LQSHA peticion për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni

0

Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane e udhëhequr nga ish-kongresmeni arbëresh Joe DioGuardi ka hapur një peticion që ka të bëjë me alarmimin për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, informon INA. Përmes tij i bëhet thirrje Parlamentit të Maqedonisë që të implementojë Platformën e partive shqiptare. LQSHA e DioGuardit apelon që në linkun e mëposhtëm të nënshkruhet peticioni.

https://www.change.org/p/parliament-of-macedonia-call-on-the-parliament-of-macedonia-to-immediately-implement-the-albanian-platform

Sqarim nga LQSHA për peticionin:

Duke pranuar se nuk do të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Maqedoni deri sa shqiptarët etnik nuk do të kenë të drejta njerëzore dhe civile të barabarta me maqedonasit etnik.

Udhëheqësit e partive politike shqiptare në qeverinë e re të udhëhequr nga kreu socialdemokrat Zoran Zaev u takuan në Shkup në qershor 2017 për të siguruar që “Platforma Shqiptare” u bë pjesë e axhendës së qeverisë. (Kliko këtu për të parë Platformën Shqiptare).

Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Maqedonisë që menjëherë të zbatojë dy komponentë të platformës shqiptare:

Gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni dhe të miratohet ligji në Kuvend

Si dhe të realizohet decentralizimi i financimi i barabartë në komuna.  Sipas LQSHA, pabarazia midis maqedonasve etnik dhe shqiptarëve etnik – për shembull në arsim dhe kujdes shëndetësor – është ndërtuar politikisht. Përfundimi i diskriminimit ndaj shqiptarëve etnik duke ofruar mundësi të barabarta për rritje ekonomike dhe sociale në zonat me shumicë shqiptare mund të arrihet përmes decentralizimit të buxhetit federal.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të mos e pranojnë Maqedoninë në NATO dhe Bashkimin Evropian derisa platforma shqiptare të jetë plotësisht e zbatuar.”, thuhet nga LQSHA.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është themeluar në vitin 1989,  dhe është organizata e vetme lobiste vullnetare e regjistruar në Uashington DC, që përfaqëson shqetësimet e shqiptarëve në lidhje me çështjen kombëtare të shtatë milionë shqiptarëve që jetojnë krah për krah në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Luginën e Preshevës , dhe Çamëria (Greqia Veriore). LQSHA punon për të ndikuar në politikën e jashtme të SHBA për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore. (INA)

 

 

Komentet

komentet