Në Institutin kroat të Historisë-Zagreb, u përkujtua vepra jetësore e shkencore e...

Në Institutin kroat të Historisë-Zagreb, u përkujtua vepra jetësore e shkencore e Prof.dr.Zef Mirditës

Vepra e Prof.dr.Zef Mirditës, do të shkëlqejë gjithmonë brez pas brezi me artësi 

Ishte ora 14.00, kur vinin kohë pas kohe Akademikë kroat, profesorë të ndryshëm, intelektualë të fushave të ndryshme si shqiptare ashtu edhe kroate, veprimtarë të tjerë të dëshmuar si dhe familja e ngushtë e profesorit, si bashkëshortja, vajza, djali dhe anëtarë të tjerë të familjes. Në sytë e familjarëve, padyshim shihje një mall e në anën tjetër edhe krenari, sepse babi i tyre, një jetë të tërë e shkriu për çështjen kombëtare. Gjersa vinin musafirët e ftuar në këtë tribunë apo Akademi përkujtimore për Profesorin Mirdita, aty në ballë të sallës shihej edhe në projektor, një përzgjedhje fotografish e profesorit ndër vite. Ai, si është kjo jetë, buzëqeshja shpirtërore e origjinale, që buronte nga shpirti i tij i sinqertë më ktheu para tre viteve, atëherë, kur ishim musafirë në shtëpinë e tij dhe pata nderin të realizoj një intervistë e do ta ruaj si një ndër dhuratat më të veçanta. Në ate kohë, Profesori, gjersa bashkëbisedonte për pyetjet e parashtruara, herë pas here, me mjeshtrin e tij si profesor me përvojë të gjatë, dinte ti jepte freski bashkëbisedimit tonë, me disa batuta të lezetshme, që vërtet sa herë që fliste, më shkonte mendja, të ngritem e ta përqafoj. Vepra e tij ishte dhe do të mbetet e artë dhe ja si i erdhi koha, vepra e profesorit, të përkujtohet, në njërën nga sallat më të mira, në „Në sallën e artë“ të Institutit kroat të historisë në mes të Zagrebit. 

Krenari e mburrje për veprën e profesorit tonë. Në mesin e shumë personaliteteve kroatë, pashë edhe veprimtarë të tjerë shqiptarë, si profesorë etj. Nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ishte z.Uliks Emra – I ngarkuar me punë, nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, prezent ishte, z. Ilir Qori . Nga Zvicra, kishin ardhur edhe kryetari i SHHLP-së, z.Fazli Musliu i shoqëruar nga unë tekstëshkruesi. Në mesin e shumë të pranishmëve, ishte edhe zonja, deputete e parlamentit kroat, Ermina Lekaj Prljaskaj, Esad Çollaku, kryetar i Unionit të të Shqiptarëve të Kroaci, Ardian Kozniku, ish futbollisti i mirënjohur, Ilir Kerni baletani i njoftur i ynë, i cii deri para pak muajve ishte edhe Drejtor i Balet të Operës në Tiranë etj. Tubimin e moderoi mjeshtërisht zonja e nderuar Dorotea Kerni, drejtuese e Bibliotekës Shqiptare në Zagreb, ashtu si i takonte profesorit tonë Zef Mirdita. Edhe para se të fillonte moderatorja këtë tubim, rreth e përqarkë kësa salle, shikoja dhe më shkonte mendja te profesori, që sa herë e sa herë, ka marrur pjesë në këtë sallë me evenimente të ndryshme shkencore.

Tribunën e hapi zonja Dr. sc. Jasna Turkalj, e cila e përshkruajti jetën e Prof Zef Mirditës dhe u koncentrua në ardhjen e tij në Institutin e Historisë së Kroacisë, duke vlerësuar lart punën e madhe shkencore që e ka dhënë profesor Mirdita.

Me disa fjalë e kujtoi edhe Prof. Serco Dokoza, Arbëresh nga Zara, i cili u koncentrua në punën e madhe të Prof. Zefit dhe të Prof. Aleksander Stipcevicit dhe, se si ata, pra që të dy janë kuptuar dhe kanë qenë miq të vërtetë, si  dhe i kanë ndihmuar njëri tjetrit. Fjalët e z.Serco, ishin padyshim me emocione ku edhe u mirëpritën nga të gjithë të pranishmit e shumtë, që kishin mbushur sallën përplot e përplot.

Zonja, Dr.sc. Mirela Slukan Altic, e cila përshkroi punën e saj në librin ” Gjeografija Historike e Kosovës” dhe si profesor Zefi e ka ndihmuar shumë dhe tu i dhënë materiale e harta për ta shpjeguar dhe shkruar librin si është më së miri. Zonja Alti?, gjersa fliste para të pranishmëve, bënte edhe një heshtje sekondash nga emocionet, që më nuk është në mesin tonë profesori Mirdita. Zonja në fjalë, përmendi, se ishte skeptike, se a do ta ketë fatin që ta ndihmojë profesori Zefi në projektin e saj, por profesori i nderuar, me shumë dashamirësi jo vetëm se i ndihmoi, por edhe edhe e motivonte që ta kryente studimin si është më së miri. Prandaj, edhe me këtë rast, por edhe gjithmonë, do të jetë mirënjohëse.

