
Ashton do “kompetenca të zgjeruara kushtetuese” për asociacionin
Lidershipi i Kosovës është përballur të enjten me propozimin e Brukselit zyrtar për mekanizmin ombrellë të komunave me shumicë serbe, i cili është menduar të mos jetë krejt i ngjashëm me një asociacion komunash që funksionon në vend prej më shumë se dhjetë vitesh. Megjithëkëtë, realizimi i modelit të prezantuar nuk do të imponojë ndryshime kushtetuese a ligjore.
I tillë prezantim është bërë nga vetë baronesha Catherine Ashton, e cila ka qëndruar në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të bindur palët që së shpejti të mbërrijnë një zgjidhje për veriun e vendit të banuar me serbë. Ajo nuk ka treguar nëse ka parë lëvizje qëndrimesh, gjatë vizitës së bërë të dyja vendeve. Mirëpo, për propozimin e Bashkimit Evropian karshi zgjidhjes, gazeta ka marrë vesh nga një prej pjesëmarrësve në një nga takimet që Ashton ka zhvilluar gjatë qëndrimit në Prishtinë.
“E reja ishte se Asociacionit të komunave serbe është menduar t’i njihet e drejta e propozuesit në raport me institucionet qendrore, duke përfshirë edhe të drejtën për propozimin e gjyqtarëve, prokurorëve, komandantit regjional të policisë për veriun, dhe për të gjitha pozitat e tjera kur kërkohet që emërimi të jetë nga radhët e komunitetit serb. E drejta e emërimeve prapë mbetet në organet qendrore”, ka thënë një burim i gazetës. “Baronesha nuk ka prezantuar një plan final, por ka dhënë shembuj se si, duke mbetur brenda kornizës ligjore, mundet që Asociacioni i komunave serbe të ketë fushëveprim më të gjerë sesa Asociacioni aktual i komunave të Kosovës, por edhe kompetenca shtesë”.
Ashton, që është përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, nuk ka pasur një adresim para medieve pas takimit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, vetëm ka treguar për përfaqësuesit politikë që ka takuar. Ka përmendur edhe temat rreth të cilave kanë folur.
“Kemi shqyrtuar përparimin e deritashëm në dialog dhe ka pasur një diskutim të hapur dhe të gjerë për një numër çështjesh”, thuhet në deklaratën për shtyp të Zyrës së kryediplomates evropiane. “Kemi folur në mënyrë të veçantë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe në lidhje me nevojën për të finalizuar diskutimet dhe për të arritur marrëveshje mbi çështje të hapura, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Zyrtarja e lartë evropiane ka rolin e lehtësuesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili realizohet në nivel kryeministrash. Kanë përfunduar gjashtë raunde të këtij dialogu, ndërsa BE-ja pret rezultat konkret në raundin e radhës që do të zhvillohet në Bruksel më 20 mars. Ashton ka shtuar përpjekjet që rezultatet konkrete të mbërrihen deri në gjysmën e prillit, kur do të raportojë para Komisionit Evropian për këtë proces dialogues. Mbi bazën e raportit, Komisioni do të vendosë nëse do të nisë negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe nëse do t’ia japë datën Serbisë për të nisur negociatat për anëtarësim në BE.
Kësisoj, synimi që BE-ja ka shprehur është që palët të mos dalin nga takimi i radhës pa një marrëveshje për veriun, e veçmas për mekanizmin ombrellë të komunave me shumicë serbe që Kosova këmbëngul të mos i japë kompetenca ekzekutive a legjislative, ndërsa Serbia e do të kundërtën.
Në një komunikatë për media që ka lëshuar Presidenca e Kosovës në kontekst të takimit të presidentes Jahjaga me baroneshën Ashton, thuhet se zyrtarja evropiane ka theksuar rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe ka vlerësuar konstruktivitetin e palëve në këtë proces. (KD/INA)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj