Kurthi i përplasjeve ndërfetare, diversion armiqësor kundër shqiptarëve

Nga Abdulla Mehmeti/

(Shërbimet e huaja sekrete i godasin shqiptarët përmes grupeve ekstremiste ,,islame” dhe të ,,krishtera”, të organizuara, financuara dhe nxitura prej tyre)

Freskimi i kujtesës nga diplomati i shquar Shaban Murati, njohës i shkëlqyer i politikave ballkanike dhe i marrëdhënieve shqiptare-serbe, na përkujton dhe njëherësh na paralajmëron për aktivitetet e shërbimeve serbe kundër shqiptarëve, të ndërmarra mbi këtë bazë edhe në ditët e sotme:

“Doni të shkatërroni shqiptarët? Vrisni një katolik dhe më pas akuzoni një mysliman. Shteti shqiptar është lehtësisht i mundshëm të shkatërrohet, nëse ekziston vullneti te shërbimet sekrete serbe. Nuk është vështirë të grinden shqiptarët ndërmjet tyre, Toskët dhe Gegët, të krishterë dhe myslimanë. Në linja fisnore dhe fetare lehtë mund të shkatërrohet shteti shqiptar.” (Dejan Luçiç, publicist i shërbimeve sekrete serbe, janar 2017)

Dhe, jo vetëm për ,,shkatërrimin” e shqiptarëve, por edhe për nxitjen e konflikteve mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, siç ishte rasti i vrasjes së 5 të rinjëve maqedonas afër Liqenit të Smilkovës (pjesëtarë të besimit ortodoks), që ishte vepër e shërbimit serb dhe iu mëvesh një grupi të sajuar ,,shqiptarë muslimanë” më pas për të konstruktuar rastin e ashtuquajtur ,,Monstra”.

Nuk ka ndodhur kurrë përgjatë historisë në këto hapësira që shqiptarët, opo edhe besimtarët e etnive të tjera, të vrasin pjesëtarë të popujve fqinjë për motive fetare.

Konstruktimi i këtij rasti nga shërbimet serkrete serbe, me ndihmën edhe të pjesëtarëve të saj në Maqedoni, jo rastësisht e zgjodhën vendin, njerëzit dhe kohën, me qëllim të nxitjes së konfliktit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, një natë përpara festës më të madhe ortodokse, dhe të nesërmen i nxitën hordhitë kriminale të kontrolluara nga këto shërbime për represalje kundër shqiptarëve.

Përgatitja e këtij skenari në kryeqytetin e vendit, Shkup, në ditë feste ortodokse, me të akuzuar një grup shqiptarësh muslimanë, në një territor ku ndahen në vija të trasha vendbanimet e pastërta etnike shqiptare me vendbanimet maqedonase në rrethinat e Shkupit, flet mjaftë për këto skenare të shërbimeve sekrete serbe.

Shqiptarët në Maqedoni me të drejtë kanë kërkuar ndriçimin e plotë të këtij rasti, i cili pritet të rishqyrtohet në detaje nga pushteti i ri në Maqedoni, në bazë të materialeve nga përgjimet e papublikuara.

Po këto skenarë janë shfaqur ditëve të fundit edhe në Tiranë, në ditë feste (falja e namazit të Bajramit të kurbanit në sheshin e Tiranës), duke pasur si pretekst figurën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, për t’i konfrontuar shqiptarët në baza fetare, të nxitur nga grupet e përgatitura dhe financuara nga më herët, të ,,ekstremistëve islamikë” dhe ,,ektsremistëve të krishterë”, të kontrolluara nga shërbimet sekrete serbe, greke dhe ruse. Ndiqni disa deklarata gjatë ditëve të fundit, me përmbajtje raciste dhe antikombëtare, nga të gjitha palët e përfshira në debat dhe do të bindeni për këto skenarë!

Forcat e shëndosha atdhetare ndër shqiptarët duhet të jenë të përgjegjshme për situatën, ndërsa organet e pushtetit duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, para se armiqtë e kombit shqiptar të nxjerrin përfitime nga këto raste të sajuara me ndihmën e shërbimeve sekrete të tyre, me skenarë të përgatitur gjatë kohë më parë.

(9 shtator 2017)

Comments

comments