‘Kërcënohet’ Driton Çaushi

0

Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, ka marrë mesazh kërcënues, përmes një mbishkrimi që i është lënë te dera e shtëpisë në Gjakovë.

Përçarja në Vetëvendosje, është thelluar, dhe kjo pas akuzave e linçimeve ka rezultuar edhe me dorëheqje të figurave të rëndësishme në parti, nga ana e grupit të atyre të pozicionuar kundër fushatës linçuese, e cila kishte filluar me deputeten Aida Dërguti.

Gazeta Metro, ka siguruar një fotografi ku shihet një mesazh linçues përmes një mbishkrimi që i është lënë te dera e shtëpisë deputetit gjakovar të Vetëvendosjes, Driton Çaushi.

Mbishkrimi ‘Mashtrues’, Gazeta Metro mësohet të jetë shkruar para derës së shtëpisë së Çaushit në Gjakovë.

Çaushi në gjithë këtë situatë me plotë akuza e linçime, sidomos ndaj atyre që po konsiderohen si grupimi anti-Kurti, kishte mbajtur pozicion neutral, të paktën sa i përket reagimeve publike.

Por, sot ai ishte parë në një kafiteri në Prishtinë, bashkë me ish’kryetarin Visar Ymeri, Aida Dërgutin, Faton Topallin dhe Shqipe Pantinën, e cila gjithashtu dha dorëheqje nga pozicionet udhëheqëse në Lëvizje. E kjo me gjasë duket të ketë qenë edhe arsyeja, që menjëherë të fillojë fushata linçuese edhe ndaj tij.

Të gjithë ata që po japin dorëheqje nga pozitat udhëheqëse në Lëvizje, si arsye po thonë të jetë pikërisht kjo fushatë linçuese.

Në anën tjetër, ish’kryetari Albin Kurti, rreth të cilit janë pozicionuar ata që po linçojnë të tjerët, përmes një reagimi sot, tha se u bënë thirrje të gjithëve që të rikthehen në pozitat e tyre, të fillojnë diskutimet për pajtim, e edhe t’i futen garës për kryetar.

Pavarësisht, që ai tha se nuk mban inat ndaj asnjërit prej tyre, ndryshe po veprojnë përkrahësit e tij, të cilët po linçojnë të gjithë ata që po marrin guximin të shprehin qëndrim ndryshe, rreth kësaj situate që tani pothuajse ka sjellë Lëvizjen Vetëvendosje në ndarje të pakthyeshme.

Image

Komentet

komentet