Mungesa e sistemit të vlerave dhe diskriminimi i arsimit shqip

0

Prof. Etem XHELADINI

Shumë intelektualë por edhe unë vazhdojmë të bëhemi thjerrëz dhe t’i shpalosim problemet e arsimit në shoqërinë tonë, në veçanti të arsimit shqip.

Që nga koha e tranzicionit, çdo fillim të vitit të ri shkollor dalin në sipërfaqe problemet e shumta që ekzistojnë në arsimin me mësim në gjuhën shqipe.

Mungesë të hapësirave shkollore, mungesë të inventarit, mungesë të kabineteve dhe laboratorëve,  mungesë të fondeve, shkolla me nga dy emra, tekste mësimore me përmbajtje fyese dhe gabime të shumta gjuhësore, e shumë probleme tjera. Unë si ish-kryetar, por edhe  Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”  Kumanovë-Likovë, edhe më tutje dëshmojmë për ekzistimin e ndasive të mëdha në baza etnike në arsim që bëhen nga fundi i viteve 80-ta, po edhe në kohën e tranzicionit deri më tani.

“Problemet e grumbulluara me vite në arsim vetëm sa vijnë e shtohen në aspekt të diskriminimit të arsimimit në gjuhën shqipe. Për shkak të kushteve të këqija, një numër i konsiderueshëm i shkollave edhe sot e kësaj dite akoma nuk kanë filluar me zhvillimin e procesit mësimor sipas standardeve dhe reformave që gjoja u bënë viteve të fundit”.

“Përpos hapësirave që janë hendikep i madh në shumë shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, problem tjetër është ndarja jo proporcionale e mjeteve financiare, pasi që dihet se shkollave shqipe u ndahen shumë pak mjete, pjesa më e madhe e tyre shkon te shkollat me mësim në gjuhën maqedonase. Problem në vete janë edhe tekstet shkollore , ku kemi një ndarje shumë të madhe në baza etnike dhe dëshmi për këtë janë edhe librat ofendues që dekada me radhë me të madhe botohen dhe ribotohen e të cilat pavarësisht reagimeve tona të shoqatës, por edhe të shumë institucioneve tjera joqeveritare, jo vetëm që nuk përmirësohen por shtohen edhe më shumë”.

Si mund të quhet ndryshe pos diskriminim problemi i emërtimit të shkollave fillore ose të mesme, mosrespektimi i vendimeve të prindërve, të nxënësve dhe këshillave të komunave shqiptare me rastin e emërtimeve të shkollave që ende mbajnë emra sllavë nga sistemi i kaluar, shembull enklatant janë katër shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Komunën e Çairit, tash e sa vjet punojnë me nga dy emra, pasi emrat maqedonas të zëvendësuar me emra të rinj të personaliteteve të njohura shqiptare nuk njihen nga Ministria e Arsimit dhe për rrjedhojë, përveç tabelave në objektet shkollore, i gjithë dokumentacioni tjetër, përfshirë edhe dëftesat që japin në bazë të emrave të vjetër të figurave komuniste.

Është koha e fundit që problemet e tilla të zgjidhen, pasi kjo po reflektohet në masë të madhe dhe po e dëmton cilësinë e arsimit.

“Këto dhe shumë probleme tjera e imponojnë nevojën që ne të mobilizohemi, pra punëtorët e arsimit dhe prindërit që njëherë e përgjithmonë t’i zgjidhim këto probleme. Ndryshe, nëse vazhdon kështu, arsimi do të pësojë humbje edhe më të mëdha, do të humbin vlerat, do të humb gjithçka që është arritur me sakrifica, pasi që ai nuk përkrahet nga pushteti”.

