“Kur unë ndërroj fiqir dhe bajrak!”

0

Nga Fadil LUSHI/

Miku im! Para se ta ftilloja shkrimin e radhës iu betova motrës sime nga Dardanelet se në “shkarravinën” e radhës do t’u shmangem paralelizmave, shprehjeve denigruese, fjalëve të huaja si dhe “temsileve”, pavarësisht se ajo nuk u “beson llafeve” të mia, as në  “sabah” e as në “aksham”. Në parim ajo ka të drejtë, sepse unë herë pas here di ta “gënjej”, ashtu njësoj siç këtë di ta bëjë “mashtruesi çerek intelektual”. Ajo e di fare mirë se unë jam prej mishi, gjaku dhe prej kockash dhe se jam e “vërteta e saj dhe imja”, thjesht jam një vëlla “i vogël me fytyrë prej karagjozi” dhe kurrgjë tjetër. Të gjitha këto desha t’i nxjerr këtu, ngase shkrimi paraprak më solli një “mal me telashe” dhe një “lumë me qortime”, pikërisht nga motra e madhe. Ç’është e vërteta, unë prisja që ajo të më uronte a të më thoshte së paku një “aferim”, apo atë dëshirën e mirë: Ma gëzofsh mundin! Lëre që nuk e bëri këtë, por edhe më tha: “Dëgjo vëllaçko! Nëse ti do vazhdosh të bësh ironinë a sarkazmin, nëse orë e çast do të ndërrosh mendje dhe bajrak, dije se shkrimet, opinionet, por thuaj edhe vështrimet, gjithmonë do të dalin ters, me qeder e me hata…, ti që hiqesh paksa mendjemadh e pak i hollë e i mprehtë nga fiqiri, më duhet të të them se shkarravinën paraprake e kishe si xhami i krisur, këmbë e krye njësoj si punët e tua, njësoj si puna e atij bujkut që dikur e kishte mbjellë arën e tij me manaferra duke harruar se ato bimë kacavarëse plot gjemba një ditë do të shtrihen në arën e fqinjit, njësoj si puna e atij skraparlliut nga vakti i mbretit Ahmet Zogolli, i cili kishte vajtur në Vlorë me nijetin që ta çlirojë kasabanë e beut Ismail, e më pas, rastësisht e pa hir, kishte pushtuar shehrin e gjirokastritëve tamahqarë dhe, së fundi, do t’u përngjash pasardhësve të gjysh haxhibabës!”. Meqenëse u gjenda “ngushtë” a në një situatë të “palakmueshme”, edhe përtej “inatit” tim, i kërkova shpjegime shtesë në veçanti për meselenë, ku kryeprotagonist qenkësh gjysh haxhibaba nga një lagje e qytetit të vjetër të Tetovës. Ma ktheu me një “shikim të akullt”: “O qerrata, ti që edhe pas gjashtë dekadash, hiqesh si çapkëni i fisit dhe që njëkohësisht konsiderohesh si më i dashuri, më i shtrenjti a edhe si loçka e nënëlokes sonë, ty që të kanë dalë mendtë mbi kokë, vazhdoje dhe bëje vetë historinë e punëve tua, të skraparlliut, atë të gjysh haxhibabës si dhe meseletë e tjera që janë pjellë e imagjinatës sate!”. Eh, seç më zuri “belaja!”

