Ibrahim Rugova dhe shqiptarët në Maqedoni

Jugoslavia - Pristina, 2 luglio 1992: IBRAHIM RUGOVA nella sede dell'LDK:

Nga Naser PAJAZITI/

Maqedonia ka qenë një trampolinë dhe një logjistikë e fuqishme për promovimin e politikës së presidentit të ndjerë Rugova. Për këtë flasin shumë fakte, dëshmitarë, mbështestës dhe kryesisht familja e Nush Kërliut në Shkup, e cila ka qenë një nga strofullat e strehimit dhe vendqëndrimit të vazhdueshëm të dr.Rugova.

Vajtje-ardhjet e kryetarit të atëhershëm të LDK-së në Shkup nuk kishin ndonjë publicitet dhe komoditet të ndonjë rangu të lartë të vizitave, por ai vazhdimisht vendosej në familjen Kërliu në një nga lagjet në qendër të Shkupit.

Takimet me ish-ambasadorin amerikan, Kristofer Hill dhe ambasadorët e mëparshëm të Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera perendimore gjithmonë janë zhvilluar në shtëpinë e familjes Kërliu dhe se kjo ishte një preferencë modeste e Rugovës.

Aeroporti i Shkupit ishte një nga përzgjedhjet e tij për udhëtime jashtë vendit dhe se shumë dëshmitarë përkujtojnë se kur vinte Rugova në aeroport mbretëronte një qetësi e madhe dhe reflektohej një përkushtim i madh i nderimit, saqë kishin zili edhe doganierët e policët maqedonas.

Nuk mund të numërohen vizitat e tij në Maqedoni. Një nga vizitat e tij të fundit e jashtëzakonshme ishte në kampin e refugjatëve Stenkovec gjatë luftës së Kosovës, kur mijëra mbështetës të tij nuk hezituan të brohorisin figurën e presidentit, i cili kishte ardhur nga Italia dhe në këtë periudhë ishte çështje debati pas takimit “të dhunshëm” me ish-diktatorin serb Millosheviç në Beograd. Kaloi në periudhë shtatë vjeçare dhe Rugova nuk erdhi më në Maqedoni në cilësinë e një zyrtari të lartë të LDK-së apo më vonë edhe të presidentit të Kosovës. Disa muaj më parë në koluaret zyrtare maqedonase përflitej organizimi i një vizite zyrtare në Shkup, edhe ate me ftesë të presidentit Branko Cërvenkovski, ndërsa të dhënat tjera bëjnë të ditur se Rugova kishte refuzuar një ftesë të tillë. Gazeta e përditshme “Vest” në maj të vitit të kaluar shkruan “Rugova se plasi od atentat od Makedonija”, duke sqaruar se presidenti i Kosovës  ishte frikësuar të vizitojë Maqedoninë përshkak të mundësisë së organizimit të një atentati. Sipas kësaj gazete, atentati ndaj tij po planifikohej nga grupe të caktuara kriminale të rajonit. Rugova nuk erdhi e nuk erdhi në Maqedoni, edhe pas shumë ftesave të bëra nga parti, organizata dhe institucione të ndryshme. Kjo ndoshta do të mbetet një mister i pasqaruar.

****

Rugovizimi si një pikëpamje e re politike u zhvillua dhe ishte model i pranueshëm për shumë subjekte politike shqiptare dhe për aktorë politikë shqiptarë në Maqedoni.

Demostratat dhe mekanizmat politike të faktorit politik shqiptarë gjatë viteve të 90-ta sipas modelit të politikës pacifiste, të bazuar mbi parimet e politikës rugoviane, kishin një ndikim të madh në drejtim të kërkimit dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) me themelimin e saj ishte një kopje e vërtetë e një subjekti që kishte karaktër të lëvizjes politike sikur LDK e Rugovës. Atëbotë, krerët e PPD-së dhe shumica e shqiptarëve e konsideronin Rugovën si një paternalistë që vendoste edhe për fatin e shqiptarëve në Maqedoni.

