Kjo është letra falënderuese e Berat Mustafës, djalit të dëshmorit Ismet Mustafa

Berat Mustafa, djali i dëshmorit të kombit, Ismet Mustafa, ka shkruar një letër falënderuese Këshillit Organizativ të turneut të dytë përkujtimor në futboll të vogël “Ismet Mustafa” në Çerkez të Kumanovës.

Vitet po kalonin dhe unë po rritesha. Çdo ditë që kalonte gjithnjë e më shumë e kuptoja se çka do të thotë të jesh djalë i një dëshmori, djalë i një ushtari, i cili e dha më të shtrenjtën për kombin e tij-jetën vetëm e vetëm që të sjell lirinë popullit të tij. Babai im sakrifikoi për vëllezërit dhe motrat e gjakut të tij, për trojet shqiptare, dhe kjo më nuk ishte dhimbje, por krenari.
Është e vështir të rritesh pa përkujdesjen e prindit, por krenaria për veprën heroike të tij ka plotësuar çdo zbrazëtirë që mund të përmbushte  një prind për djalin e tij.
Vitet e kaluara ishin brengosëse për mua, sepse askush nuk ndërmerrte qoftë edhe një veprim për të  rikujtuar veprën heroike të babait tim. Unë po rritesha duke i shikuar videot nga dy tubimet e vitit 2000 dhe 2003. Isha i vogël dhe nuk i mbaja mend se çfarë u tha dhe u veprua  në ato dy tubime.
Por, kjo situatë filloi të ndryshoj në dy vitet e kaluara, kur fillimisht grupi “Rreth Oxhakut” nxori këngën për veprën dhe jetën e babait tim. Ishte një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet, ndërsa kulmoi një vit më pas me organizimin e turneut të parë në futboll të vogël për nder të dëshmorit “Ismet Mustafa”.

Pa dyshim se çdo ditë, çdo aktivitet që gjatë hapjes së turneut dhe deri në përfundimin e tij më ka mbushur përplot me emocion dhe krenari, sepse unë tani më e kuptova thënien se: “Dëshmorët nuk vdesin, por vazhdojnë të jetojnë  deri sa të ketë diell që ngroh dhe hënë që ndriçon”.

Vënia e Pllakës Përkujtimore vendosi gjurmët e veprimtarisë së Dëshmorit, dhe tani më edhe fëmijët apo të rinjtë që nuk e kishin njohur më herët kishin rastin të lexojnë dhe mësojnë për veprën e Tij.
Muaji që kaloj ishte një histori në vete. Unë së bashku me familjen time vendosëm të bëjmë dasmën time pikërisht në ditët e rënies së dëshmorit dhe kishte simbolikën e vet, por për ta zbukuruar dhe për ta bërë sa më madhështore u përkujdesët ju të dashur dhe shumë të nderuar bashkëfshatar që organizuat dasmën publike e që ishte vërtetë kulmi i krenarisë që unë e kisha përjetuar ndonjëherë.

Ju nuk ndaluat këtu, por vazhduat duke më befasuar edhe me dhuratë të bukur e të vlefshme  gjatë ceremonisë së dasmës. Ju po vazhdoni të organizoni një turne te mrekullueshëm, ku bëni punë të madhe, por asnjëherë nuk lodheni dhe dorëzoheni dhe kjo vërtetë është për tu përshëndetur dhe falënderuar përzemërsisht.

Andaj në emrin tim dhe në emër të familjes Mustafa ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve të nderuar që ndatë më të mirën tuaj, kohën, ju që ndatë mjete materiale, ju që dhatë të mirat shpirtërore, idetë dhe gjithë pjesëmarrësit në turne, ekipet dhe futbollistët.
Ju falënderoj përzemërsisht që keni gjetur mënyrën më të mirë për të kujtuar dëshmorin e kombit-babin tim, Ismet Mustafa.
Tani më unë e kam të qartë se babai im nuk më ka lënë vetëm, por pas vetës më ka lënë një familje shumë të madhe që çdo kush do të kishte dëshirë ta kishte. Zoti ju shpërbleftë.
Me shumë respekt për ju Berati dhe familja Mustafa!

Comments

comments