Nga ana tjetër, lirisht mund të konstatojmë se për gjendjen e krijuar në arsim, në veçanti për ndasitë etnike, fajtor kryesor janë partitë politike.
“Konfrontimet që bëhen mes partnerëve të koalicionit e çojnë sistemin arsimor në shkallën më të ulët të mundshme, nga e cila më së shumti pësojnë fëmijët që mësojnë ose edukohen në frymën e urrejtjes – kjo është e papranueshme. Duke mos mundur që t’i zgjidhin problemet politike, ata nxisin fëmijët ose punëtorët e arsimit në veprime të rrezikshme duke i politizuar skajshmërisht”. Këto dukuri të problemeve të shumta në  arsim zanafillën   e kanë që nga fillimi i tranzicionit.

Unë po edhe shumë profesorë të vjetër universitarë konsiderojmë se partitë politike jo vetëm se e kanë dëmtuar sistemin arsimor në tërësi, por edhe e kanë shkatërruar në palcë. “Politika është futur në indin e arsimit duke e shkatërruar atë”, “Rënia e sistemit të kaluar la hapësirë për sistemin pluralist dhe në atë të tranzicionit, ku për fat të keq pësoi shumë rëndë arsimi. Në betejat politike për të marrë pozita, partitë politike e shndërruan interesin kombëtar në interesa personale dhe klanore. Fatkeqësia më e madhe është se këto koncepte u reflektuan në masë të madhe në sferën e arsimit”.

Pavarësisht se cilit bllok i takojnë partitë politike, ia dolën ta pushtojnë sistemin arsimor, duke emërtuar drejtorë të cilët më pas do të zgjedhin arsimtarët sipas direktivave të partisë, kurse këta të fundit, për të ruajtur vendet e punës, duhet t’u shërbejnë partive.

“Në këtë mënyrë, ata nuk janë më drejtues dhe mësimdhënës të institucionit, por ushtarë të partive politike”. Partizmi është prezent përpos në shkollat fillore e të mesme, edhe në universitetin shtetëror  dhe atë  privat. “Në të gjitha këto institucione arsimore, për fat të keq mbi 80 për qind e kuadrove janë ish-politikanë të partive politike apo njerëz që aktualisht janë aktivë në politikë. Me përjashtime minimale, të gjithë ata kanë arritur deri te gradat shkencore falë direktivave politike që kanë dhënë parti të ndryshme në kohë të ndryshme.”

Kjo që ndodh me caktimin e kuadrove mësimdhënëse në universitete dhe shkolla, është një tragjedi e thellë kombëtare. “Kuadrot e mira mbesin anash, sepse nuk janë aktivë në parti. Kjo ndodhë jo vetëm te shqiptarët, por edhe te maqedonasit. Partitë që janë në pushtet, mundohen të sjellin kuadrot e veta, qoftë drejtorë apo arsimtarë, pavarësisht nëse posedojnë ose jo vlera. E rëndësishme është të jenë aktivistë apo njerëz të afërt me partinë”.

Ka pasur shumë iniciativa e premtime për depolitizimin dhe departizimin e arsimit, sjelljes së kuadrove me vlerë, mirëpo kemi mbetur në ‘vendnumëro’. Ata thonë se nuk ka mekanizëm i cili do të avanconte zgjedhjen e mësimdhënësve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore mbi kriterin e cilësisë dhe aftësive profesionale. Nëpër shkolla madje nuk ekzistojnë as formalisht komisionet për vlerësim, të cilët do të vlerësojnë kandidatët se cili është më i miri. Për këtë arsye, fiton ai i partisë. Fatkeqësisht, politika ka marrë gjithçka në dorën e saj. Qeveria e Maqedonisë agjiton për rrënimin e vlerave. Sot, çdo kush mund të bëhet student e të merr një diplomë, të magjistrojë dhe të doktorojë, sepse çdokush mund të punojë si arsimtar, profesor e profesor universiteti.

Në rrethana të këtilla, është shumë normale duke filluar nga shkollat fillore, të mesme e deri  te universitetet që të mos presim tjetër vetëm shndërrimin e tyre në vende ku fabrikojnë dëftesa e diploma duke nxjerrë kuadro me kapacitete të limituara e pa vlera.

Komentet

komentet