Milosh Obiliqi, trim apo qyqar, serb apo shqiptar

Përkundër anomiziteteve dhe stereotipive, bashkëpunimi ndërmjet Serbisë e Shqipërisë është i mundur, thotë drejtorja e Qendrës për Demokraci e Pajtim në Evropën Juglindore Zvezdana Kovaç.

Ajo në konferencën “Serbia e Shqipëria – kundrejt të ardhmes evropiane” ka thënë se mediet, por edhe arsimimi, shumë shpesh shfrytëzohen si armë e fuqishme në ndërtimin e qëndrimeve egocentrike.

Duke prezantuar projektin e Qendrës për “Librat e përbashkët të historisë”, të cilët ofrojnë më shumë pikëpamje të ndryshme për të njëjtën ngjarje, ajo ka theksuar se studentë duhet doemos të kenë më shumë fakte dhe se, sipas saj, inkurajon mendimi i tyre kritik.
Ekspozenë e saj se ekzistojnë shumë versione për një ngjarje, përkatësisht shembulli se në një vend Milosh Obiliqi paraqitet trim e në një tjetër vend i qyqar, u ndërpre nga një pjesëmarrës i konferencës, gazetari shqiptar Ben Andoni, i cili tha se si student i historisë, ai kishte mësuar se Milosh Obiliqi ka qenë shqiptar, raporton B92, transmeton Koha.net.

“Ja edhe versioni i tretë”, ka thënë ajo dhe pas kësaj pjesëmarrësit u pajtuan se ky është edhe një shembull që dëshmon se ngjarjet duhet shikuar nga të gjitha këndet.

Kovaç ka paralajmëruar se Qendra së shpejti do të përfundojë punën në librin për luftërat e viteve të 90-ta me përkrahje të ministrive të arsimit të vendeve të rajonit.

Nuk dihet, transmeton Koha.net, nëse në këtë libër do të përfshihet edhe lufta e Serbisë dhe e Kosovës në vitin 1998 – 1999 dhe nga cilat këndvështrime dhe se a është MASHT i përfshirë në këtë projekt apo edhe ndonjë historian nga Kosova.

“Janë dashur dhjetë vjet luftë që ato të bëhen libra deh që të përdoren”, ka thënë ajo e si njërën nga pengesat e ka përmendur faktin se të gjitha vendet kanë kërkuar që nga libri të hiqet karikatura në të cilën Shqipëria është paraqitur si grua e bukur, Serbia si gjarpër e Mali i Zi majmun.

“Nuk kemi dashur ta heqim, sepse po punojmë me historianët që kanë kredibilitet”, ka thënë ajo dhe ka theksuar se qëllimi i kësaj organizate nuk është të ndryshojë historinë kombëtare, por t’iu ndihmojë arsimtarëve në shkolla.

Qendra për Demokraci e Pajtim ka publikuar një set librash që merren me periudhën e Perandorisë osmane deri te Lufta e Dytë Botërore dhe ato kanë qenë në shërbim të arsimtarëve të rajonit të gjerë, e cilësia më e madhe e tyre është se ato ofrojnë pikëpamje të ndryshme për ngjarje të njëjta.

Gjatë konferencës së sotme për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u tha se serbët dhe shqiptarët nuk kanë informata të mjaftueshme për njëri-tjetrin, se ka shumë paragjykime e neveri porse të dy popujt duan marrëdhënie më të mira.

© KOHA

Comments

comments