Na duhet një Kongres Mbarëpartiak Shqiptar!

0

Nga Arben TARAVARI

Një nga veçoritë fatkeqe të kombit tonë është “konflikti brenda llojit”! Shkurt muhabeti shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin! Në lagje, në punë, në shkollë, vihet rè një inat qesharak ndaj njëri-tjetrit! Sidomos kur ndonjëri nga ne përparon! E mira e tjetrit duket se është e keqja automatike për shumicën e kolegëve!

E di që ky konstatim është i rëndë por kjo është e vërteta e hidhur që flè brenda shoqërisë tonë. Shqiptarët i bashkojnë vetëm vdekjet se dhe në dasma kanë filluar shkojnë me pahir…

Ç’është kjo dashakeqësi që kemi ndaj të mirës së njeri-tjetrit? Është ndonjë gjen fatal i trashëguar nga të parët apo është lojë e pistë politike që na ka bërë të humbasim sensin e altruizmit, miqësisë pa interesa të ngushtë, sensin e të mirës së përbashkët?!

Unë si mjek i besoj shumë ADN-së që është një zinxhir që mban brenda valixhe me virtyte dhe vese nga paraardhësit tanë! Duke studiuar gjenetikën më është forcuar bindja se është shumë e rëndësishme se nga cila familje vjen, nga cili fis, nga cili komb! Gjenet çojnë me fanatizëm shkencor gjyshin te nipi, stërgjyshin te mbesa, e kështu me radhë! Në gjakun tonë jetojnë të parët tanë, të cilët nuk besoj se kanë dash të shohin ndonjëherë keq njeri-tjetrin! Prandaj, assesi inati që kemi ndaj të mirës së tjetrit nuk është gjenetik! Padyshim kjo është një strategji e ndyrë, e pistë, djallëzore politike!

Divide et Impera! Përça dhe Sundo! Kjo thënie latine i dedikohet armiqve dhe tradhtarëve! Për fat të keq, shumica e tyre kanë bërë politikën për shqiptarët! Politikanë shqiptarë që shajnë, gënjejnë, vjedhin, korruptohen-korruptojnë, luajnë bixhoz me jetët e fëmijëve të popullit të tyre…e frikshme!

Gjithsesi ka një kastë politike që është një shpërthim i popullit! Që ka dalë si një pasojë gjenetike e këtij populli trim e vëlladashës! Le të bashkohemi për fatet e popullit tonë, të paktën për çështjet Madhore! Ky është Apel, Thirrje! Ndryshe nuk jemi shqiptarë por jemi tradhtarë! Shqiptarët nuk janë popull vëllavrasës dhe këtë e dëshmon historia!

Është koha që partitë politike shqiptare që ndjehen si të tilla të bashkohen për të bërë atë që duhej bërë shumë kohë më përpara! Duhet të duam më shumë njëri-tjetrin. Të lëmë inatet, qoftë dhe ato të justifikuara të cilat nuk janë pak, por qëllimi është më madhor se çdo zemëratë në rastin tonë. Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, z.Zijadin Sela është i pari që promovoi një tryezë të përbashkët për partitë politike parlamentare shqiptare, një tryezë e cila shqyrton problemet më madhore të shqiptarëve dhe sado në atë kohë kishte skepticizëm ndaj idesë së z.Sela dhe nuk pati angazhim të të gjitha partive shqiptare, ishte pikërisht kjo iniciativë që solli ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe (me të gjitha mangësitë që i ka në vete), produkt i vetëm i kësaj tryeze, që më vonë ky ligj të votohet unanimisht nga të gjithë deputetët shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë (si asnjë ligj tjetër në këto 27 vitet e pluralizmit).

Përpara nesh qëndrojnë sfida të cilat nuk mund të na lënë indiferent, si ajo e Emrit të shtetit, si Punësimit, të Integrimit në institucionet ndërkombëtare! Shqiptarët duhet të bashkohen rreth motiveve politiko-sociale dhe të çojnë këtë sfidë deri në fund pasi fatkeqësisht disa parti duke nisur betejat në emër të këtyre idealeve ndryshuan kursin rrugës, duke shfrytëzuar një popull për llogaritë e tyre multimilionëshe! Populli është lënë i papërfaqësuar në qeveri, ai ka pas ca të dërguar të cilët janë prezantuar si etnikisht shqiptarë por kanë prishur punë për shqiptarët më shumë se çdo etni tjetër!

Është detyra jonë, e çdo partie, të bëj atë për të cilën merr guximin të deklarohet: të zhvillojë kushtet e jetesës për individët nga të cilët kërkojnë votën dhe japin 1 mijë premtime gjatë fushatave! Ata që marrin në dorë kuajt e politikës shpesh sakrifikojnë ushtarët për beteja personale! Këta lloj kalorësish po vjetrohen, populli nuk i do më! Tash ritheksoj detyrimin, nevojën dhe strategjinë e një Tryeze Politike Shqiptare, e një Kongresi Mbarëpartiak Shqiptar! Gjërat që na bashkojnë janë më të forta se gjërat që na ndajnë!

Marrë nga gazeta Koha, Shkup