Moti i keq godet refugjatët në Greqi

Moti i keq godet refugjatët në Greqi

Sipas UNHCR-së, në Samos, rreth 700 vetë, midis tyre fëmijë të vegjël dhe individë të tjerë veçanërisht të pambrojtur, ndodhen në tenda pa ngrohje në qendrat e pritjes dhe të Informacionit.

Moti i ftohtë me temperatura minus ka përfshirë gjithë Ballkanin, ndërsa më së keqi po e përjetojnë refugjatët afro-aziatikë që janë stacionuar tash e sa muaj nëpër kampet e Greqisë. Ata janë mijëra refugjatë që po qëndrojnë në kampet e pritjes në ishujt Lesbos, Hios dhe Samos.

Siç njoftojnë mediet rajonale, pesha e bores ka shembur çadrat, në shumë prej kampeve nuk ka ngrohje dhe “Mjekët pa kufij” dhe UNHCR kanë dhënë alarmin. Përveç të ftohtit, organizatat humanitare që ndihmojnë refugjatët theksojnë se shumë prej tyre janë lënë në mëshirë të fatit dhe kanë evidentuar edhe mungesën e ushqimit.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët nga ana e saj duke parë këto kushte ka bërë përsëri thirrje për përshpejtimin e procesit të shpërndarjes proporcionale të tyre sipas programit të miratuar nga vendet anëtare të BE-së.

“Jemi të shqetësuar. Aktualisht, situata në Samos, Kios dhe Lesbos është veçanërisht shqetësuese. Në Samos, rreth 700 vetë, midis tyre fëmijë të vegjël dhe individë të tjerë veçanërisht të pambrojtur, ndodhen në tenda pa ngrohje në qendrat e pritjes dhe të Informacionit. Ndërsa UNHCR dhe partnerët tanë kanë dhënë qindra e batanije termike, dyshekë gjumi dhe pajisje të tjera për ngrohjen dhe është e qartë tashmë se njerëzit do të jenë më mirë nëse dërgohen në pjesën kontinentale”, tha Adrian Edwards, UNHCR, citon Zeri.

Ndërkohë, UNHCR ka publikuar edhe statistikat tronditëse për vitin 2016, sipas të cilave, gjatë këtij viti 7500 refugjatët kanë humbur jetën, shumica e tyre pranë ishujve grekë në detin Egje, në përpjekje për t’u larguar nga zonat e nxehta të luftës drejt vendeve të Evropës Qendrore.