Ja kush janë kandidatët favorit për të fituar në komunat shqiptare

Analisti Robert Nesimi ka bërë një analizë në lidhje me matematikat se kush pritet që të fitojë në komunat me shumicë shqiptare.

Këtë analizë, Nesimi e ka bërë në bazë të trendit të votave në tre palët zgjedhjet e kaluara: ato lokale 2013 dhe parlamentare 2014 e 2016. Për zgjedhjet lokale si tregues më i mirë jepet numri i votave për listat e këshilltarëve, që pasqyron më mirë forcën relative të partive.

Matematikat në rajonin Shkup – Kumanovë

Likova – Në Likovë kanë kandiduar të gjitha partitë shqiptare dhe LSDM. Pritjet janë se votuesit e LSDM do të rikthehen te partitë shqiptare, ndërsa secila prej tyre do të merr një sasi votash në rundin e parë. Kështu gara sigurisht do të kalojë në rundin e dytë, sipas të gjitha gjasave mes Shaban Zendelit të Besës dhe Erkan Arifit të BDI. Në rundin e dytë pritet që votuesit e PDSH dhe Aleancës të shprehin mllefin ndaj BDI duke mbështetur Shaban Zendelin, gjë që e bën atë favorit për të fituar komunën.

Haraçina – Favorite për fitore në Haraçinë është Milikije Halimi e LSDM. Mirëpo fitorja e saj nuk është aspak e sigurtë. Për të dhe LSDM është jetike të fitojnë që në rundin e parë, sepse në rrethin e dytë situata do të bëhet tejet më e komplikuar. Nëse atëherë do duhet të përballet me Isen Ramadanin e Aleancës, ka gjasa që partitë shqiptare të harrojnë ndasitë mes tyre dhe të mobilizohen rreth partisë shqiptare nën parollën për t’a kthyer Haraçinën në trungun shqiptar. Numër kyç për LSDM do të jetë përqindja e votave që ajo do të marrë nga BDI në rrethin e parë. Nëse kjo përqindje është e madhe atëherë fitorja është e sigurtë, në të kundërtën bëhet problematike. Haraçina njëkohësisht do të jetë test për funksionimin e koalicionit LSDM-BDI.

Studeniçani – Sivjet në Studeniçan garojnë të katër partitë shqiptare, si dhe LSDM. Megjithëse doli e para, LSDM ka patur rritje kryesisht në fshatrat e përziera Batincë, Cvetovë e Koliçan dhe diçka më pak vota te shqiptarët në Moranë e Studeniçan. Këtë rradhë votuesit shqiptarë me siguri do të kthehen tek partitë shqiptare dhe LSDM nuk do të mund t’i kompenzojë nga votat që do t’i merr nga VMRO. Me eliminim të LSDM, favoritë për të dalur në rrethin e dytë ngelin Rexhep Memedi i Besës dhe kryetari aktual Azem Sadiki i PDSH. Është e vështirë të thuhet se çfarë mund të ndodhë më pas, sepse gjithçka do të varet nga koalicionet potenciale, e më konkretisht si do të veprojnë LSDM e BDI. Studeniçani kështu ngelet ndër komunat më të paqarta për t’u parashikuar.

Çairi – Nuk do mend se favoritë kryesorë për të kaluar në rundin e dytë dhe për të fituar janë Zeqirija Ibrahimi i Besës dhe Visar Ganiu i BDI. Me pritjen se maqedonasit e LSDM-së do të votojnë partiakisht për Visar Ganiun, gjithça më tej do të varet nga disponimi i votuesve shqiptarë të LSDM-së. Nëse tek ata mbizotëron mllefi ndaj BDI dhe votojnë Zeqirija Ibrahimin, ai mund të bëjë një dallim komod që në rundin e parë dhe të shkelë plotësisht kundërshtarin në rundin e dytë. Por nëse shqiptarët e LSDM preferojnë Ganiun, ai mund të dalë në rrethin e dytë me një përparësi të vogël. Por as kjo nuk do të thotë gjë. Në rrethin e dytë pritet që Besa të përkrahet nga Aleanca e PDSH, që bashkërisht do të kenë votat për të mposhtur BDI-në dhe LSDM-në. Prandaj favorit kryesor në Çair mbetet Zeqirija Ibrahimi.

