
BE miraton udhërrëfyesin për Kosovën
Bashkimi Evropian ka miratuar të mërkurën vendimin për dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave Kosovës. Lajmin e bën të ditur edicioni online i “RTK”, që citon zëvendëskryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi.
Sipas burimit, udhërrëfyesi do t’i dorëzohet nga mesi i qershorit ministres së Integrimit, Vlora Çitaku.
Vendimi i Brukselit vjen pak javë pasi kryeministri kosovar Hashim Thaçi kritikoi Bashkimin Europian, se politika e tij po tregohej e padrejtë ndaj përparimeve të Prishtinës.
Madje, kryeministri Thaçi tha se përderisa Kosova, që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e BE-së, kjo e fundit ka vepruar me hapa të ngadaltë.
“Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për MSA-në. Por e vërteta është se dinamikat në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen”, deklaroi Thaçi.
Nga ana tjetër, Thaçi rriti presionin mbi ministrat e kabinetit qeveritar për realizimin e axhendës që orienton Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Pas këtyre deklaratave raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek deklaroi se Kosova do ta merrte shumë shpejt udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj