Mjeku shqiptar nga Gjermania kthehet në Kumanovë. Kontributi për atdhe më i...

Mjeku shqiptar nga Gjermania kthehet në Kumanovë. Kontributi për atdhe më i dashur se privilegjet europiane

Doktor Berat Iljazi nga fshati Llojan, njeri i shkolluar në Austri dhe i punësuar në Gjermani, përkundër gjithë atyre privilegjeve dhe mundësive në Gjermani, vendosi të kthehet në vendlindje për të kontribuar sadopak në atdheun e tij, duke sjellë mësime dhe përvoja prej vendeve të zhvilluara. Për më tepër, lexojeni intervistën e doktor Berat Iljazit për gazetën Lajm.

A mund të na flisni shkurtimisht për jetën tuaj, përgatitjen profesionale dhe pritshmërinë tuaj?

Dr. Berat Iljazi: Së pari ju përshëndes, ju përuroj për punën që bëni dhe për interesin e treguar në drejtim të afirmimit të vlerave artistike, kulturore dhe shkencore. Fillimisht për të treguar për jetën time si dhe përgatitjen time profesionale do të më duhej goxha kohë! Megjithatë, do të mundohem në pika të shkurta t’i paraqes momentet më vendimtare në jetën time që lexuesit të mos ngarkohet me hollësira.

Jam i lindur në Kumanovë. Shkollën fillore e kam të mbaruar në Llojan. Shkollën e mesme në Preshevë. Pastaj shërbimin ushtarak në armatën e atëhershme në Karllovac të Kroacisë. Studimet fillimisht në Universitetin e Rijekës në Kroaci, fakulteti i mjekësisë. U pranova në Rijekë pasi kisha kaluar provimin pranues. Më pas ndodhi rënia e sistemit ekzistues në Jugosllavi për çka ne brenda natës në Kroaci u shndërruam në shtetas të huaj. Natyrisht edhe si të tillë Kroacia na trajtonte duke na vendosur edhe pagesat e detyrueshme të shkollimit të lartë! Atëherë ishin çmime enorme dhe jo të përballueshme për ne që ishim studentë. Kështu që u detyrova të kërkoj alternativë tjetër për vazhdimin e shkollimit tim.

18254245_1756889134327845_1300371245_n

Kisha dëgjuar prej disa shokëve për Universitetin e Vjenës se mund të aplikohet për vazhdim të studimeve. Pasi kontaktova Universitetin e Vjenës, ia dërgova dokumentacionin përkatës që ata kërkonin dhe pas dy muajve më erdhi përgjigja se isha pranuar atje. Gëzim i madh, por edhe përgjegjësi e madhe! Shkoja në një vend që askënd s’e njihja,  financat edhe ashtu të zbehta i kisha, me gjuhën gjermane nuk isha mirë e të ngjashme. Më një fjalë, njëmijë telashe! Por besimi në ndihmën e Zotit fillimisht, pastaj entuziazmi i një të riu të etur për shkollim bëri që kjo sfidë lëre se të kalohet, por me kalimin e kohës të trajtësohet edhe në mundësi për sukses. Pas 5 vjetësh e 6 muajsh diplomova në Fakultetin e Mjekësisë në Vjenë, diku 6 muaj para afatit, pra më 26 nëntor të vitit 2002 e mbarova fakultetin.

Natyrisht, sfidë e madhe, sidomos kur mendoje se çfarë më tutje? Asnjëherë s’kisha ngurruar ta marr rrugën më të rënde të afirmimit tim, prandaj edhe e zgjodha që të mos kthehem në vendlindje, pasi nuk pashë këtu ndonjë ardhmëri të mirë për mua dhe për karrierën time profesionale. Aplikova në tre spitale të Gjermanisë në Republikën NORDHEIN Westfalen dhe që të trijat më kthyen përgjigje pozitive dhe më ftuan në intervistë paraprakisht. Pasi e mbarova këtë obligim  prapë që të trijat më ofruan punë, kurse mua më mbetej të zgjidhja mes alternativash.

Unë zgjodha një spital që më së tepërmi më sfidoi për shkakun e Shefit të repartit PD Dr.med. Johannes Epping pasi në intervistën time më tha se kurrë nuk kishte pranuar një të huaj të punonte në repartin e tij.  Në pyetjen time se pse po e bën këtë me mua, ma ktheu se ishte kureshtar ta di se çfarë studentë prodhojnë universitetet më të njohura të botës dhe se çfarë do të bëj një shqiptar, gjegjësisht si do të gjendej një shqiptar i diplomuar jashtë shtetit të tij dhe të punonte në një shtet tjetër krahas atij që i kishte mbaruar studimet. Ajo aq shumë më bëri sfidues saqë mezi prisja ta dëshmoja veten, apo t’ia përgënjeshtroja praktikisht bindjen e gabuar ndaj të huajve. S’do mend se kjo ishte ajo sfida që unë zgjodha t’i tregoja se kishte gabuar në bindjen e tij që kishte deri më tani ndaj njerëzve të shteteve tjera.

Kështu, ia fillova punës, pra më 24 prill të vitit 2003 në repartin internistik të spitalit universitar St. JOSEFS në Dortmund të Gjermanisë. Harrova më parë të theksoj se shkaku pse e kisha zgjedhë Republikën NRW ishte prania e dajës tim që jetonte atje prej shumë vitesh z. Nazmi Kamberi dhe djali i tij Arben Kamberi, edhe pse ishte 1000 kilometra në veri Gjermanisë. Pastaj, atje me kalimin e kohës pas mbarimit të 18 muajve, spitali gjegjësisht shefi më ofroi kontratë pune 6 vjeçare me mundësi të kalimit të kontratës në kontratë pune të përjetshme çka për momentin edhe ende e posedoj, me fjalë tjera të drejtën e rikthimit në spital në të njëjtin post që kisha në çdo kohë në marrëdhënie pune!

Pasandaj, pasi mbarova pas 6 vite provimin final të specialistikës të mjekësisë interne, u avancova në punën time, tashmë isha udhëheqës i repartit inteziv (gjermanisht Oberarztauf Intensiv Station) në spitalin që punoja ku ngërthente në vete 35 motra medicinale me pregaditje intenzive dhe 5 mjek. Në ndërkohe kisha kryer edhe disa subspecializime, të cilat ishin të nevojshme për bartjen e funksionit, specialist i mjekësisë intenzive, specialist i emergjencës, specialist i transportit të pacientëve, diabetologji dhe në fund subspecializimi im i  fundit është në fushën e kardiologjisë. Shefi im më nuk më lëshoi asnjëherë prej repartit të tij e nuk më liroi deri sa shkoi edhe ai vet në pension. Kështu që, të dytë pushuam punën në qershor të vitit 2010. Unë u ktheva në vendlindje, kurse ai shkoi në pension dhe banonte në Berlin.

Keni punuar si mjek në Gjermani, në shtetin në të cilin shumë mjek shqiptarë po shkojnë për të punuar dhe shumë të tjerë mezi po presin të marrin udhë për në Gjermani. Çfarë ju shtyu juve të ktheheni prej Gjermanisë në Maqedoni, gjegjësisht në fshatin Llojan dhe të punoni në ordinancën tuaj private në Kumanovë si kardiolog?

Dr. Berat Iljazi:Të them të drejtën në fillim as që e kam menduar se do të kthehem, por me kalimin e kohës, gradualisht  fillova të mendoj se si do ishte një kthim i mundshëm edhe si  do të bëhej. Kështu që fillova intensivisht të interesohem për rrethanat e këtushme, mundësia e punës, lejet e punës, nostrifikimet e mundimshme e të ngjashme. Pasi që në shtetin tonë e dimë se sa burokraci mbizotëron mu është dashur ta nostrifikojë diplomën e Universitetit të Vjenës e të Universitetit të Mynsterit të Gjermanisë. Po të isha vet, sigurisht që shumë shpejt do të më kaplonin dallgët e dëshpërimit, mirëpo njerëzit tanë që punonin në Ministrinë e Shkencës më ndihmuan.