Më vonë ndryshuan rrethanat dhe pasoi inkuadrimi i subjektit politik shqiptar në sistemin institucional të vendit. Varësisht nga këto vlime politike, Prishtina dhe politika e kryesuar nga Rugova në të shumtën e rasteve ishte një qendër e ndikimeve dhe logjistikës politike për shqiptarët në Maqedoni. Rugova ndiqte edhe zhvillimet politike në Maqedoni, në të shumtën e rasteve duke iu kundërpërgjigjur politikës së heshtur serbofile të ish-presidentit Kiro Gligorov për shqiptarët dhe për Kosovën.

“Lus presidentin Kiro Gligorov që të mos prejudikojë statusin dhe të ardhmen e Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës është në favor të Maqedonisë dhe ofron garanca për serbët e Kosovës”, ky mesazh i qartë i Rugovës u kumtua qysh në vitin 1996, gjatë një konference të zakonshme të zhvilluar në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Prishtinë. Kontinuiteti i kësaj politike rugoviane është një dëshmi që sot kanë filluar ta akceptojnë edhe shumica e politikanëve dhe zyrtarëve shtetëror maqedonas. Nga ana tjetër, maqedonasit ndoshta nuk e kanë ditur se presidenti i ndjerë kosovar kishte patur një qëndrim të tillë ndaj Maqedonisë.

Rugova ishte një mbeshtetës i fuqishëm i themelimit të Universitetit të Tetovës dhe kjo dëshmohet me angazhimet e tij për inkuadrimin e akademikëve dhe profesorëve universtar të Kosovës në ndihmë të këtij universiteti të shqiptarëve në Maqedoni.Konflikti i vitit 2001 në Maqedoni nxorri në pah autoritetin dhe ndikimin politik të presidentit Rugova, i cili ishte ndër të parët që alarmoi faktorin ndërkombëtarë për mundësinë e eskalimit të konfliktit ndëretnik. Politika e tij në distancë bazohej mbi parimet dhe standartet që shqiptarëve tu jipen më shumë të drejta. Pragmatizmi i skajshëm i Rugovës gjithmonë ka qenë bindës për autoritetet shtetërore të Shkupit, sidomos për kontestin e kufirit verior, me ç`rast gjithmonë sfidonin pozicionet politike të Prishtinës, që kjo çështje të zgjidhet pas përcaktimit të statusit të Kosovës. Rugova nuk pranoi kompromise dhe ashtu po zvarritet ky kontest, që u imponua pas nënshkrimit të një marrëveshje midis Beogradit dhe Shkupit për shënimin e kufijve midis dy vendeve, ku përfshihej edhe Kosova, si njësi territoriale e bazuar sipas Rezolutës së OBK-së 1244. Autoriteti i Rugovës edhe në Maqedoni kishte nxitur debate dhe vlerësime të figurës së tij politike. Në këto konstelacione mbretëronin vlerësime nga politikanë aktual se Rugova ishte një “politikan i harxhuar” dhe “e kaluara e Kosovës”. Por, edhe në këtë drejtim, gjithçka trumbetohej në formën e një demagogjie të heshtur politike. Aktorët e sotëm politik flasin se faktori politik Rugova në asnjë rast gjatë periudhës së politikës së tij 16 vjeçare nuk mbajti anën e ndonjë subjekti politik shqiptar në Maqedoni apo mundësitë për të përdorur ndikimin e tij për të ngjallur konflikt në skenën politike shqiptare në Maqedoni.

Megjithate, shqiptarët në Maqedoni u goditën rëndë nga vdekja e presidentit Rugova dhe dhembja po vazhdon të manifestohet në çdo ambient familjar shqiptarë, ku çdo ditë në ekranet televizive drejtpërdrejt ndiqen homazhet në hollin e Kuvendit të Kosovës. Lidhja dhe mishërimi mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe presidentit Ibrahim Rugova nuk përfundojnë me kaq.

 janar 2006

Comments

comments