Kush janë në lojë për të marrë lidershipin e Lëvizjes BESA?

Pas shpalljes së dates për mbajtjen e Kongresit të pare partiak, në Lëvizjen BESA kanë filluar debate dhe beteja të brendshme politike se kush do të marrë fronin për drejtimin e kësaj partie.

Burime partiake brenda saj theksojnë për INA se janë disa grupime që synojnë që kandidati i tyre të marrë timonin e kësaj partie. “Ka shumë kandidatë serioz dhe kjo është për të mire, sepse kemi figura tashmë të proklamuara në politikë. Së shpejti do të bëhen propozimet e kandidatëve dhe në lojë pritet të jenë disa emra”, theksoi për INA një përfaqësues i lartë i kësaj partie.

Siç mësohet kandidatë më serioz për të marrë drejtimin e kësaj partie janë nga dega e Çairit dhe ajo e Tetovës. Kjo pranohet edhe brenda radhëve të kësaj partie, duke thënë se këto dy degë të fuqishme do të mund të jenë konkurrente të forta se kush do të drejtoj Lëvizjen BESA.

Në lojë mbetet lideri i deritanishëm Bilall Kasami, i cili edhe përkundër humbjes në zgjedhjet lokale, ai do të thirret në votat e fituara, që në raundin e dytë ishin shumë optimiste. Ai do të nominohet sërish nga dega e Tetovës, por i përkrahur edhe nga degët përreth në Pollog. Në degët e Shkupit, gjegjësisht Çairit, kandidatë serioz janë: Zekirija Ibrahimi, Skender Rexhepi- Zejd por nuk përjashtohet edhe ndonjë figurë tjetër.

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, të mbajtur muajin e kaluar Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA diskutoi për zgjedhjet e brendshme në Lëvizje dhe për organizimin e Kongresit të Lëvizjes. Pastaj në mënyrë unanime u vendos që, pas realizmit të zgjedhjeve të brendshme, Kongresi i Parë i Lëvizjes BESA të mbahet më 24 shkurt të vitit 2018.

Me këtë rast anëtarët e Këshillit Qendror bënë edhe vlerësimin e punës së deritanishme të Lëvizjes BESA në skenën politike, duke dhënë vlerësimin se ardhja e Besës në skenë e ka rimodeluar arenën politike në Maqedoni, veçmas në kampin politik shqiptar, duke u bërë partia e parë shqiptare që ka vendosur parime të fuqishme politike dhe moral të ri politik, mbi të cilat e ka zhvilluar politikën e saj.

Në këtë kontekst u theksua se Besa është partia e parë shqiptare në historinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë që, për shkaqe parimore dhe duke u qëndruar besnike premtimeve ndaj elektoratit të saj, vendosi të mos bëhet pjesë e qeverisë, ndonëse ka pasur ofertë të hapur, duke vendosur kështu standarde të reja të politikëbërjes shqiptare në këtë shtet.(INA)

Comments

comments