Ja çka i kishte ndodhur pacientes shqiptare në një nga Klinikat e...

Ja çka i kishte ndodhur pacientes shqiptare në një nga Klinikat e Shkupit!

E di që shëndetësia tek ne nuk funksionon, qe është një kaos i madh me zero kushte dhe me zero profesionalizëm, mire ama rasti që më ndodhi mua para disa ditëve më revoltoi, shqetësoi dhe ofendoi aq shumë sa që vendosa ta ndaj edhe me opinionin publik, shumica dërmuese e të cilës e ka përjetuar dhe po e përjeton dita ditës po të njëjtën që përjetova unë: trajtim poshtërues, jonjerëzor i disa mjekeve në klinikat shtetërore të Republikës së Maqedonisë.

Nëna ime është 60 vjeçare, është e operuar nga kanceri në gji, dhe pas një viti nga kontrolli i fundit i mamografisë, duhet të bëjë kontroll të rregullt vjetore. Andaj mjekja amë na dha udhëzim prioritar për mamografi dhe për eho të gjirit tek Dr. Viktor Tevçev në Poliklinikën e Bukureshtit.

Na dha udhëzim prioritar ngaqë nuk kishte termin të lirë të rregullt 2-3 muajt e ardhshëm në asnjërën nga institucionet shëndetësore/klinikat shtetërore, e nëse do edhe mund të vdesësh brenda atyre muajve askujt nuk i bëhet vonë.

Në Bukuresht u drejtuam tek sporteli. Motra medicinave  e pa udhëzimin, e lexoi emrin dhe mbiemrin tonë, na pa, u mendua pak dhe na refuzoi duke na thënë se ka shumë pacientë e vetëm një mjek, se nuk mundet mjeku i njëjtë të mbetet gjithë ditën vetëm për juve, shtoi se duhet të vijmë pas pesë ditëve në ora 9, por se as atëherë nuk na garanton se do kryejmë punë në kohë,  se do presim kur do ketë kohë. I sqarova se udhëzimi është prioritar se kontrolli duhet të bëhet më herët që të jetë e mundur por  mjaftoi emri  që ajo mos më dëgjonte më.

Vendosa që ta kërkoj dhe ta lus mjekun Viktor Tevçev, ta pyes se a do pranojë të gjejë hapësirë, sot,  pas pacientëve me termin, të na pranojë edhe neve, nëse ai pajtohet, ne do presim.

Mirëpo edhe ai filloi të ankohet se ka shumë pacientë dhe se nuk mund të arrijë vet gjithçka ( sikur ne pacientët të ishim fajtorë që reparti i radiodiagnostikës s’ka personel të mjaftueshëm) se udhëzimi prioritar paska afat 7 ditë, (dhe unë duhet ta nënkuptoj se 7 ditë me rend do duhet të presim  korridoreve se kur do i konvenojë mjekut të na pranojë ose jo atë ditë). Mjeku tha se paska shumë pacientë me termin të caktuar ( gjë qe s’ishte e vërtete sepse brenda katër orëve që ishim aty unë nuk pashë më shume se 5 pacientë, prandaj edhe vendosa ta lus që të na kontrollojë po atë ditë). Sërish u ankua se kjo për të është rrezatim i tepërt ( sikur un të isha fajtore që ai e ka zgjedhur atë profesion).

Gjithë këtë na e thoshte në mënyrë të ashpër, me nervozë dhe cinizëm,… e kur e pa se u ofenduam dhe vendosem të shkojmë, atëherë na tha që nëse arrijmë të mbarojmë punë me mjeken tjetër e cila duheshte të bëjë mamografinë,  atëherë do na pranojë. Ishte tejet e qartë që sjellja e tij bazohej në emrin tonë, a ndoshta edhe nga shkaku se ne e kërkuam të drejtën tonë për kontroll, pa dhënë ryshfet, dhuratë siç fatkeqësisht janë mësuar mjekët.

Erdhi mjekja e cila ishte po aq vulgare sa edhe mjeku dhe gjithë ekipi i atij reparti që shëtiste lart e poshtë. Pasi mbaruam me mamografinë shkuam tek kabineti për eho i Dr. Tevçev i cili nuk ishte aty. Pritëm në kabinetin e tij rreth 15 min. Ai nuk shfaqej. Por ai kishte aq shumë pune e aq shumë pacientë ?! Më në fund erdhi me një nervozizëm dhe negativitet të pa parë.  Gjëja e parë që bëri më përzu mua duke më thënë të dal jashtë ose të ri në pjesën pas perdes. Pranova të qëndroj pas perdes në rast se nënës do i duhej diçka. Ai filloi të çirret si budalla dhe ta pyes nënën time pyetje ironike duke ndejtur i kthyer me shpinë ndaj saj, duke shikuar nga kompjuteri : “Pse ke ardhur, çfarë halli ke?” ( Sikur pacientët duheshka të shkojnë në kontrollë vetëm kur të jenë para vdekjes!). Ajo i tha që ka kontroll të domosdoshme çdo vjet sepse është e operuar. Ai e pyeti cilin gji e ka të operuar, pa mos i lexuar  rezultatet dhe incizimet e mëparshme e aq më pak të kthehej që ta shihte pacientin që qëndronte pas tij.

Pastaj u ul me nervozizëm që ta bënte ehon duke i hedhur teshat e saj në fund të krevatit,( se teshat duheshka të varen në varëse, ndërsa varëse s’kishte askund) sërish mu drejtua mua duke më bërtitur që mos rri në këmbë por të ulem në qosh se po i penguakam në kryerjen e detyrës. Unë matanë perdes duke mos bere asgjë po i pengoja një “ specialisti” të radiodiagnostikës  që ta kryejë detyrën e tij!…Pastaj filloi ta urdhërojë nënën time që të shtihet, të ngrihet, ta ngrejë dorën,  dhe gjithë këto duke bërtitur,…unë e dëgjoja nënën se si ofkëllonte, pastaj edhe mu ankua se me aparatin e ehos e ka shtypur aq shumë sidomos në pjesën ku është e operuar sa që i ka shkaktuar dhimbje të padurueshme. Gjithë këtë e ka bërë duke e parë me inat dhe me urrejtje nënçmuese vetëm ndoshta ngaqë ishte e nacionalitetit  tjetër, për të cilin dëgjojmë gjithçka!…

Në fund na e dha raportin dhe doli si i marrë.  Unë ende jam e shteqësuar nga sjellja e tij dhe nuk e kuptoj se si  lejova dhe nuk arrita në moment të reagoj ndaj trajtimit të tij jonjerëzor.

Doktor Viktor Tavçev për mua nuk është mjek, sepse ai e shkel  LIGJIN PËR MBROJTJEN E PACIENTËVE dhe jo vetëm, e veçanërisht  betimin e Hipokratit dhe nenin 5 i cili thotë:  Pacienti ka të drejtë të ushtrojë të drejtat e parashikuara nga ky ligj, pa diskriminim në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimit politik ose tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, statusi material, lindja, orientimi seksual apo ndonjë status tjetër.

Atëherë mu kujtua që si mund të pres një trajtim ndryshe në një sistem ku ë shëndetësia dhe jo vetëm, e ka arritur fundin, një sistem që po i vjen fundi.

Pacientja anonime