Ideja e Han-it për tregun ballkanik, në kohë të gabuar

Ideja e Han-it për tregun ballkanik, në kohë të gabuar

Muhamer Pajaziti

Ideja e një tregu të përbashkët rajonal, e propozuar nga eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Han nxiti shumë debate dhe kontradikta, nga qarqet politike zyrtare të vendeve të Ballkanit.

Paranoja, mësimi nga e kaluara,  idetë megalomane shtetformuese dhe synimet e fshehura ekspansioniste të vendeve ballkanike nxorën në sipërfaqe vijat e kuqe për ta minuar këtë proces nga i cili mund të nxirren përfitime ekonomike, por edhe politike.

Debati për një model të tillë që kryesisht u nxor në Bruksel kishte si nxitje ofrimin dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, përmes një modeli funksional dhe që ishte sprovuar dhe realizuar  nga Shtetet Anëtare të BE-së. Një integrim rajonal që ekonominë evropiane e ka ndihmuar të jetë lidere në eksportin e mallrave dhe shërbimeve në botë.

Por, mentaliteti ballkanik nuk duron koncepte të tilla bashkëpunimi dhe pikërisht nga ky prizëm erdhën edhe sinjalet negative nga Shkupi, Beogradi, Podgorica e Prishtina, që ashpër dhe me alibitë e tyre të zakonshme shmangin modelin e tillë integrues.

Qëndrimi zyrtar i qeverisë maqedonase ishte se interesi i Maqedonisë është që të bëjë përparim në integrimin në BE, e jo integrim më të ngushtë me vendet e rajonit. Madje, disa shoqata dhe opinionistë maqedonas u ndjenë të kërcënuar nga kjo ide duke e paraqitur si tendencë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, e cila do ta përjetojë fatin e Ish-Jugosllavisë.

Me një fjalë, ideja e Ballkanluksit u varros menjëherë, por megjithatë ishte një debat i vlefshëm, një mësim i mirë se në rajon akoma nuk janë thyer paragjykimet ndëretnike dhe ndërfetare.

Pas shumë investimeve të komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni, por edhe në vendet tjera, akoma janë të pranishme barrierat gjuhësore, etnike e kulturore si dhe paragjykimet ndaj njëri-tjetrit.

Një reagim të ngjajshëm pati edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili deklaroi se tregu i përbashkët rajonal nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.

Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri

Ky ishte reagimi i kreu kosovar, i shprehur nga mosbesimi i shteteve sllave për bashkëpunim, duke u bazuar në përvojat e së kaluarës.

Fatkeqësisht, këtë realitet e ndihmojnë një numër i madh i politikanëve të papërgjegjshëm për qëllimet e tyre të politikës ditore.

Pra, proceset integruese nuk ndihmuan ciklin vicioz të tensioneve, krizave, konflikteve dhe problemeve në rajonin tonë.

E kaluara është bërë pengë i proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor, prandaj dështojnë nismat të cilat marrin për model procesin integrues të Evropës.

Një treg i përbashkët do të ishte lehtë i realizueshëm nëse  vjen një elitë e re politike në rajona, e cila nuk është e helmuar nga idetë nacionaliste dhe megalomane.

Një traktat ndërqeveritar i modeleve të Bashkimit Evropian do të përshpejtonte anëtarësimin e vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike, si dhe do t’i ndihmonte, sidomos Kosovës, për t’u futur më lehtë në tregjet rajonale dhe evropiane.

Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit do të ndihmonte ekonomitë e këtyre vendeve si dhe do të përforconte peshën e tyre në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare dhe ndër-fqinjësore.

Ndërsa, përskaj kësaj do të përfitonin bizneset, por edhe qytetarët. Me këtë do të rriten edhe investimet e huaja për faktin se investitorët kërkojnë tregje më të mëdha për të investuar kapitalin e tyre.

Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali, si dhe personat të mund të lëvizin lirisht, sikur brenda një shteti të vetëm.

Pra, heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve, ndërsa gjithashtu do të mundësonte që të mos bllokohen më mallrat për shkak të rregullave dokumentacioneve dhe procedurave të panevojshme dhe nga tatimet për mallrat e importuara. Tregu i përbashkët do të ishte një mundësi e mirë për konsumatorin shqiptar në të dyja anët e kufirit, për të zgjedhur mallra me kualitet më të lart në një treg më të madh prej gjashtë apo shtatë milionë banorëve, ndërsa kompanitë që do të plasonin mallin e tyre në të dy shtetet, duke rritur kështu veprimtarinë, numrin e të punësuarve si dhe të ardhurat. Pastaj, bashkëpunimi ekonomik vetvetiu me kalimin e kohës do të nxiste edhe bashkëpunimin politik në formën e një konfederate apo federate me qëllimin final anëtarësimin në BE, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Nga ana tjetër me përafrimin e legjislacioneve, gjithnjë duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian, një numër i madh i mjekëve, juristëve, ekonomistëve etj. do të mund të ushtronin profesionet e tyre në cilin do qytet të vendeve të rajonit.

Gjithashtu edhe studentet do të mund të lëviznin më lirë për të studiuar, atje ku mendojnë se është më mirë, pasi që do të zgjerohej horizonti i tregut të punës dhe konkurrenca.

Por, duhet ta pranojmë se në këto rrethana, kur në Maqedoni dhe Serbi kemi një kastë politikanësh me ide nacionaliste dhe shoviniste ky proces nuk ka gjasa të ec përpara.

Projekti i ngjajshëm do të mund të realizohej mes Kosovës dhe Shqipërisë, shtete që i përkasin një kombi dhe një kulture.

Kjo mund të realizohet pa asnjë një pengesë, për faktin se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin një kombi dhe një historie të dhimbshme, duke ndarë fatin e njëri tjetrit në një luftë mbijetese kombëtare, nën sulmet e fqinjëve dhe qarqeve ekspansioniste dhe gjenocidale.