Ky është trajneri i ri i Argjentinës

Ky është trajneri i ri i Argjentinës

Mungonte vetëm deklarata e tij, e cila erdhi sot në konferencë për shtyp. Jorge Sampaoli do të jetë trajneri i ardhshëm i Argjentinës. Në këtë mënyrë ai kthehet në krye të një përfaqësuese, pasi më parë ka fituar dy herë Kupën e Amerikës me Kilin, por për të qenë i lirë duhet më parë të largohet nga Sevilla, klub me të cilin arriti vendin e katërt në La Liga.

“Nuk po largohem nga Sevilla për të drejtuar një klub tjetër, – tha ai, – por po largohem për të drejtuar kombin tim. Eshtë një detyrim ndaj vendit tim, që në këtë moment ka nevojë që një trajner argjentinas ta çojë në Kupën e Botës. Gjithmonë më ka pëlqyer projekti i Sevilla dhe do të kishim luftuar për titullin në sezonin e ardhshëm, por kombëtarja e Argjentinës është një mundësi që nuk mund ta refuzoj.”

“Sivjet kemi luftuar me tre klube të mëdha, – shtoi Sampaoli. – Dolëm nga Champions League sepse gabuam dy penallti dhe patëm mesataren e shënimit në këtë veprimtari 1.7 gola për ndeshje. Për se kohë do të jem te Sevilla do të jap gjithçka që kam në dispozicion për të fituar. Duam të fitojmë në Osasuna dhe ta mbyllim kampionatin me 72 pikë.”

Sampaoli shprehet i lumtur dhe i sigurt për zgjedhjen që ka bërë: “Që në ditën e parë si trajner ëndrra ime ka qenë të jem trajneri i kombëtares së Argjentinës. Si argjentinas nuk mund ta refuzoja ofertën e federatës, edhe pse më duhet të ndërpres karrierën si trajner klubesh në Europë, e cila kishte nisur shumë mirë te Sevilla.”