Ja çka ndodhi dy herat e fundit kur u arrestua Albin Kurti...

Ja çka ndodhi dy herat e fundit kur u arrestua Albin Kurti (Video/Foto)

Sot u lëshua urdhërarrest ndaj deputetit, apo siç njihet ndryshe, liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Beqir Kalludra vendimin e arsyetoi me mosparaqitjen e Kurtit në gjykatë në seancën e sotme ku do të vazhdonte seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit të kaluar në kundërshtim të demarkacionit e Asociacionit.

Por, Albin Kurti ndodhet në Austri, prandaj zbatimi i vendimit të gjykatës ndaj tij mund të vonohet deri në kthimin e Kurtit në Kosovë.

Kurti është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës e më herët edhe nga Policia e UNMIK-ut, por dihet mirë se arrestimi i tij shpeshherë ka nxitur reagime të shumta nga aktivistë e qytetarë të Kosovës.

Po ashtu, për shkak të kundërshtimit masiv, dihe se Policisë shpesh i është dashur mobilizim i madh për të arrestuar Kurtin. Mbetet të shihet nëse do të shohim situatë të njëjtë në tentimin e Policisë që ta zbatojë vendimin e fundit të gjykatës për arrestimin e deputetit Kurti.

Më 12 nëntor 2015 Kurti ishte arrestuar nga Policia e Kosovës pa asnjë urdhërarrest nga gjykata, për t’u liruar në mesnatë, pas presionit të madh të aktivistëve të VV-së, të cilët kishin rrethuar stacionin qendror të Policisë në Prishtinë.

U patën djegur të paktën tre vetura të Policisë së Kosovës, e po ashtu ishte demoluar Stacioni i Policisë dhe ishin sulmuar zyrat e PDK-së. Policia kishte përdorur gazin lotëzjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

Të lënduar kishin mbetur edhe disa aktivistë të Vetëvendosjes nga përplasja me Policinë e Kosovës.

Një tjetër arrest i Albin Kurtit nga Policia e Kosovës kishte marrë vëmendje të veçantë, jo vetëm në vend, por për këtë rast ishte raportuar edhe nga të gjitha mediat ndërkombëtare. Ndërhyrja e organizuar e Policisë në zyrat e VV-së më 28 nëntor, 2015 për ta arrestuar Kurtin, ku ishin shkaktuar përleshje të ashpra mes policëve të njësise anti-terrorizëm dhe aktivistëve të VV-së, ishte dënuar edhe nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International, e cila atëkohë kishte konstatuar përdorim të tepruar të forcës policore ndaj partisë më të madhe opozitare.

Situata politike është më e relaksuar tash pas ndërprerjes së tentimeve për të miratuar dy marrëveshjet që u bënë kauzë e opozitës, por zgjedhjet po afrohen. Askush nga VV nuk ka reaguar ende, por arrestimi i Kurtit me siguri se do të nxisë reagime. /Periskopi/