Saraji – Në zgjedhjet e sivjetshme në Saraj vazhdon logjika e Çairit. Fakti që LSDM nuk nxorri kandidat dhe përkrah Blerim Bexhetin që në rrethin e parë do të thotë se BDI llogarit shumë te ndihma e LSDM-së për të mposhtur partitë tjera shqiptare. Por këtu nuk ka votues maqedonas, pra gjithçka do të jetë në duar të shqiptarëve që votuan LSDM-në dhe sa ata do të jenë të dëgjueshëm këtë rradhë. Në rrethin e dytë këtu pritet të kalojnë Blerim Bexheti i BDI dhe Bashkim Bakiu i Besës.

Pastaj Bakiu me siguri mund të llogaritë në votat e PDSH dhe Aleancës dhe rundi i dytë të bëhet tejet i kontestueshëm. Por cila parti do të mbizotërojë në rrethin e dytë? Kjo është pyetje mëse e vështirë pasi gjithçka varet nga disponimi i ish-votuesve të LSDM. Nëse ata reshtohen kryekëput pas BDI-së, atëherë përparësi ka BDI; nëse tek ata mbizotëron mllefi ndaj BDI, atëherë përparësia është në anën e Besës. Kushdo që të fitojë, besoj se diferenca do të jetë tejet e ngushtë.

Matematika Strugë – Dibër – Kërçovë

Plasnica – Siç shihet partitë tjera shqiptare nuk kanë qasje në këtë komunë të vogël pasi nuk kanë koalicione me strukturat turke e torbeshe të saj. Parti turke ka dërguar vota në konto të VMRO-së në 2014 dhe më pak në vitin 2016. LSDM është ringjallur në vitin 2016 dhe ndoshta kjo e ka shtyrë të konkurojë këtë vit. Sidoqoftë, duke patur parasysh trendet e kaluara, Ismail Jahoski mbetet favorit për të fituar pa problem që në rrethin e parë.

Dollneni – LSDM është favoriti kryesor për të fituar këtë rradhë komunën ngase edhe ka konkuruar me kandidat torbesh. Madje në rrethin e dytë ka shumë mundësi që ajo të ndeshet me VMRO-në, që pritet t’i ruajë votat e saj tek maqedonasit ortodoksë. Ndonjëri kandidat shqiptarë eventualisht mund të ngritet mbi tjerët dhe të arrijë rrethin e dytë, por vërtetë është vështirë të shihet ndonjë rrugë se si ai mund të fitojë komunën pa mbështetjen e torbeshëve, që pritet të përkrahin LSDM-në. Favorit kryesor pra këtu mbetet LSDM-ja.

Kërçova – Beteja në Kërçovë përsëri përball vetëm dy kandidatë: Fatmir Deharin e BDI dhe Vlatko Sajkovskin e VMRO-së. Për këtë komunë besoj se nuk ka nevojë të flitet më shumë: ajo është bastion i BDI te shqiptarët dhe VMRO tek maqedonasit, megjithëse dominanca e tyre ka filluar të zbehet. Kjo komunë është prognoza më e lehtë: fitore e Fatmir Deharit në rundin e parë.

Dibra – Nëse gara shkon në rrethin e dytë, BDI mund t’a gjejë veten në pozitë tejet të palakmueshme pasi partitë tjera shqiptare bashkërisht janë ku e ku më të fortë se ajo. Sipas të gjitha gjasave pritet që në rrethin e dytë ajo të ndeshet me Xhemail Çupin e lëvizjes Besa, rreth të cilit do të mobilizohen edhe Aleanca dhe PDSH. Nëse Çupi arrin të neutralizojë një pjesë të popullsisë torbeshe e turke dhe beteja bëhet mes partive shqiptare në njërën anë dhe BDI-së e LSDM-së në anën tjetër, atëherë fitues mund të dalë Çupi. Por çelës megjithatë do të mbeten votuesit e lartëpërmendur turkë e torbeshë; pse jo edhe VMRO, nëse interesohet për rrethin e dytë.

Struga – Në Strugë nuk duhet nënçmuar Lavdrim Elmazi i Lëvizjes Besa, por megjithëse mendoj se Besa do të ketë rritje votash, nuk pritet se mund të dalë në vendin e parë. Qoftë me përballjen Sela-Merko apo Sela-Solakoski, favorit kryesor për të fituar Strugën mbetet Sela; gjithnjë me kusht që përveç Besës, atë karshi VMRO-së t’a mbështesin edhe votuesit e BDI e PDSH, siç është tradita në Strugë. Portalb.

 

Comments

comments