Kërkohet largimi i EULEX-it nga Kosova

0

Misioni Ndërkombëtar për Sundim të Ligjit, EULEX, në muajin shkurt i mbushë 10 vite të punës së tij në Kosovë, derisa në qershor të po këtij ky mision pritet që të përfundojë mandatin e tij. Politikanë dhe njohës të rrethanave politike e juridike në Kosovë, konsiderojnë se EULEX-it nuk duhet t`i zgjatet mandati më larg se sa deri në qershor kur edhe zyrtarisht e përmbyllë atë. Kjo, pasi ata konsiderojnë se ky mision nuk ka arritur t`i përmbushë pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës, sa i përket përmbushjes së obligimeve për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Shumë raste të rënda kriminale, të cilat aktualisht është duke i trajtuar EULEX-i, pas qershorit të këtij viti pritet të kalojnë në duar të organeve të drejtësisë vendore. Në qershor pritet të përfundojë mandati i këtij misioni.

Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut dhe marrjes së kompetencave nga ana e EULEX-it,  kishte një shpresë se ky mision do të jetë efikas në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, ky mision në vend se ti luftonte këto dukuri negative, u zhyt në afera të shumta korruptive.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe profile të ndryshme të subjekteve politike,  të cilët këtë mision e konsiderojnë si të dështuar dhe thonë se nuk duhet t`i zgjatet mandati.

Lidhur me këtë çështje, për Gazetën “Bota sot”, ka folur Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje,  Drita Millaku, ka thënë se nuk sheh ndonjë rezultat pozitiv të EULEX –it, përveç aferave korruptive që e kanë përcjell këtë mision.