Ivanov dhe garancat e mandatarit Zaev

Ivanov dhe garancat e mandatarit Zaev

Nga Mehmet LATIFI/

Zoran Zaev e mori mandatin dhe ate me një “huxhum” duke e detyruar presidentin Gjorgji Ivanov që vazhdimisht përsëriste se nuk ia jep mandatin Zoran Zaevit. Mirëpo, “tvrdokorni patrioti” Gjorgji Ivanov u zbut, u bë luani lepur dhe të vetmin kusht që e kishte si alibi, kërkonte GARANCA për unitaritetin, integritetin, sovranitetin, kushtetutshmërisë etj të Maqedonisë.

Dhe Zoran Zaevi e bindi Ivanovin për të gjitha këto dhe vet Ivanovi deklaroi se janë tejkaluar të gjitha pengesat dhe presidenti kontravers (tashmë i njohur për gafe të pafalshme) ia dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, me GARANCAT që ia dha Zoran Zaevi.

Kjo i bie, sikur Zoran Zaevi i ka shitur presidentit Gjorgji Ivanov një shporet elektrik, apo një kondicioner, apo një telefon “Iphon”, ose ndonjë lavatriqe dhe i jep GARANCË NJËVJEÇARE ( që zakonisht jepet për teknikën e bardhë dhe aparate shtëpiake).

Garancë për shtetin nuk mund të jet asnjë individ, po qoftë ai edhe Zoran Zaev, apo Gjorgji Ivanov, por janë INSTITUCIONET E SHTETIT, që kanë obligim kushtetues,  institucione që pikërisht me uratën e presidentit Ivanov janë partizuar dhe privatizuar, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria,  shërbimet e sigurimit kombëtar dhe publik, prokuroria, gjyqëia, administrate, e deri tek mediumet njëngjyrëshe. Mosfunkcionimi i këtyre institucioneve ka sjellur Maqedoninë deri në këtë derexhe, që pa dyshim se Gjorgji Ivanovi nuk është pak fajtor, porn ë masë të madhe i ka kontribuar gjendjes së krijuar që rezultoi edhe me sulmin ndaj institucionit më të lartë shtetëror-Parlamentit duke rrezikuar jetën e deputetëve nga bashkëpartiakët e tij.

Dhe për të qënë apsurdi edhe më i madh ai tani kërkon që ata kriminel, ata dhunues e vrasës të amnistohen. Po kur është në pyetje Gjorgji Ivanov gjithçka është e mundur, se ai është i njohur edhe për amnistinë e një numri të madh që ishin në listën e Prokurorisë Speciale Publike, të formuar si rezultat i marrëveshjes së katër partive më të mëdha parlamentare dhe miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë dhe pastaj nën presionin vendor dhe ndërkombëtar e shfuqizoi atë vendim dhe hapi rrugë (edhe pse me shumë pengesa) të procesuimit të amnistuarve nga ana e Prokurorisë Speciale Publike.

Megjithate, duhet thënë edhe këtë: Përkundër faktit që Zaevi i dha “garancinë njëvjeçare për shporetin etj, ai megjithate iu nënshtrua pa nevojë Gjorgji Ivanovit, kur kryetari i ri i Parlamentit së shpejti do ta mandatonte në emër të shumicës parlamentare bazuar në dispozitat kushtetuese. Me këtë Zaevi përsëri e faktorizoi Ivanovin dhe injoroi (së paku në paraqitjen e tij të parë) Deklaratën ose Platformën e partive shqiptare, që presin “ted era” kur të ju vjen Zaevi për bisedime për formimin e Qeverisë së koalicionit.

*Autori është redaktor në INA