Murezani godet Kasamin: Kë po e përfaqëson ti me Lëvizjen BESA?!

0

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, krahut të Kahremanit, Orhan Murtezani në një intervistë për portalin “Plusinfo” shpjegon ngjarjet që po ndodhin në dy taboret e kësaj partie. Ja intervista e plotë:

Ish kryetari i Lëvizjes BESA, Kasami, pohon se ka përkrahjen e tre deputetëve dhe se në takimin me kryeministrin Zaev, BESA ka marrë ftesë për të hyrë në qeveri në pranverë. Në këtë kontekst ju lutem për qëndrimin tuaj në lidhje me hyrjen në qeveri, dhe a janë të sakta informacionet që i thotë Kasami se tre deputetë të Lëvizjes BESA e mbështesin atë dhe jo zotëri Nexhbedin Kahremanin? 

Edhe pse nuk është dinjitoze të komentohen qëndrimet e atilla, megjithatë për hir të informimit të opinionit do të shpjegoj se Lëvizja BESA i ka pesë deputetë, prej të cilëve dy janë nga ish RDK-ja e Rufi Osmanit. Aktualisht, pas kësaj përçarje, edhe pse grupi parlamentar mbetet formalisht i unifikuar, realisht ish kryetarin e Lëvizjes BESA e mbështesin vetëm dy deputetë nga RDK-ja.  Për deputetët e Besës, si edhe për tërë shumicën, u.d. kryetar i Besës është deputeti Nexhbedin Kahremani.  Për atë çfarë do të ndodhë në pranverë, do e shohim. Le të çelin lulet njëherë, pastaj e shohim. Edhe Pranvera Arabe u paralajmërua si pranverë, por u shndërrua në dimër.

Cili është qëndrimi juaj për informacionet se BESA në pranverë do të hyjë në qeveri?

Edhe kur formohej qeveria, por edhe më vonë, ne kemi thënë se do të jemi këtu për mbështetjen e procesit reformues dhe për t’i dhënë fund regjimit. Por, atëherë nuk arritëm të merremi vesh për çështje parimore. Megjithatë, never say never. Nëse dikush shfaq nevojë për mbështetjen tonë, ne jemi këtu. Nga bisedat dhe takimet nuk ikim. As nga përgjegjësia.

Sa deputetë e mbështesin zotëri Nexhbedin Kahremanin dhe a është i vërtetë pohimi i Kasamit se atë e mbështesin tre deputetë dhe ai sërish do të zgjidhet kryetar, ndërsa grupi i zotëri Kahremanit në të njëjtën ditë do të formojë parti të re?

Po e përsëris edhe një herë se për deputetët e Besës z. Kahremani është ushtrues detyre kryetar, ndërsa për atë se kush do të jetë i detyruar të bëjë parti të re, ajo do të dihet pasi të vendosë gjykata. Përveç nëse edhe për atë nuk janë marrë vesh më parë, gjë që do të ishte shumë indikative.

Si i komentoni akuzat e Kasamit se vetëm rreth njëzet, siç thotë përfaqësues të sektorit joqeveritar, janë të pakënaqur dhe se kanë vënë dorë në partinë, por të cilët janë frikuar se në kongres nuk do të zgjidhen në kryesinë e partisë dhe për këtë shkak i kanë shkaktuar këto ndarje në Besë, si dhe për pohimin se shumica e Besës e mbështet Kasamin?

Do e përsëris që këso akuza të pahijshme nuk meritojnë aq vëmendje, por ja po i sfidoj – le t’i publikojë ish kryetari emrat e pjesëmarrësve në të ashtuquajturin Këshill Qendror të atij, ashtu siç i publikuam ne, dhe opinioni vetë le të vendosë se kush me kë është dhe kush e ka shumicën.  Ndërsa, nëse bash doni ta dini çfarë ndodhi gjatë kësaj përçarje, ajo e ka vetëm një shpjegim: ish kryetarit i ndodhi SHUMICА. 64 anëtarë (në anën tjetër kishte rreth njëzet) të Këshillit Qendror votuan për shkarkimin e tij. Për një njeri me dinjitet kjo është shenjë e mjaftueshme. Për të tjerët vazhdon shfaqja me motive tragji-komike. Ndoshta shpesh e kanë lexuar “Zonja Ministreshë” të Nushiqit.

Kasami gjithashtu thotë që njëri nga kundërshtarët e tij ka qenë në protestat për mbështetje ndaj Presidentit të Turqisë Taip Erdoganit dhe se ajo dhe njerëzit e tillë do të jenë një e kaluar për Besën. Si i komentoni akuzat e këtilla?  

Këto janë muhabete pas darke, të cilat edhe për fëmijët janë një kiç, e lëre më për të rriturit. Nëse bëni këso analiza dhe i keni parasysh fotografitë e njerëzve me të cilët ai është tani, do të ishit habitur se kush ku ka qenë, madje ndoshta atje do të kishte pasur punë edhe për organet e sigurisë së shtetit. Ndërkaq, nëse flasim për temën e hipokrizisë, kujtojeni pak fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale, shiheni kush paralajmëronte dorëheqje nëse humb në zgjedhje, kush ku ishte dhe me kë fotografohej dhe gjithçka bëhet e qartë. Akuza provinciale!

Komentet

komentet