Kacafytje mes Lëvizjes BESA dhe Nevzat Bejtës

Kanë vazhduar edhe sot përplasjet mes Lëvizjes BESA dhe kryetarit të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Reagimi i Lëvizjes BESA:
Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, në reagimin e tij të djeshëm përmes portalit “Flaka”, edhe më tej nuk e mohon dhe nuk jep përgjigje në pyetjen se pse vazhdon akoma të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në në Këshillin Komunal të Gostivarit, ndërsa në opinion shtiret se është për koalicion me LSDM-në.
Ai flet për gjithçka tjetër, madje përdor ofendime 24-karatëshe dhe abuzon me emrin e subjektit tonë, por nuk përgjigjet se me kë është: me VMRO-në apo me LSDM-në? Në të vërtetë, opinioni publik në Gostivar e mban mend mirë mënyrën se si u zgjodh për kryetar komune z. Bejta, ndërsa kjo u konfirmua edhe në përgjimet e publikuara. Ai fitoi falë përkrahjes së madhe dhe të hapur të VMRO-DPMNE-së dhe manipulimeve zgjedhore me njerëz të nëntokës, ndërsa ne e dimë mirë se ku gjenden sot ata njerëz, dhe kështu e arriti pozitën (e pamerituar) të Kryetarit të Komunës.
E, nëse z. Bejta dëshiron të flasë për sukseset e punës së tij, është mirë së pari të dëshmojë se me kë është ai dhe partia e tij dhe të ndihmojë t’i zhbllokojë institucionet e drejtësisë, që me vite të tëra nuk i procedojnë procedurat penale të inicuara për malverzime të ndryshme financiare kundër z. Bejta. Qytetarët e Gostivarit dhe me gjerë janë të lodhur me makinacionet politike dhe aferat e shumta të Nevzat Bejtës, andaj e kanë vetëm një sihariq – atij i ka ardhur fundi.
Reagimi i komunës së Gostivarit:
Në një reagim publik, Shërbimi për Informim i Komunës së Gostivarit theksoi që “Lëvizja pa (Besa)” mesa duket nuk di të lexojë në gjuhën Shqipe.

Pas një provokimi fillestar e të dëshpëruar së mbështetësve të rinj në Maqedoni të Gruevskit, Shërbimi për Informim i Komunës së Gostivarit u dha shpjegim që në fjalinë e parë të një reagimi publik se kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta është krejtësisht kundër Nikolla Gruevskit.

Gjithashtu, në këtë prononcim u tha që në nivel vendor njerëzit nuk i shohim si anëtarë partish por si kuadro dhe mbi të gjitha si qytetarë.

Duke qenë kaq të qartë, pa(Besa) thotë se nuk u jemi përgjigjur. Prandaj, ftojmë këtë parti të fillojë kurse të gjuhës sonë Shqipe që të mund të lexojë e kuptojë më mirë herës tjetër.

Ka dy janë mundësitë: Ose nuk dinë të lexojnë shqip, ose i marrin urdhrat nga Gruevski për të sulmuar kundërshtarët e tij.
Lëvizja pa(Besa) nuk na shpjegoi ku i ka interesat që sulmon kundërshtarin më të zëshëm të Gruevskit.

Sa për kuadrot lokal, e ftojmë këtë subjekt politik që të formojë kuadro të mirë dhe ata mund të punësohen edhe në Gostivar. Por nëse janë shqiptarë, duhet të dinë dhe mbi të gjitha të kuptojnë gjuhën shqipe. (INA)

 

 

Comments

comments