“NA IKU EDHE ZOTI SKENDER AHMETI”

Prof. Dr. Nebi Dervishi

Na iku edhe zotri Skenderi, pishtarë dhe veteran i arsimit shqip në Strugë e rrethinë. E përcollëm të dielën më 25.12.2016, në varrezat e qytetit të Strugës, e pa ceremoni zyrtare. U tha se kjo kishte qenë dëshira e tij. Është një humbje e pakompenzuar që mjedisi struganë do ta ndjejë gjatë. E di, një klishë kjo që nuk shmangë dotë, sepse, në fund të fundit, ikja nga jeta e çdokujt është humbje për familjen, për njerëzit, për shokët e miqtë, çka është krejtë njerëzore. Por, ndarja me zotri Skenderin shkon përtej kujtimeve dhe nxit për refleksion. I kapluar nga kjo ndjesi, po përpiqen të hedh këta pak rrjeshta, në këtë portret modest!

Sado që mundohesh të gjesh shprehje e fjalë të zgjedhura e më të qëluara kur të lind ideja të shprehësh sinqërisht mirënjohjet ose si në rastin tonë me rastin e ndarjes nga jeta të zoti Skenderit, një person të merituar, duket se asnjëherë se ke qëlluar e s’e ke thënë të vërtetën. Kjo, për arsye se vepra që bëjnë këta njerëz në të mirën e kombit, qoftë në fushën e arsimit, kulturës, artit figurative, letërsisë, sportit, e në veçanti të muzikës tradicionale, është thënë gjithmonë pak. Kjo na bie ndër mend sidomos në raste të veçanta, fjala vjen kur mbahet një manifestim me karakter kombëtar. Dhe, si për çudi, harrojmë, me apo pa vetëdije, që të bëjmë vlerësime reale e të mirëfillta, për këta xhevahirë të kombit.

Në mesin e atyre që kanë kontribuar për çështjen e arsimit, të edukimit dhe kultivimit të kulturës popullore, ndër më të merituarit ishte Mësuesi Skender Ahmeti, veteran e pishtarë arsimi dhe njeriu (personaliteti) që e mbajti gjallë jetën kulturore në Strugë, për gati një gjysëm shekulli.

Lindi në Strugë në vitin 1937, në një familje të njohur qytetare, CUKA, famlje atdhetare, mirëpritëse e bujare dhe me tradita të forta kombëare. Zoti Skender i trashëgoi ato dhe i shpalosi gjatë tërë jetës së tij si në kryerjen e detyrës si mësues në marrdhëniet në shoqëri, e po kështu edhe në veprimtarin, zgjuarsinë, mikëpritjen e bujarinë, kurse nga nëna e tij, një nënloke e vërtetë shqiptare, e mençur, trashëgoi mirësinë, zemërgjërësinë të shoqëruara këto me punë atdhetare, fisnike dhe arsimdashëse.

Vite më vonë, në ndeje të rastit, duke pirë kafenë do të na thoshte: “Gjatë shkolimit fillor pata fatin të kem mësues të devotshëm Myfit Sinojmerin, Sami Shehun e Syrija Imamin, të cilët më brumosën dhe më kalitën në zanatin e mësuesisë”. Pra, shkollën fillore shtatëvjeçare e kreu në shkollën “Liria” në Strugë, ndërsa Normalen në “Liria” në Shkup në vitin 1958 (Është gjenerata e vetme që mbaronë normalen me kohëzgjatje pese vjeçare). Që si normalist ka qenë për së tepërmi i interesuar për artin në përgjithësi, e në veçanti për muzikën. Prandaj ka qenë i rregullt dhe i pasionuar në orkestrën e mandolinave, në grupin këndues dhe në korrin e shkollës, ku fati i buzëqeshi që të ketë udhëheqës artistik, veteranin e arsimit dhe doajenin e muzikës shqiptare në trevat lindore, Struganin prof. Syrija Imamin dhe profesoreshën e respektuar zonj. Nadire Krasniqi. Pas mbarimit të normale në vitin 1958, zot. Skender caktohet mësues i Edukatës Muzikore në Shkollën Tetëvjeçare “Fejzi Vinca” në Veleshtë të Strugës. Pasi në këtë vatër arsimi gjeti një frymë të veçantë vëllazërore, mësuesi i ri Skender, pa humbur kohë nisi të aktivizohet duke formuar orkestrën e mandolinave dhe grupin këndues.