Mbase motivi që më godiste furishëm në ndërgjegjen time ishin edhe bisedat me bashkëkombësit tanë në mërgim. Sa herë që bisedoja me ta e kishin gati të gjithë të njëjtin hall; keq shumë puna bre atje, mjek nuk po ka, nuk po të shërojnë, nuk po janë të sjellshëm etj. Ankesa nga më të ndryshme. Pastaj shumë raste të vet familjes time që kishin probleme të shumta shëndetësore e që nuk mundja asgjë për të bërë pasi isha në largësi. Këshillat nuk mjaftonin, ndaj duhesha marr një hap konkret për ta përmirësuar gjendjen sadopak. Gjithë kjo përvijoi dhe lindi dëshirën time të madhe që të jem pranë familjes dhe popullit tim. Krejt në fund të kësaj ecejake jo të lehtë, së bashku me bashkëshorten time vendosëm të kthehemi në vendlindje dhe t’i përveshim krahët për të punuar këtu. Mbase, kjo edhe u realizua falë bashkëshortes sime që më përkrahu pa masë në të gjitha fazat e planeve, që sot ja gjendemi këtu ku jemi. Ky ishte motivi kryesor i kthimit tim në vendlindje, pra malli për familjen, ankesat e mërgimtarëve dhe në përgjithësi dëshira për të kontribuar sadopak për popullin tim.

18281064_1756889234327835_1732775944_n

Familja juaj që ishte me ju në Gjermani dhe ajo që ishte në vendlindje, si e priti kthimin tuaj?

Dr. Berat Iljazi: Ashtu si ju thash në fillim, të gjithë ishin skeptik se do të ndodhte diçka e tillë, përveç prindërve të mi që më njohin mirë e që e dinin se unë jam i palëkundur kur të planifikoj diçka. Unë sa herë që vija këtu ia konfirmoja, por familja ime gati të gjithë thoshin se pa të parë këtu nuk të besojmë! Mirëpo, pas planifikimit të mirëfilltë edhe pasi kisha caktuar përfundimisht ditën e kthimit e cila ishte e lidhur ngushtë me pensionimin e shefit tim të spitalit për shkak të dëshirës së tij të mos më lëshojë deri sa të pushojmë së punuari paralelisht, fillova t’i blija pajisjet e ordinancës. Natyrisht, se pajisjet janë me çmime marramendëse të cilët falë punës së pandalshme që e bëja me afro 80 – 90 orë në javë, mundesha ta kapërdij atë kafshatë të madhe. S’duhet harruar se çmimi nuk më interesonte gjithaq, kur kujtoja se kthimi im në vendlindje është edhe një lloj flijimi, pra alternativë që unë e shikoja edhe ëndërroja. Kështu që në fund, kur u vendos data definitive u mbush një Rimorkio 24 tonësh me gjësende që natyrisht përmes doganës së shtetit me pagese të doganës edhe i futa në Maqedoni. E tash mbasi mbërrita, familja ime e pa që erdha. Tani pyetja ishte, “po pse mare u ktheve, ha, ha, ha”! Pasi siç e ceka më lartë, nuk e kishin besimin se me të vërtetë do të kthehem. Deri diku kishin të drejtë se nuk është e lehtë ta braktisësh një vend me një mirëqenie dhe drejtësi të lartë në këmbim të një vendi të brishtë në të gjitha segmentet. Natyrisht, ishte gëzim për të gjithë, gëzimi im ishte edhe më i madh pasi që më në fund mbas 22 vitesh kurbet tashmë isha në shtëpinë time, nuk ndihesha si i huaj, por vendas në vatrën time.

Ka tetë vjet që jeni kthyer prej Gjermanisë. Sa jeni të kënaqur me punën, stafin e punës dhe kushtet në Maqedoni?

