Kur i mallkuari uron Pashkët!

Shpend Bajrami

Hipokriti nuk mund të jetë besimtar, katili nuk mund të jetë paqësor, diktatori nuk mund të jetë demokrat, i mallkuari nuk mund të jetë i bekuar, ai që s’ka liri shpirtërore nuk mund të lirojë të tjerët! I tillë është Nikolla Gruevski që i mbanë në robëri shqiptarët e Maqedonisë.

Pashkë festuam! Porosi, urime, bekime, mesazhe dashurie, dëgjuam sot pa fund, nga klerikët ortodoks e katolikë, nga politikanët, nga liderë partiak, analistë e qytetarë… Mesazh urimi, çuditërisht, dëgjuam edhe nga Nikolla Gruevski dhe klika partiake e tij! Uroi e bekoi kombin e tij, uroi e bekoi Maqedoninë e maqedonasit, njerëzimin në përgjithësi! U lut për paqe dhe shpëtim, për dashuri mes njerëzve, për dashuri dhe qetësi në Maqedoni!

U lut dhe bekoi sot i mallkuari, katili! Harroi se, dje ishte në protestë, dje mallkonte gjuhën shqipe, mallkonte shqiptarët, lutej për vdekjen e shqiptarëve, përcillte mesazhe urrejtjeje, kërkonte të mos mbetet shqiptar i gjallë në tokë, mallkonte edhe bashkëkombësit e tij që radhitën pas LSDM-së (jo se vërtetë duan të bashkëjetojnë në paqe dhe në barazi me shqiptarët, por thjeshtë për ta shpëtuar Maqedoninë nga politika millosheviçiane e Grujevskit), mallkonte perëndimorët dhe politikën amerikane, mallkonte ambasadorin amerikan.

Dje për të 50 – ën ditë ndoshta protestonte, mallkonte, urrente, ndërsa sot si një i krishterë “i mirë”, si një “besimtar” i fortë ortodoks uron e bekon, na porosit për më shumë dashuri! Por ama, vetëm sot bekon e uron “besimtari ortodoks” Nikolla dhe VMRO, nesër sigurisht do të kthehet në protestë, në gjuhën e urrejtjes, në gjuhën e mallkimit! Nesër do të zhveshë petkun e besimtarit dhe do të veshë atë të “patriotit” të madh maqedonas, do të harrojë se ç’thotë Dhjata e vjetër (kur Moisiu shpëtoi popullin e izraelit nga Faraoni, i çliroi fizikisht nga ai mu në një ditë si kjo që sot festohet si pashkë – kalim, nga robëria në liri!)

Nesër do të harrojë pashkën e të krishterëve, kur Jezusi çliroi njerëzimin nga robëria e mëkatit mu në një ditë si kjo kur mundi vdekjen dhe shpëtoi njerëzimin, i liroi nga robëria, dhe sot e festojmë si pashkë – kalim nga robëria e mëkatit, çliroi shpirtërisht njerëzimin! Po ky krishterë i fortë, “besimtar i madh” i rrugës së dashurisë së Jezusit pse kërkon të kthehet në një Faraon, në një mëkatar, në një “vdekje” që kërcënon shqiptarët, i mban peng, ua ndalon gjuhën me ligj, i mallkon, i urren?!!

Pse nuk mendon se ka një shpëtimtar për çdo popull siç ishte Moisiu për popullin e Izraelit (Dhjata e vjetër), apo Jezusi për njerëzimin (Dhjata e re)?!! Hipokriti nuk mund të jetë besimtar, katili nuk mund të jetë paqësor, diktatori nuk mund të jetë demokrat, i mallkuari nuk mund të jetë i bekuar, ai që s’ka liri shpirtërore nuk mund të lirojë të tjerët! Dënimi i Zotit do të ndodhë mbi të mallkuarin patjetër ashtu siç ndodhi me Faraonin mijëra vjet më parë! Gjuha shqipe do të jetojë, do të flitet e do të shkruhet, do të lexohet, për shkak se Zoti e ka bekuar! Me dashuri, Shqip, për të gjithë njerëzimin! Gëzuar pashkët!

Comments

comments