fare mirë se përse u ndalua kreu i AAK-së, z. Ramush Haradinaj.

“Realiteti me të cilin po ballafaqohemi nuk piku dot nga qielli. Daut Haradinaj dhe të tjerët e dinë fare mirë se përse u ndalua vëllai i tij, kreu i AAK-së, z. Ramush Haradinaj! Pra, për ata që politikën e kanë profesion e jo biznes, kjo rrjedhë e ngjarjeve ka qenë gjithmonë opsion i mundshëm dhe nuk mund të bëhet fjalë për një befasi apo për diçka që nuk është pritur të ndodhte me Kosovën, me shqiptarët dhe me vet z. Haradinaj. Përkundrazi, e kam cekur shpeshherë edhe herëve të tjera, se dialogu me Serbinë është veprim i pamatur dhe në kundërshtim total me interesin tonë nacional”, ka thënë Gashi.

Po ashtu, sipas tij, se formimi i Gjykatës vendore për krime të luftës është domosdoshmëri, të cilën për të keq nuk e ka mbështetur me kohë as vet AAK-ja si subjekt, që tani po ballafaqohet me një hapje të re të lojës gjeopolitike.

“Personalisht jam thellësisht i brengosur me instrumentalizimin e vullnetit të mirë të qytetarëve, të cilët i kuptoj dhe bashkëndjej me ta. Megjithatë, unë personalisht nuk i miratoj dhe nuk kam kurrfarë mirëkuptimi për sjelljet histerike të drejtuesve politik, të cilët, në vend se të ofrojnë zgjidhje, sugjerojnë përkushtim e atdhetarizëm të rrejshëm dhe pa mbulesë”, ka deklaruar ai.

Kurse, për publicistin Rexhep Shahu, Ramush Haradinaj, vazhdon të jetë i shënjestëruar nga serbët si armikun më të madh të luftës, ndërsa nga shqiptarët si komandantin më të shquar.

“Edhe inatet e mëritë mes shqiptareve nuk shpërfillen, inatet mes liderëve, nëse mund t’i quajmë liderë, por vazhdoj të besoj se ndaj Ramush Haradinajt vazhdon të bjerë inati e mallkimi serb. Serbët e kanë armikun më të madh për vitet e luftës Ramushin dhe sa të jetë e mundur nuk ia falin. Ndërsa komandantët apo liderët shqiptare e kanë pranuar në heshtje Ramushin si komandantin ma komandant gjatë luftës dhe janë pajtuar se pas luftës kanë vallëzuar njëlloj mbi shpinën e Kosovës”, ka theksuar ai.

E Naim Miftari, ish pjesëtar i Shërbimit Inteligjent të Kosovës, nuk ka hequr dorë nga fajësimi i Presidentit të vendit Hashim Thaçi lidhur me paraburgimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

“Po nuk është sekret më së Hashim Thaçi ka qenë bashkëpunëtorë i  DGSE shërbimit sekret francez, para shumë vitesh pata potencuar vet në shtyp publikisht këtë sekret që shumë i ka kushtuar Kosovës gjer tani ku faktikisht Kosova është satelit i ndërkombëtarëve dhe i Serbisë. Dihet shumë mirë se shërbimi sekret francez ka bashkëpunim vëllazëror shekullor me shërbimet sekrete serbe sidomos ish UDB dhe tani BIA shërbimi i inteligjencës serbe. Hashim Thaçi nuk është përgjigjur kurrë në pyetjen krejt të thjeshtë si ndodhi e u vranë shumica e komandantëve të luftës që e luftuan me Serbinë. Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Salih Çeku, Ahmet Krasniqi, Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Abeja, Toni e mici. Si ndodhi kjo nuk është rastësi. Kryetari i Kosovës duhet po ashtu të shpjegoj rolin e vëllait të tij dhe bashkëpunimin që e kishte me UDB para dhe gjatë luftës (por mos të harroj se G2 i UÇK-së ka fakte për ato akuza)”, ka pyetur Miftari.

Hashim Thaçi ka dorë në arrestimin e Haradinajt!

Naim Miftari mbështetë deklaratën e Deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, lidhur me interferimin e Presidentit Thaçi në arrestimin e Ramush Haradinajt.

“Daut Haradinajn e mbështes plotësisht në deklaratën e tij ku ceket roli negativ i Presidentit i cili para disa ditësh, deklaratat e Dik Martit dhe akuzat e Serbisë i pranoi si të  vërteta ku deklaroi kinse janë vrarë dëshmitarët. Po kush tjetër ka vrarë dëshmitarë më shumë se sa vet Hashim Thaçi dhe klani i tij. Plus inatet personale për mos ftesën në SHBA  te cilat i shprehte publikisht  edhe vet qartë në televizionet pro qeveritare”, është shprehur Miftari.

Sipas Naim Miftarit, çdo e ligë e vendit te ka adresën pranë Hashim Thaçit.

“Publikisht deklaroj se në arrestimin e Ramush Haradinajt ka dorë pikërisht  presidenti ynë Hashim Thaçi i cili përmes lidhjes Franceze dhe ndihmës serbe përgatitën ndalesën, arrestimin e komandantit të luftës Ramush Haradinajt i cili, shpëtoi gjallë gjatë luftës edhe pse shumë i dëmtuar familjarisht dhe i plagosur disa herë edhe  vet nga makineria vrasëse Serbe. Çdo e ligë që i vjen vendit tonë që nga viti 1997 adresën e ka pran Hashim Thaçit dhe klanit të tij të konspiracioneve”, ka potencuar ai.

Ai ka thënë se edhe Gjykata Speciale u formua duke u bazuar pikërisht në akuzat që i bëheshin pikërisht Hashim Thaçit nga raporti i Dik Martit.

“Çka presim nga një president i cili gjer disa jav para sete formohej gjykata speciale deklaronte se është themelues dhe lider i UÇK dhe kur trokiti gjykata e pa drejt në portën  e shtetit tonë ky i njëjti themelues deklaroi se nuk ka qenë fare në UÇK. Edhe pse kjo gjykatë u formua duke u bazuar pikërisht në akuzat që i bëheshin pikërisht Hashim Thaçit nga raporti i Dik Martit, por ky po tenton ta shpëtoj veten. Nuk njeh kufi ligësia e tij”, ka përfunduar Miftari.

Ndryshe, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit në Francë, për shkak të një fletarresti të lëshuar nga Serbia./BS/

Comments

comments