Maqedonia po rrezikohet nga sindromi Belgjikës

Janë dhënë sinjalet e para se në Maqedoni nuk do të mund të ketë qeveri të re, në rast se nuk arrihet marrëveshje për çështjet që tashmë po paralajmërohen nga partitë shqiptare, transmeton INA.

Kjo situatë do të jetë sikur në Belgjikë e cila për më shumë se një vit nuk kishte qeveri.

Siç mëson INA, nuk përjashtohet edhe ky skenarë, për shkak të qëndrimeve dhe platformave të ndryshme dhe kontradiktore mes bllokut të partive shqiptare dhe atyre maqedonase.

BDI dhe Aleanca për Shqiptarët në njërën anë ka lansuar platformën e paralajmëruar me kërkesat për avancimin e çështjeve të shqiptarëve dhe në anën tjetër Lëvizja BESA me platformën e saj ridefinimi, por që kjo parti patjetër duhet të jetë në një qeveri ku do të ishte edhe BDI.

Gjatë intervistës së tij për emisionin “200” në Alsat M, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk përjashtoi këtë skenarë.

“Nëse nuk ka marrëveshje dhe nëse hyhet në paqartësi kjo do të ishte zgjidhja më e keqe për vendin. Unë mendoj se tek të gjitha partitë do të mbizotëroj logjika e shëndosh, arsyeja e vërtetë për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat përballet vendi ynë. Kjo do të ishte zgjidhja më e keqe”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Por cili ishte skenari belg ?

Pas zgjedhjeve të qershorit 2010, Belgjika ka qenë pa qeveri për plot 535 ditë, rekordi botëror për një demokraci, pasi nuk arrihej të krijohej një mazhorancë e qartë.

Por, nën qeverinë e vjetër, në fuqi për çështje të rëndësishme, vendi ka aprovuar një ligj financiar, ka shtetëzuar bankën kryesore, Dexia, ka udhëhequr me sukses presidencën e radhës të BE-së, ka marrë pjesë në operacionet ushtarake në Libi, përveç përmirësimit të të gjithë treguesve ekonomikë, nga borxhi publik te GDP.

Kohëzgjatja e një krize kishte  shqetësuar jo vetëm Belgjikën por edhe Bashkimin Europian, për shkak të hendekut të krijuar dhe luftës së partive belge, një pjesë e të cilave flasin gjuhën flamade dhe një pjesë tjetër atë franceze.

Nismën për gjetjen e një zgjidhje e kishte marrë dhe Mbreti i Belgjikës Albert II.

Shtëpia mbretërore kishte ngarkuar shefin e socialistëve frankofonë, Elio Di Rupo, për formimin e një kabineti të ri qeveritar.

Konflikti mes belgëve që flasin gjuhën flamande dhe atyre frankofonë për një reformë të shtetit ka qene dhe arsyeja kryesore qe Belgjika ka qëndruar kaq kohe pa formimin e një qeverie duke hyre kështu dhe në librin Gines.(INA)

Comments

comments