Kush ishin funksionarët e Tetovës më 1944

Nga Ismail Arsllani/

 Vetëm 14 ditë pas hyrjes së aradheve partizane në Tetovë /më 19 nëntor 1944/, më 3 dhjetor 1944, në Tetovë mbahet Konferenca zgjedhore për konstituimin e Këshillit të parë të Tetovës pas Luftës së Dytë Botërore. Partizanët komunistë, të cilët ftuan shqiptarët për çlirimin e vendit nga fashizmi, ku shumë të rinj shqiptarë ranë viktimë në frontin e Sremit, si dhe u pushkatuan pa kurrfarë faji mijëra të tjerë në Tivar dhe në vise të tjera, gjithnjë duke proklamuar drejtësi dhe barabarësi mes popujve, por ndonëse kishin garantuar barazinë me shqiptarët, kjo barazi ishte kuptuar vetëm përmes diktatit të nënshtrimit dhe të diskriminimit. Në Tetovë, bie fjala, ku mbi 70 për qind e popullatës pas lufte ishin shqiptarë, ndërsa vetëm 20 për qind maqedonas dhe 10 për qind të tjerë, komunistët partizanë që propagandonin me të madhe drejtësinë, nuk e panë të arsyeshme të zgjedhin shqiptarë në postet kryesore, në një komunë ku shqiptarët ishin shumicë. Pos në strukturën e Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, ku raporti ishte 50:50 /në pjesën e shqiptarëve ishin edhe turqit e të tjerët/, në nivelet e tjera të pushtetit dhe të administratës, shqiptarët përfaqësoheshin formalisht.

Procesverbali që ishte protokolluar me numrin 1

 Konferenca konstituive, më 3 dhjetor 1944, kishte zgjedhur 30 anëtarë të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, prej gjithsej 50 sish, sa ishin të deleguar nga konferencat lokale, prej të cilëve 15 ishin shqiptarë e turq. Kështu, Konferenca Nacional-Çlirimtare e sapo formuar kishte zgjedhur kryetarin dhe sekretarin nga radhët e maqedonasve, ndërsa nuk ishte parë e udhës që të zgjidhej asnjë shqiptar.

Ky Këshill Nacional-Çlirimtar i Tetovës prej 30 anëtarësh të zgjedhur nga Konferenca, prej të cilëve gjysma ishin shqiptarë e turq, kishte zgjedhur Këshillin Ekzekutiv prej 12 anëtarësh, që kishte kompetencat e pushtetit në nivel lokal. Kryetari ishte zgjedhur maqedonas, nënkryetari shqiptar /Osman Tetova/, sekretari maqedonas dhe nënsekretari shqiptar /Abduraman Tresi/. Edhe në postet e kryeshefave, maqedonasit mbizotëronin. Prej tetë sektorëve, 5 kryeshefa ishin maqedonas, kurse vetëm 3 shqiptarë.

Nga konstituimi i Këshillit të parë Nacional-Çlirimtar të Tetovës është ruajtur një procesverbal në dorëshkrim, ku jepen të dhëna autentike për rrjedhën e konferencës së parë zgjedhore të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 1944 në ndërtesën e Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, ende pa shëruar plagët e krimeve të luftës që ishin bërë ndaj shqiptarëve të pafajshëm e të pambrojtur, sidomos me gjenocidin e paparë që ishte ushtruar në ndërtesën e Monopolit të duhanit në Tetovë, ku në ditën e parë të ardhjes së aradheve partizane në këtë qytet shqiptar, ishin burgosur meshkujt e moshës madhore që kapte shifrën prej mbi 15 mijë sish, ndërsa asnjëherë nuk u mor vesh për numrin e personave të likuiduar.

Procesverbali nga kjo mbledhje konstituive ishte mbajtur në dorëshkrim dhe ishte protokolluar me numrin 1. Sipas këtij procesverbali, në përbërjen e Këshillit Nacional-Çlirimtar prej 30 anëtarësh ishin zgjedhur këta persona: Ilija Stojçevski, Marko Gjorgjevski, Viktor Lallevski, Spaso Gavrovski, Kiril Nikifor Voçevski, Dushan Fidanovski, Ahmet Punasheci, Xhabir Kazazi, Mehmet Palloshi,  Kosto Todorovski, Llazo Kërstovski, Sanka Todorovski, Mehmet Jumni, Zija Dauti, Mehmet Abdulla, Sulejman H. Ahmeti, Tripun Zllatanovski, Sllave Gavrovski, Kërsto Spirovski, Kërsto Xhardevski, Osman Arsllani, Abduraman Tresi, Alush Xhabir, Efraim Useini, Risto Georgevski, Dr. Pavle Zhitkov, Zujdi Rashit, Ismailaki Jonuzi,  Osman Tetova dhe Zija Shaqiri.