Kur mendova se përfundoi me “insistimet e saj karshi mos-ndërrim-mendjes” sime, ia ktheva: Zemra, a nuk ma zaptove shkrimin! Në mungesë të “pohimit të saj të vonuar”, ajo ma ktheu: “Shkrimit tënd, shtoja edhe paragrafin të cilin sot e gjithë ditën e Perëndisë e kam ndër-  mend…, dikur moti, pluralistët shqiptarë të një partie, pas 16 vjet papunësie, të sistemuan në një punë pranë një institucioni shtetëror, si alamet këshilltari! Asokohe, babai ynë e kishte pyetur gruan e tij gjegjësisht nënën tonë mendjefemër: Pa më thuaj, moj grua, ç’punë do bëjë ky çuni i nënës prej jorgani!” Meqenëse ajo nënëloke nuk kishte haber për nocionin këshilltar, po që edhe nuk ndërronte mendjen, ishte përgjigjur: “Fillimisht ky nuk është çun prej jorgani. Ky djali ynë, do t’u japë mend njerëzve! Ehe, moj grua, ai nuk ka mend për vete e lëre më t’u japë të tjerëve!” Duke qenë i ndërgjegjshëm se motra e humanizoi këtë mesele, thashë: hë, ti vëllaçko i “mbarë, a prapë do ta “gënjesh” motrën e madhe. Gjysh haxhibaba është një shembull i mirë, human dhe emancipues se si nuk duhet të ndërrosh fiqir, lëkurë dhe bajrak. Axhaminjtë e një familjeje aristokrate kishin ardhur në një përfundim denigrues. Kishin vendosur që “gjysh haxhibabës”, detyrimisht t’i merren të gjitha “kompetencat” e të qenit kryepar i familjes. Dhe, kur “gjysh haxhibaba” parashtroi pyetjen “se me ç’sebep e bëni këtë”, ata ia kthyen përgjigjen: “Ne kemi njëmijë e një arsye që të mos të besojmë më, sepse ti nuk i bën punët ashtu si duhet…, sepse ti ke filluar të rrjedhësh nga fiqiri, sepse ti këto punët tona i bën lëmsh, sepse ti gjysh haxhibaba ynë je shndërruar në një portë prej aksham pazari, në një llafazan dhe thashethemexhi, sepse ty s’të mban më pragu i shtëpisë, sepse ti nuk mban dot të fshehtat tona, sepse ti nuk je i gatshëm të ndërrosh mendje, sepse ti nuk ke rroba dhe llafe allafrënga”, e të tjerë “pordhë” arsye të parashtruara nga këta “namqorë dhe edepsëza axhaminj!” Këtë e kishte kundërshtuar me të drejtë gjyshi mendjendritur, duke thënë: “Unë nuk jam si telekomanda e televizorit, që kur e shtyp atë dhe hop të del karshi goca gjysmëlakuriqe dhe po nuk deshe ta shikosh atë, atëherë prapë e shtyp atë, për të ndërruar kanalin, dhe hop të del para politikani  (që nuk i ka punët në terezi) me presh në dorë. Nëse vazhdoni të ndërroni mendje, dini se një ditë do të ndërroni identitetin, do të ndërroni, parti e bajrak, ndoshta edhe do ta paragjykoni edhe nënën që ju ka sjellë në këtë dynja!” I gjithë ky veprim i tyre ishte i dobët, i ulët dhe skajshmërisht i shëmtuar aq sa nuk mund t’ia japësh “mananë kësaj vakie”, një vaki që i përngjan punës së gjitarëve që bëjnë nevojën nga poshtë, gjithandej ku lëvizin lirshëm. Ky muhabet kalamajsh kryeplakut të shtëpisë sikur ia solli shpirtin ndër dhëmbë. Qe detyruar ta lakojë atë shprehjen e vjetër proverbiale: “Derisa isha i ri, nuk guxoja të flisja para pleqve, kurse tani, si u plaka, nuk marr guximin të llafos para të rinjve!”

Pikërisht po këta pasardhës të haxhibabës, pas shumë vitesh, kishin nxjerrë përfundimin se gjyshi kishte pasur të drejtë që ishte shqetësuar për mungesën e kryeparit të familjes, i cili nuk ndërron fiqir e bajrak, për një kryeplak i cili do t’i pleqërojë punët dhe hallet e axhaminjve.

  1. S.

Miku! Unë bëra shkrimin. Nuk ndërrova mendjen…, qoftë ajo sado e trashë!

Komentet

komentet