I pasionuar pas muzikës, në vitin 1962, mësuesi Skender do të regjistrohet në Shkollën  e Lartë Pedagogjike – Dega e Muzikës, në Sarajevë. Pas mbarimit të studimeve profesionale të muzikës, në vitin 1968, fillimisht për disa muaj u angazhua në lëndën e muzikës në Gjimnazin “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, e prej aty u transferua në shkollën Tetëvjeçare të qytetit, ku priti edhe pensionimin në vitin 2000. Si mjeshtër i muzikës dhe këngës së kultivuar qytetare, krahas punës së rregullt të pedagogut, zoti Skender gjatë tërë këtyre viteve nga vitet ’60 të shek.XX dhe derisa i mbylli sytë, është marrë me aktivitete të tjera jashtë proçesit arsimor. Së bashku me një numër intelektualësh struganë, në vitin 1968, në vigjilje të kremtimit të 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kasriot – Skenderbeut, formojnë Shoqërinë Kulturore – Artisitike “Migjeni”, e cila është aktive edhe sot, ku zoti Skender ushtroi detyrën e udhëheqësit artisitik dhe falë meritave të tij kjo shoqëri konsiderohet si njëra nga shoqëritë më të suksesshme në trevat lindore shqiptare. Ai, që nga viti 1991, ishte ndër themeluesit e Festivalit Këngë Jeho në Strugë, dhe mirrte pjesë me programe artistike në të gjitha ngjarjet (evenimentet), festat kombëtare etj., që organizoheshin në Strugë e rrethinë, duke dhënë kontributin e tij të çmuar dhe duke qenë shembull për ne të tjerët.

Për të kompletuar këtë portret modest, do të parafrazoi një shkrim të mikut tonë, zot. Tahir Hoda, i cili gati 20 vite më parë për këtë figurë do të thoshte:

“…Të gjitha baticat dhe zbaticat e fatit të SH.K.A “Migjeni” janë të lidhura e të mishëruara me punën dhe mundin e pakursyer të këtij personi të pasionuar të këngës së vjetër qytetare. Defiluan e shkuan shumë ardashës, instrumentistë, këngëtarë e valltarë nëpër radhët e “Migjenit”, po strumbullari i saj mbeti stoik veçse ky doajen – strumbullarë i punës në shoqërinë “Migjeni”. Të flasësh për punën, mundin dhe djersën e pakursyer të tij, është vështirë që të përcaktohesh se nga t’ia fillosh më parë e ç‘të thuash më shumë.. Edhe kur s’na e ka ënda e s’na këndohej ishte Skenderi ai që na ngazëllonte dhe motivonte. E shkretë do të ishte Struga Jonë – djep i muzikës, të cilin e trasoi i respektuari Syreja Imami, të cilin ia falëm Shkupit, me gjithë viset tjera anekënd vendit. Po, ja zemërgjërë u treguam edhe fati deshti e na dhuroi një doajen tjetër, prej të cilit është koha që të mësojmë se si e ç‘duhet bërë, nga shembulli i këtij njeriu kaq punëtorë e kaq fisnik, kaq punëmadhi e fjalëpaku. Se njeri i punës është i heshtur, ndërsa punëpakti është fjalëshumë e të zëshëm…. Të gjithë struganët, instrumentistë e këngëtarë të ditëve tona, kaluan nëpër shkollën e duart e këtij mësuesi të nderuar. Dhe i janë mirënjohës, me përjashtim të ndonjë bukëshkeli që di ta injorojë se është i dashuruar në kallëpin e tij prej kokëboshi e kokoshi që s’vlen për asgjë, pos për t’u kënaqur me vetveten para pasqyrash si kushedi se kush po në fakt demagog – askushit që s’i prish punën kujt, pos vetes së tij prej të mjeri. Në sajë të punës së zotëri Skenderit, që sot e përcollëm  në botën e amshuar, sot në Strugë e rrethinë i kemi kaq shoqëri, orkestra, solistë e kantautorë….”.

Emri i zot. Skender Ahmetit do të kujtohet për herë nga ne që punuam së bashku gjithë këto vite, dhe nga gjeneratat që do të vinë për shembullin e skarificës e punës vetmohuese.

I jemi mirënjohës për aq sa ka bërë. Ia kishim lakmi se shembulli i tij na mësoi dhe na i dhuroi forcën se si duhet mbajtur gjallë jeta kulturore e një kombi.

Lavdi emrit dhe veprës së njeriut që mbajti gjallë jetën kulturore.

Le ta ruajm këtë çast nderimi për këtë figurë model!

 

Comments

comments