Magjia e një eklipsi

Eklipset dhe errësira shqetësuese që ata shkaktojnë, gjithmonë kanë frymëzuar frikë dhe habi
Jo më kot fjala anglisht për eklips vjen nga termi grek për braktisje. Në ato momente të errësirës, shikuesit duhet të rikalibrojnë ndjenjën e qëndrueshmërisë dhe të kuptojnë se ata jetojnë në një univers me objekte qiellore të mëdha dhe të rrumbullakëta. Pjesën më të madhe të kohës, tokësorët mund t’i injorojë ato objekte

“Nëse kjo ndodh, çfarë tjetër mund të ndodhë në jetë? Eshtë ndjesia se besimi yt në mënyrën se si ndodhin gjërat mund të sfidohet, në një mënyrë të paprecedentë”

Këtë gusht, qielli do të zbehet derisa dita do të bëhet e zezë. Disku i ndritshëm që zakonisht hedh dritën mbi gjithçka, djeg lëkurën, ushqen bimët dhe u thotë kafshëve se kur të flejnë, do të bëhet një rreth i zbrazët, i rrethuar nga errësira që lëviz, e atmosferës së tij.

Kjo skenë do të ndodhë mbi Shtetet e Bashkuara, nga Oregoni në Karolinën e Jugut, potencialisht duke kapur një audiencë edhe më të madhe se finalja e Super Boulit. Dhe këta njerëz ka të ngjarë të reagojnë emocionalisht, jo shkencërisht. Është një reagim njerëzor që ka ndodhur për mijëvjeçarë të tërë, por që njerëzit kanë filluar ta studiojnë vetëm kohët e fundit. Hëna ka të njëjtën madhësi si dielli në qiell dhe ndonjëherë mund të kalojë para tij në fotobombën e fundit kozmike. Për shumë shekuj, kjo shfaqje drite ushqeu kryesisht mendime për katastrofa dhe shkatërrime – sikur diçka e keqe, ose dikush, po ofronte një shfaqje të fuqisë së vet. Në Kinë, ishte një dragua. Në traditën Hindu, ishte një demon kokështypur i quajtur Rahu – por nëse njerëzit bënin zhurmë mjaftueshëm, Rahu do të ikte, duke rezultuar kështu në një eklips të pjesshëm. Kultura të tjera gjithashtu i jepnin fuqi njerëzve, që të rikthenin dritën. Indianët Chippeua i linin shigjetat me majë drejt qiellit, me qëllimin që të rindiznin atë rrethin e madh që jepte jetë.

Dhe e dini se çfarë? Duket se funksiononte. Dielli gjithmonë rikthehej.

Por kjo nuk e ndryshoi reagimin kafshëror të frikës tek njerëzit, që ka shoqëruar eklipset në kohët moderne. David Baron, autori i “Eklipsi amerikan”, e përjetoi këtë ndjesi kur pa për herë të parë diellin tek zhdukej.

“Unë jam një njeri shumë shkencor, një person shumë logjik, jo një person spiritual”, thotë ai. Ai nuk e priste që të prekej kaq shumë. Por, kur dielli u zhduk për disa minuta, perceptimi i tij për vendin e tij në gjithësi, të cilin nga pikëpamja intelektuale, gjithnjë e kish ditur që ishte i vogël, u regjistrua emocionalisht në atë mënyrë. “Mund të shikoni me sy të lirë këtë qiell tërësisht të huaj,” thotë ai. “Ndjeva sikur isha transportuar në një planet tjetër, por e dija se ishte Toka. Ishte thjesht një tokë që nuk e kisha parë, kurrë më parë”.

NDJEKJA E EKLIPSEVE

Në shekullin e 19-të, eklipset u bënë thjesht kërkime shkencore. Por, ndërsa udhëtimi u bë më i lirë dhe më i lehtë, më shumë njerëz kishin mundësi të përjetonin, madje edhe të ndiqnin, eklipset. Ata turistë i ndanin përvojat e tyre me njerëzit e tyre në vendlindje. Dhe më pas erdhi interneti, i cili përhapte këto njohuri anembanë globit.

Gjatë një eklipsi mbi Ishujt Faroe në vitet 1950, njerëzit u zgjuan dhe rendën për të hequr rrobat që kishin varur të thaheshin – ata kishin frikë se do të merrnin në flakë. Në kohën kur një eklips tjetër u shfaq në vitin 2015, rrobat dhe banorët e ishullit, ishin të gjithë jashtë për ta parë atë. Mbani në mendje, “të mos ndjesh frikë” nuk është e njëjta gjë me “të mos ndjesh”. Psikologia dhe shkrimtarja Kate Russo studion reagimet e njerëzve ndaj eklipseve dhe ajo zbuloi empirikisht, atë që Baroni e kish mësuar anekdotikisht: Mençuria nuk ju mban stoikë. “Megjithëse kemi njohuri shkencore për gjërat, kjo nuk e zhbën faktin se ne jemi sërish kafshë”, thotë ajo.

Në sondazhet mes atyre që shohin eklipsin për herë të parë, ajo gjen të njëjtat shenja emocionale, të rrëfyera në mënyrë të përsëritur. Njerëzit besojnë se janë të përgatitur. Pastaj, kur objekti që i mban ata gjallë dhe e kanë parë ato për dekada të tëra, zhduket papritmas, ata ndihen të shastisur, si ata leshkot e gjorë pa ndonjë dije shkencore.

Ka ndodhur çdo herë që shohim diellin të lindë e të perëndojë. “Nëse kjo ndodh, çfarë tjetër mund të ndodhë në jetë?” – thotë Russo. “Eshtë ndjesia se besimi yt në mënyrën se si ndodhin gjërat mund të sfidohet, në një mënyrë të paprecedentë”.

Jo më kot fjala anglisht për eklips vjen nga termi grek për braktisje. Në ato momente të errësirës, shikuesit duhet të rikalibrojnë ndjenjën e qëndrueshmërisë dhe të kuptojnë se ata jetojnë në një univers me objekte qiellore të mëdha dhe të rrumbullakëta. Pjesën më të madhe të kohës, tokësorët mund t’i injorojë ato objekte.

Këtë muaj, në 21 gusht, miliona njerëz do e përjetojnë së bashku këtë perspektivë dhe do e ndajnë online me miliona, mbase miliarda njerëz. Një sasi e madhe njerëzish do të shohin të tkurret vendi i tyre në univers. Dhe ashtu si çdo ngjarje kulturore, e cila bashkon njerëzit që e kanë përjetuar së bashku – njerëzit ndjejnë të zgjerohet lidhja e tyre me njëri-tjetrin.

“Nuk është thjesht ngjarje astronomike”, thotë Russo. “Eshtë eksperiencë njerëzore”. / “Discover”

Comments

comments