Kumanovari që ra dëshmor në Betejën e Kosharës (Foto)

Me rastin e 18 vjetorit të Betejes së Kosharës, agjencia e lajmeve INA kujton ushtarin e lirisë nga Kumanova, Ismet Mustafa, i  cili ra heroikisht më 17 prill të vitit 1999, në luftën për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.

Ismet Mustafa rrjedh prej një familje të varfër, por shumë bujare dhe me tradita patriotike. Babai i tij kishte tre djem, Ahmetin, Ismetin, Sametin dhe një vajzë, Feriden, të cilët i rriti duke punuar punë mjaft të rënda , njofton agjencia e lajmeve INA.

Frymëzim i madh i Ismetit ishte edhe vepra e heroit kombëtar dhe Komandantit legjendar Ismet Jashari-Kumanova, i cili në vitin 1998 në Kleçkë të Drenicës kishte rënë dëshmorë. Ai ishte një idil për shumë të rinj e të reja të Kumanovës dhe rrethinës së saj, se si duhet luftuar kundër armikut. Vepra e tij kishte ndikuar shumë edhe te Ismet Mustafa.

Ismet Mustafa merrë rrugë të mundimshme, së pari futet në Shqipëri, për t’iu bashkuar Brigadës “138 Agim Ramadani”. Ai së bashku me shumë shokë tjerë zhvillojnë përgatitjet e duhura ushtarake dhe luftarake dhe më pastaj hyjnë në front kundër armikut. Alpet Shqiptare dhe rrugët e thepisura nëpër të cilat kalonte nuk paraqitshin ndonjë vështirësi, edhe pse Ismeti kishte jetuar në një ambient të rrafshët dhe krejt tjetër. Por, dashuria ndaj atdheut dhe lirisë së saj e bënin granit dhe kurrë nuk dinte të lodhej. Ai kishte një moral të fortë dhe shpesh gjatë ndonjë problemi në front dinte t’ia thoshte edhe këngës. Ai nuk dinte të kthehej mbrapa, vullneti dhe dëshira për të hyrë në tokën e Kosovës për të zhvilluar beteja me armikun ishte e madhe. Dëshira e tij e madhe ishte që armikut t’i shkaktohet dëm i madh. Ai bashkë me shumë shokë tjerë të lirisë mori pjesë nëpër beteja të ndryshme që zhvilloheshin për rreth kufirit shqiptaro-shqiptar. Pas çdo fitore shtohej gëzimi dhe krenaria e tij për luftën e lavdishme të UÇK-së, kësaj ushtrie të lavdishme, e cila po luftonte me një armik më të fortë, por edhe shumë barbar.

Ëndrra e tij e madhe ishte liria e Kosovës, por edhe bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, mirëpo më 17 prill 1999 gjatë betejës së Koshares në Rrafshit të Dukagjinit, kjo ëndërr ishte shkëputur. Ai në betejë ballë për ballë me armikun kishte rënë heroikisht, duke ujitur këtë tokë edhe me një pikë gjaku më shumë. Trupi i tij i ri ra në altarin e lirisë, por ai mbeti përgjithmonë i pavdekshëm, sepse vepra e tij do të jetë mësim për gjeneratat e ardhshme. Tani, trupi i tij prehet në varrezat e fshatit Çerkez të Kumanovës. (INA)

ismet_mustafa_brigada_138_agim_ramadani

hqdefault

Comments

comments