Dr. Berat Iljazi: E vërtet që u bënë 8 vite prej kthimit tim! Sa jam i kënaqur? Jam shumë i kënaqur që jam pranë familjes sime, çdo ditë i shoh, bisedoj, komunikoj i ndihmoj! I kaloj të mirat e të këqijat bashkë me ta e ju e dini se bashkimi bën fuqi! Për punën time duhet të flasin të tjerët, unë një gjë e di se e jap maksimumin tim kur gjendem në orarin e punës edhe mundohem të mjekoj, shpjegoj, udhëzoj edhe më tepër ndoshta seç duhet. Shpeshherë kam bindjen se njerëzit mendojnë në vete se për çka ky flet edhe shpjegon kaq shumë kur aq shumë pacientë në dhomën e pritjes presin! Stafi i punëtorëve me shkollimin e këtushëm është pak problematikë, por për shkak se unë afër 5 vite isha edhe ligjërues në shkollën e mesme të motrave medicinale në Gjermani e që ishte në kuadër të spitalit tim që funksiononte, i kam trajnuar e përgatitur stafin tim sikurse që është e trajnuar e përgatitur edhe një motër medicinale në Gjermani. Ato shumë shpejt e kuptuan filozofinë e trajnimit dhe të sjelljes, kështu që nga ky aspekt s’kisha probleme të mëdha. Sistemi në Maqedoni është në një masë kopje e sistemit të funksionimit të ordinancave gjermane, mirëpo ana materiale është shumë e dobët. Shteti mjekësinë nuk e ka si prioritet, sidomos mjekësinë private. Kushtet natyrisht se nuk mundesh aspak t’i krahasosh me kushtet në shtetin Gjerman. Unë, ordinancën time për sa i përket kushteve të ordinancës janë të shkëlqyeshme me standard evropian e me procedura që njeh bota e qytetëruar. Gjithsesi, kushtet ekonomike të popullatës nuk janë edhe aq të mira, kështu që ka probleme gjatë funksionimit, por ia dalim.

Si e pritën pacientët një mjek të kthyer prej Gjermanisë? A ka më shumë ndikim imazhi juaj apo puna që keni arritur ta dëshmoni për këto tetë vite nëordinancën tuaj në Kumanovë?

Dr. Berat Iljazi: Po sigurisht se me një habi të madhe, s’di rast që një shqiptar të ishte kthyer prej vendeve perëndimore e lëre më një mjek! Pacientët mirë më kanë pritur edhe për shkakun se unë kisha një qasje të re ndaj pacientit që ata deri atëherë nuk e kishin përjetuar. Po shumë shpejt fitova besimin edhe pacientët vinin nga gjitha anët ose trojeve shqiptare. Kështu që, tash kam pacientë nga Lugina, Kosova, Shqipëria, pacientë dhe prej Beogradit  e vendeve tjera të Serbisë. Shkaku se në Preshevë shkon një program i shkurtër publicitar e kështu janë mirë të informuar për mundësit në ordinancën tonë. Edhe natyrisht gati gjithë mërgimtarët e Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës, Austrisë edhe kudo ku gjinden shqiptarët. A ka ndikim imazhi im? Unë do të thosha se sigurisht që ka ndikim imazhi im për vet faktin se diplomimi në Universitetin e Vjenës nuk është që takohet për çdo ditë në rrugë. E dyta, pastaj përvoja e punës në vendin më të zhvilluar të botë si dhe specializimet edhe subspecijalizimet mia që momentalisht i posedoj edhe i ripërtërij me licencat e mia që posedoj në Gjermani e Austri. Por imazhi nëse nuk ruhet dhe vërtetohet, ai zbehet shumë shpejt. Në mënyrë aktive punoj që imazhi im të jetë përmbajtësor dhe në formë të mirë.

A dallon shumë botëkuptimi i pacientëve gjermanë prej atyre shqiptarë? Çfarë mendoni, shqiptarët duan më shumë të mjekohen apo t’i parandalojnë sëmundjet?

