
Një javë para fillimit të festivalit “Këngë Jeho”
Më 13, 14 e 15 korrik, mbahet festivali “Këngë Jeho”, që është mbase i vetmi manifestim kulturor i këtij lloji në Maqedoni dhe akoma nuk e ka të zgjidhur statusin e plotë dhe të merituar si institucion. Akoma ky festival çalon në mes të institucionit nacional, atij lokal dhe festival i lëmoshave.
Mbase me të drejtë qytetarët e quajnë festival i lëmoshave, sepse çdo vit drejtoria e festivalit ballafaqohet me probleme të shumta organizativo-financiare, ndaj për ti dalë në krye janë të detyruar të shtrinë dorën kudo, për të ruajtë imazhin e qytetit turistik, manifestimit kulturor etj etj.
Për këtë edicion të festivalit, tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen 15 ansamble e shoqëri kulturore artistike nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, ndërsa pritet konfirmimi edhe i ansambleve shqiptare nga SHBA-të, Zvicërra, Turqia dhe Arbëreshët e Italisë.
Për këtë dasëm të madhe shqiptare, Ministria e kulturës ka ndarë 400 mijë denar. Drejtori i festivalit, Zini Jusufi, lidhur me këtë u shpreh: “Ne jemi në pozitë tepër të palakmueshme, për sa i përket anës financiare. Mjetet që ndanë Ministria e kulturës për këtë manifestim, janë jo vetëm të pamjaftueshme por simbolike, në krahasim me manifestimet tjera të këtij niveli në Maqedoni. Jemi të detyruar që di drejtohemi edhe pushtetit vendor, që së paku të na mbështesë në aspektin e sistemimit dhe të ushqimit për ansamblet pjesëmarrëse në këtë manifestim, sepse ata vijnë në Strugë. Problem shtesë janë edhe aspektet teknike të realizimit, që përpiqemi ti përballojmë falë vullnetit të mirë, gatishmërisë dhe në një mënyrë “domosdoshmërisë” së anëtarëve të drejtorisë, sepse sponsorër dhe donatorët për këtë festival mungojnë”.
Regjisor i festivalit është Llesh Nikolla, regjisor nga Shqipëria, ndërsa festivalin do ta nderojnë me pjesëmarrjen e vet edhe personalitete të shquara të skenës muzikore shqiptare si Shkurte Fejza, Ylli Baka, Valbona Halili, Enkeleida Arifi, Arif Vladi, si dhe artist vendas Selami Kolonja, Agim Poshka e Elita Reçi. (M.Latifi/INA)
Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj