Marrëveshja, Vasili: Gara tani është e barabartë; LSI forcë e parë

Marrëveshja, Vasili: Gara tani është e barabartë; LSI forcë e parë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat u shpreh i bindur se LSI do të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, në një garë që sipas tij tashmë do të jetë në kushte të barabarta pas marrëveshjes së arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha.

Sipas Vasilit, kontributi i LSI është i jashtëzakonshëm në shmangien e asaj që e cilësoi si katastrofë që do të vinte nga mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje, por shtoi se çështja e mohimit të partive të vogla për t’u regjistrua në koalicione është në shkelje të kodit zgjedhor dhe se LSI nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë.

“Pasiguria u evitua, vendi është sot më i qetë. Do kemi zgjedhje në 25 qershor dhe tashmë vendimi është në duart e qytetarëve që do të vlerësojnë çdo kontribut të çdo force politike. LSI ka punuar fort në radhë të parë për demokracinë dhe legjitimitetin e institucioneve që do të ishte cenuar pa pjesëmarrjen e opozitës. Sot LSI beson më shumë se dje se do të jetë forcë e parë politike pasi përfaqëson një forcë politike transparente dhe konsekuente. Ndaj mijëra e mijëra të rinj anë e mbarë vendin vlerësojnë cilësitë e LSI. Ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e koalicionit të disa partive në shkelje të kodit zgjedhor. LSI nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë. Duke e bërë LSI forcë të parë, kjo do ta ndihmojë vendin të jetë më i qetë dhe kjo do t’i frymëzojë shqiptarët të krijojnë jetën e tyre në vendin e tyre. Ne u japim mundësinë shqiptarëve për një mireqenie më të mirë”, tha Vasili.