Dr. Berat Iljazi: Dallimi i botëkuptimeve të pacientëve shqiptar me ata gjerman është shumë i madh! Në kohën e punës sime atje një gjë e kisha mësuar se për çdo gjë duhesh të mbash llogari. Mjeku mban përgjegjësinë e vet, pacienti e mban përgjegjësinë e vet dhe gjitha kjo është mirë e dokumentuar dhe e hartuar. Tek ata çdo send dokumentohet prej anës së mjekut që mos të këtë pasoja juridike për vet mjekun. Në anën tjetër edhe pacienti me përpikëri i zbaton këshillat e mjekut.

Kurse te ne është situata diametralisht e kundër, që e kam vërejtur në fillimin e punës time se shqiptarët janë mosbesues kundrejt mjekut, pastaj të padurimshëm, dëshirojnë që gjërat të bëhen shpejt, të mjekohen me një injeksion, me një ditë konsumim të barnave etj. Është një thënie e mirë e popullit gjerman që thotë se çdo njeri nëse një ditë sëmuret katër ditë duhet kohë për shërimin e tij. Mirëpo, kjo si duket te ne nuk ka shumë vlerë! Jemi shumë te padisiplinuar, nuk i përmbahemi këshillave të mjekut, eksperimentojmë me gjëra të ndryshme etj. Përfundimisht, shqiptaret më tepër duan të mjekohen se ta parandalojnë sëmundjen. Ndoshta edhe gjithë kjo për shkak të sistemit këtu, po edhe për shkak informimit të dobët që kanë rreth atyre çështjeve.

Me Ministrinë e Shëndetësisë a bashkëpunoni? Nëse po, si qëndron bashkëpunimi?

Dr. Berat Iljazi: Po me Ministrinë e Shëndetësisë patjetër se duhet çdo mjek të bashkpunojë, leja primare merret ose fillon me këtë ministri. Më pastaj ai bashkëpunim është i kontrolleve të herëpashershme që bëhen nga ana e tyre për vërtetimin e licencës së punës edhe rregullave që janë në dispozicion. Bashkëpunimi është korrekt dhe pa pengesa. 

Ju përpos punës profesionale, merreni aktivisht edhe me gjueti. Pse pikërisht gjuetinë e zgjodhën si pasion?

Dr. Berat Iljazi:Ha, ha, ha! Çdo send është e bartur në informacion që njeri e ka në gjenet e tij. Gjenet trashëgohen nga prindërit, e unë stërgjyshin, gjyshin, babanë që të gjithë pasion e kanë pasur gjuetinë. Kështu që, edhe unë që nga mosha 14 vjeçare kam shkuar në gjueti me babanë dhe me xhaxhanë, me haxhi Alijën, Zoti e pastë mëshiruar. Kështu që kjo u bë pjesë e pandashme e qenies sime. Përgjatë tërë kohës sa isha student, isha për dimër në shtëpi që ta shijoja gjuetinë. Gjitha këto me leje të zakonshme që i posedoja dhe i posedoj edhe ende, në mënyre ligjore. I përmbahem prerazi rregullave të gjuetisë të dhëna me ligj.

Pse gjuetinë aktivisht? Ky është pasioni im i parë që asnjëherë nuk më shkakton përtaci. Në gjueti është kënaqësi në orën 5 të mëngjesit me shokët të dalësh në mal në ajër të pastër e të lëvizësh. Ti dëgjosh zagarët që prenë me një përkushtim të madh e kërkojnë. Në të vërtetë bëhet fjalë për prenë tonë. E në fund të gjithë së bashku të drekojmë pranë një zjarr tashmë të ndezur prej ndonjërit. Aty shkëmbehen ide, mendime, shaka, plane e të ngjashme

Faleminderit për bashkëbisedim. Ju dëshiroj suksese të mëtejme.

Dr. Berat Iljazi: Faleminderit prej teje Iljasa, të uroj çdo të mirë në jetë e në karrierë.

 

Bashkëbisedoi: Iljasa Salihu në bashkëpunim me gazetën Lajm