Komisioni Evropian sot publikon raportin e progresit për Maqedoninë

0

Komisioni Evropian sot pritet të publikojë raportin e progresit për Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritetet qeveritare janë shprehur optimistë se raporti do të jetë pozitiv dhe i pakushtëzuar, informon INA.

Mediat vendore duke u thirrur në burime të Komisionit Evropian raportojnë se vendi  pritet të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Sipas informacioneve, raporti i Progresit për këtë vit, është njëri ndër më pozitivët që do të publikohet nga Brukseli. Në raport thuhet se dëmi që është bërë gjatë viteve të kaluara nuk mund të rregullohet brenda natës,  por Maqedonia e ka tejkaluar krizën e thellë dhe reformat strukturale janë proces i komplikuar që mund të zgjasë.

Kryeministri Zoran Zaev theksoi se pret një raport të pastërt si kristali me një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave. Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani pret që raporti i progresit të jetë rekomandim i pastër për fillimin e negociatave dhe të jetë më i miri deri më tani.

Maqedonia viteve të fundit kishte raporte me nota negative ku adresoheshin kritika në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe lirinë e shprehjes. Pas publikimit të raportit të ri, në Shkup është paralajmëruar vizita e përfaqësueses së lartë së lartë BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini dhe eurokomisarit Johannes Hahn. (INA)

 

Komentet

komentet