Kur VMRO-DPMNE propozonte ndarjen e Maqedonisë (dëshmi)

Kur VMRO-DPMNE propozonte ndarjen e Maqedonisë (dëshmi)

Politikanë e analistë të afërt me pushtetin akuzojnë kundërshtarin e tyre të përbetuar, Zoran Zaev, se me pranimin e platformës shqiptare po i hap dyert ndarjes etnike të Maqedonisë.

Po cila është e vërteta në këtë mes? A po e shtyjnë përpara partitë shqiptare një plan të mirë-menduar për ndarje?

Portali konica.al sjell një fragment interesant të gazetarit, John Phillips që kishte ndjekur për së afërmi ngjarjet e vitit 2001, kur flakët e luftës kishin përfshirë një pjesë të Maqedonisë.

Në librin e tij “Maqedonia: zotërit e luftës dhe kryengritësit e Ballkanit”, ky gazetar trajton një moment të papritur nga fronti i luftës: në kohën kur armata e Maqedonisë po pësonte humbje pas humbje nga kryengritësit e UÇK-së, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë doli me propozim për ndarjen e vendit, përkatësisht për cedimin e pjesëve të banuara me shqiptarë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Ky projekt, që parashihte edhe shkëmbim territoresh e popullatash, pati përkrahjen e ish-kryeministrit të asokohshëm nga radhët e VMRO-DPMNE, Lupçe Georgievski. Në vijim po lëmë gazetarin, John Phillips të tregojë shtjellën e ngjarjeve:

“Dora e Georgievskit mund të hetohej, sipas një analisti, edhe në zbulimin për shtyp të një plani për ndarjen e Maqedonisë përgjatë vijave etnike duke i ndajmbathur territor Shqipërisë ose Kosovës. Thuhej se plani ishte përgatitur nga Gjorgji Efremov, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, elita e respektuar intelektuale e vendit. Efremov në vazhdimësi ka mohuar se ka gisht në përgatitjen e tij.

Burime politike në Shkup besojnë se është më e gjasshme që një tjetër anëtar i Akademisë, Blaze Ristovski, e ka përgatitur planin. Partitë opozitare maqedonase kanë pretenduar gjatë kohë se kryeministri dhe VMRO-DPME po kërkonin edhe ndarjen e Maqedonisë edhe lidhje më të afërta me Bullgarinë.

Sipas shestimit, qytetet me shumicë shqiptare të popullsisë si Tetova, Gostivari dhe Dibra do të ‘tregtoheshin’ me territore në lindje ose jug-lindje të Shqipërisë, me gjasmë me shumicë sllave të popullsisë afër liqeneve të Ohrit dhe Prespës, përfshirë qytetin e Pogradecit dhe Prespën e Vogël. Akademikët këshillonin që shqiptarët etnikë që jetonin në rrethin e Kumanovës duhej të zhvendoseshin në territorin që ata propozonin t’i cedohej Shqipërisë bashkë me shqiptarë të tjerë nga Shkupi, Velesi, Manastiri dhe Kërçova. Njësoj, edhe maqedonasit sllavë do të linin Tetovën dhe viset e tjera që do të cedoheshin në Shqipëri. Shkëmbimi duhej të përfundohej paqësisht brenda tre muajsh, sipas deklaratës së Akademisë të cituar nga gazeta pro-qeveritare Nova Makedonija:

“Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për shkak se maqedonasit dhe shqiptarët janë etnikisht kaq të ndryshëm sa nuk mund të jetojnë tok…Të krishterët ortodoksë dhe myslimanët kanë fe dhe zakone të ndryshme. Ne kemi punuar ndër vite për të krijuar besim mes tyre. Por gjithçka e arritur është shkatërruar brenda pak javëve të luftimeve që filluan në Tetovë”.

(Shkëputur nga “Macedonia, Warlords & Rebels In the Balkans”, 2004, f. 123)