Madridi: Deklarata e nënkuptuar e pavarësisë, e papranueshme

Një fjalim i duartrokitur në fund nga ligjvënësit separatistë dhe i kritikuar ashpër si një “grusht shteti” nga opozitarët në Parlamentin rajonal të Katalunjës, sikurse edhe nga qeveria qendrore e Madridit, ishte ai i mbajtur nga presidenti katalanas Carles Puigdemont mbrëmjen e kësaj të marte.

Puigdemont tha se “kishte mandatin për të deklaruar pavarësinë” e rajonit verilindor, por propozoi ndërkohë “të priste disa javë për të favorizuar dialogun”, duke pezulluar efektet e referendumit të 1 tetorit, fitorja në të cilin i jepte atij mundësinë të implementonte dëshirën për shkëputje nga Spanja.

Por burime nga qeveria e Madridit kanë reaguar, duke e quajtur “deklaratën e nënkuptuar të pavarësisë së pezulluar” si të papranueshme.

“Është e papranueshme të bëhet një deklaratë propozimi pavarësie, e më pas të pezullohet në mënyrë të qartë. Qeveria nuk do të dorëzohet përpara shantazheve”, ka thënë një burim i qeverisë së Madridit, i cituar nga agjencia “EFE”, që shtonte se referendumi ishte “mashtrim dhe i paligjshëm”.

Media tjetër spanjolle “El Pais” shkroi fillimisht në faqen e internetit se qeveria e Mariano Rajoyt i konsideron fjalët e Puigdemont “deklaratë pavarësie”, ndaj të cilave do të përgatisë edhe kundërpërgjigjen.

Edhe udhëheqësi i opozitës në Parlamentin rajonal të Katalunjës tha se deklarata e Puigdemont ishte thjesht një “puç”, i cili nuk gëzon madje as mbështetjen e Europës. Ines Arrimadas, kryeopozitarja nga radhët e “Ciudadanos” tha se shumica e katalanasve ndihen katalanas, spanjollë dhe europianë, e për këtë arsye nuk do t’i lejojnë zyrtarët rajonalë “t’u thyejnë zemrat”.

Ndërkohë, pati edhe nga ata katalanas pro pavarësisë që mbetën të zhgënjyer. Shumë prej tyre kishin zbritur në shesh dhe ndiqnin deklaratën nga ekranet e mëdhenj, por në fund reaguan ashpër ndaj Puigdemont, duke e quajtur atë “tradhtar”.

Comments

comments