Mendi Qyra:Ja pse e mbeshtesë ekipin e Strugës

Mendi Qyra:Ja pse e mbeshtesë ekipin e Strugës

Kam disa kohë që mbështes ekipin e futbollit “Struga-Trim&Lum”.
Dua që sot të ndajë me ju një pjesë të kësaj eksperience, të tregoj si dhe pse, e ndoshta mund të insipiroj njerëz të caktuar të cilët mund të jenë edhe më të fuqishëm se unë, për t’i dhënë Një Ekip, Një Shpresë, Një Ardhmëri, djemve shqiptarë të Strugës, Tetovës, Dibrës, Gostivarit, Shkupit, Kërçovës e Kumanovës!
Për të sjellë në jetë një ekip më shumë se para duhet të kesh motiv mjaftueshëm…
Unë kam qënë i varfër në fëmijërinë time, kam pasur dhjetra e qindra dëshira, që vetëm disa prej tyre u realizuan, ato që desha më fort dhe ato të cilat pata fatin të ndihmohesha nga njerëz të mirë!
Nuk harrova asnjëherë veten time kur isha i varfër, kur dëshiroja qoftë edhe një top normal futbolli dhe nuk mund ta kisha…
Nuk harrova sytë me lot të shokëve të mi, të cilët ishin talentë në futboll, por nuk kishin një ekip ku të luanin…
Nuk harrova lojën e shëmtuar të pushtetit që shtypte, mbyllte, asgjësonte çdo aftësi shqiptare…
Nuk harrova ekipet e mrekullueshme të futbollit në Strugë, të cilët për mungesë mbështetje sa lulëzonin-shkatërroheshin!
E tash nga këto kujtime shumë më të fuqishme se mundësia ime financiare, kemi një Ekip që ka bërë mrekulli deri tash…
Janë djem të cilët vijnë nga Struga apo rrethina e saj! Janë unë dhe shokët e mi, të cilët kishim ëndrra e ishim të varfër!
Janë shkallët e stadiumit që mbushen plot me prindër, familjarë, miq, dhe sytë e tyre ndriçojnë nga shpresa, nga gëzimi, nga tifozeria, nga triumfi!
Janë djemtë e Drinit të Zi, janë sytë e baballarëve të tyre, të cilët ashtu si unë, ëndrrën e tyre të shuar të futbollit, tash po e shohin tek realizohet tek djemtë e tyre!
Djem të cilët kanë një ideal dhe ai nuk është Fitorja, por është Struga!
Këta të rinj tash përfaqësojnë çdo strugan kudo që ai ndodhet, qytet, fshat apo botë, ata kudo që luajnë etiketohen si Struganët!
Dua t’ju drejtohem atyre personalisht:
Bijtë e mi, jo vetëm që keni arritur rezultate të shkëlqyera, jo vetëm që pretendojmë të jemi më të Mirët, jo vetëm që qyteti buçet nga tifozët kur keni ndeshje ju, jo vetëm që synoni të jeni të Parët, unë dua t’ju them sot që Ju Jeni Të Parët E Mi Dhe Të Çdo Strugani!
E di që më keni njohur gjithnjë ambicioz, duke ju stimuluar që të arrini më shumë, por sot dua t’ju tregoj se sa shumë Jam Krenar Për Ju! Se sa shumë janë krenarë baballarët dhe nënat tuaja, se sa shumë do ishte Rrashit Tafa që ka dhënë spektakël për një ekip fantastik si Vllaznimi, e tash i biri luan në këmbë të babait me Vllaznimin në zemër, pasi ekipi Struga-Trim&Lum është bashkimi i të gjithë ekipeve strugane, është ekipi i Strugës!
Djemtë e mi, ne i kemi dhënë Futboll prapë struganëve, e sado mund të dukem se kënaqem shumë kur ndërtoj, kjo është lumturi më e madhe!
Faleminderit nga zemra!
Presidenti dhe Familja Juaj
Mendi Qyra