Mbi 100 mijë qytetarë në Kosovë jetojnë në varfëri

Mbi 100 mijë qytetarë në Kosovë jetojnë në varfëri

Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale, në dy vjetët e fundit, nuk ka ndryshuar dhe ai, sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, arrin në mbi 26 mijë, me rreth 108 mijë anëtarë.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rreth 17.6 për qind të popullatës që jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë për një person të rritur, ndërsa 5.2 për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme me 1.30 euro në ditë.

Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se asistenca sociale që këto familje marrin sillet nga 50 euro deri në 150 euro në muaj.

“Aktualisht, duke iu referuar muajit të fundit, janë 26 mijë e 375 familje me 108 mijë e 149 anëtarë të cilët kanë marrë ndihmë sociale. Në dy vitet e fundit sillet ky numër i familjeve, 25 mijë deri në 26 mijë. Vlera e parave që ata marrin varet nga numri i anëtarëve”.

“Po ashtu çdo familje që kanë fëmijë nga mosha 0 deri në 18 vjeç marrin nga 5 euro shtesë në emër të rritjes dhe shkollimit. Pra një asistencë sociale në disa raste mund të shkojë deri në 150 euro, që është shuma maksimale”, thekson Gjocaj, citohet Koha.

Kosova radhitet në mesin e vendeve të varfra në rajonin e Ballkanit, me nivel ende të lartë të varfërisë dhe varfërisë së skajshme por edhe me nivelin e ulët të pagës minimale.

Autoritetet e Kosovës qenë zotuar disa vjet më parë se do të përmbushin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë. (b.an)