Ky plenum kishte zgjodhur 12 anëtarë, për të formuar Këshillin Ekzekutiv, si pushtet ekzekutiv: kryetar Ilija Stojçevski, nënkryetar Osman Tetova, sekretar Kiril Nikiforov Voçevski, nënsekretar Abduraman Tresi. Ndërsa në sektorë të Këshillit Ekzekutiv ishin zgjedhur: kryeshef i Sektorit drejtues, Viktor Lalevski; i Sektorit ekonomik, Amet Punasheci; i Sektorit gjyqësor, Sllavko Gavrovski; i Sektorit teknik, Spaso Gavrovski; i Sektorit për njoftime, Alush Xhabir; i Sektorit për arsim, Risto Georgievski; i Sektorit për shëndetësi, Dr. Pavle Zhitkov; i Sektorit për përkujdesje sociale dhe ushqim, Osman Arsllani.

Konferenca zgjedhore kishte përfunduar me duartrokitje dhe brohoritje për Mareshalin Tito, si udhëheqës i Federatës së Jugosllavisë së re dhe Frontit Nacional-Çlirimtar të Maqedonisë. Kështu, komuna e Tetovës me shumicë shqiptare, e cila në periudhën 1941-1944 ishte nën administrimin e Shtetit shqiptar, pas ardhjes së pushtetit komunist hyri në një fazë të errët të jetës dhe zhvillimit të vet.

Emrat e të gjithë kryetarëve të Tetovës

Tetova, e cila gjatë gjithë historisë së saj ka qenë me shumicë shqiptare në strukturën e popullatës, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së pushtetit popullor në Republikën Popullore të Maqedonisë, e deri në vitin 2017, ka zgjedhur 27 kryetarë të komunës. Gjatë sistemit komunist 1944-1991, në këtë qytet vetëm dy herë është zgjedhur kryetari shqiptar (Isa Selmani dhe Efraim Hyseini). Ndërsa, pas vendosjes së demokracisë dhe sistemit shumëpartiak, kur populli filloi të votojë në zgjedhje të lira shumëpartiake (1991-2017), Tetova dhe qytetarët e saj kanë zgjedhur 7 kryetarë shqiptarë (një femër), kurse vetëm në fillim të tranzicionit një kryetar administrues maqedonas i emëruar nga Qeveria e Maqedonisë. Një listë i të gjithë kryetarëve të komunës së Tetovës ka përpiluar publicisti Darko Gavrovski.

Në sistemin njëpartiak 1944-1991, janë zgjedhur këta kryetarë të komunës së Tetovës: Ilija Stojçeski, Isa Selmani, Veselin Pandillovski, Efraim Hyseini, Aleksandar Martinovski, Spiro Spirkovski, Zhivka Otunjska, Stojan Gjorçeski, Metodija Ristovski, Dr. Sllavko Millosavlevski, Koço Tulevski, Kostadin Mihajllovski /1965-1968/, Koço Tulevski /1968-1972/, Koço Tulevski /1972-1975/, Lubomir Trajkoski /12.12.1975-13.04.1982/, Mellko Antevski  /1982-1984/, Stevica Bozhinovski /1984-1986/ dhe Petko Dabevski  /prill 1986 – shkurt 1991/.

Ndërkaq, në sistemin shumëpartiak, prej vitit 1991 deri më 2017, janë zgjedhur këta kryetarë të komunës së Tetovës: Borçe Treneski  /shkurt 1991 – nëntor 1991, shkupjan, i emëruar nga Qeveria e RM, për shkak të problemeve fillestare të sistemit shumëpartiak, pas zgjedhjes së kryetarit të parë shqiptar, Shaqir Aliti nga PPD, të cilin nuk e pranonte pala maqedonase. Ishte emëruar deri në zgjidhjen e problemeve me pranim-dorëzimin e postit/, Shaqir Aliti  /nëntor 1991 – shkurt 1997/, Alajdin Demiri /shkurt 1997 – korrik 1997/, Ismailhaki Emurllai /korrik 1997 – mars 1999/, Murtezan Ismaili /mars 1999 – prill 2000/, Murtezan Ismaili /prill 2000 – prill 2005/, Hazbi Lika /prill 2005 – prill 2009/, Sadi Bexheti /prill 2009 – prill 2013/, Teuta Arifi /prill 2013 – prill 2017, mandati u shty për 15 tetor 2017/. (INA)

 

 

Comments

comments