Ndërsa, Akademiku August Kovacec në fajlimin e tij, paksa më të gjatë se sa referuesve të tjerë, u ndalë në një histori të shkurtërt të jetës së profesorit, duke e vlerësuar madhërishëm. Akademiku, me detaje e përshkruajti se, Prof. Zef Mirdita, ka qenë Historian dhe Albanolog dhe ka ditur disa gjuhë të huaja dhe e ka ngritë çdo temë, që e ka shkruar në një nivel të lartë. Ai rikujtoi, edhe për temën e doktoratës së profesorit, që e kishte për Dardanët dhe theksoi ndër të tjera, Profesor Mirdita, shumë kotribuoi për historinë. Më vjenë mirë, që kam bashkëpunuar edhe në disa nga librat e profesorit. Do të ruaj kujtime shumë të mira.

Fjala iu dha edhe Dr.sc.Gordan Ravancic, zëvendëse e drejtorit të këti Instituti, tregoj i emocionuar me punën e prof.Zef Mirditës dhe si ka filluar të mësohet me punën në kompjuter dhe si kanë bashkëpunuar në të gjitha librat e tija të botuara në Zagreb nga Instituti i Historis së Kroacisë. Dr.Ravan?i?, me modestinë e tij, meriton të përmendet, se së bashku me z.Prekazi kishin ardhur më herët në sallë dhe me shumë modesti, shikonin që çdo gjë të shkoje mirë në përkujtim të profesorit Mirdita. Në  emër të familjes Mirdita u falënderua vajza e Prof Zefit, Doc. dr.sc. Marta ?ivljak. Ku falënderoi këshillin organizativ dhe të gjithë të pranishmit.

Zonja Dorote Kerni në fund të këtij tubimi e lexoi edhe një fjalë rezyme të Prof.dr.sc. Muhamet Malës, i cili edhe pse shumë deshti të jetë prezent, sipas organizatorëve u bë e ditur, mungesa e tij ishte për shkakë të vonesës së vizës, që nuk ka mundur ta marë e të vij në Zagreb për këtë tubim përkujtimore me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të Profesor Zef Mirditës. Kryesia e Bashkësisë Shqiptare të Zagrebit dhe Prefektura e Zagrebit, kanë vendosur, që për nder të Profesorit Mirdita, ti akordoje një bursë vjetore studimi për një student me rezultate të shkëlqyeshme, ku vërtet ishte një emocion në vete për këtë ide të shkëlqyer. Siç dihej, Prof.dr.Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Një jetë ia kushtoi shkencës, ai në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Më 3 nëntor 1972, doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën Dardanci i Dardanija u antici (Dardanët dhe Dardania në Antikë). Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, me qindra studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika, etj., po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht, me një fjalë, puna e tij ishte dhe do të mbetet e artë. Nga 1 marsi i vitit 1993 ka punuar si këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë. Edhe pse nuk mundi të jetë fizikisht në këtë tubim përkujtimorë, Prof.dr.Muhamet Mala, kishte dërguar organizatorëve fjalën e tij, që kishte dashur ta thotë para të pranishmëve e ndër të tjera shkruan:

„Me rastin e 1 – vjetorit të ndërrimit të jetës së Akademik  Zef Mirdita, historianit dhe eruditit  të shquar  shqiptar 

Prof. dr. Muhamet Mala

Të nderuara zonja dhe zotërinj,te nderuar , profesor, punëtor shkencorë, familjarë te profesor Mirditës, te gjithë ju që sot jeni mbledhur këtu dhe  që në çfarëdo mënyre shprehni respektin dhe konsideratën më të lartë për jetën dhe veprën e profesor Zef Mirditës në një vjetorin e ndërrimit të jetës së  tij. E nderura znj. Ermina Lekaj, Deputete e Kuvendit te Republikës së Kroacisë, I nderuar Z. Sejfedin Prekazi udhëheqës i shoqatës se shqiptarëve të  qytetit të Zagrebit, punimi  im  elaboron  In Memoriam. Kontributin e Akademik Zef Midritës  historisë, kulturës dhe religjionit të shqiptarët. Të radhë janë ata njerëz në historinë e botës intelektuale, që  me studimet e tyre  kushtuar  të kaluarës   kanë arritur aq mirë ta  pasqyrojnë dhe të nxjerrin në pah  të vërtetën  historike siç beri Prof .dr.Zef Mirdita. Personaliteti i profesorit Zef  më së miri mund të kuptohet duke e lexuar dhe kuptuar drejt  veprimtarinë e tij të begatshme shkencore. Veprimtaria e tij shkencore shquhet për korrektësi dhe siguri në paraqitjen e argumenteve historike.  Ishte njeri i përkushtuar ndaj studimit  dhe publikimit të vërtetave historike dhe i mbeti besnik këtij parimi deri në fund te jetës. Profesor Zef  në opusin e tij të gjërë shkencor kishte bërë  për moto të jetës një thënie të Papës  Leoni XIII,  i cili duke ju drejtuar me 1882 studentëve të historisë i këshillonte me këto fjalë: “Prima est historiae lex, ne quid falsi dicere audeat, deinde ne quid veri non audeat.” (“Ligji i Parë i historisë është, që mos të guxohet të thuhet diçka e rrejshme, pastaj mos të guxohet të heshtet e vërteta”). Studimet e profesorit Zef për objektiv kanë pasur një shtrirje të gjatë kronologjike ç’prej  parahistorisë deri ne historinë bashkëkohore, por fokusin kryesor e kishte te  historia e antikitetit dhe të mesjeta e hershme. Ndërkaq, në aspektin hapsinor ishte fokusuar te historia e Europës Juglindore.

Madhështia e veprës së Dr. Zef Mirditës  nuk  qëndron vetëm  në vëllimin e vet numerik të llogaritur në disa qindra  njësi bibliografike por para së gjithash në përmbajtjen, llojllojshmërin e temave si, antikiteti dardan, antroponomia dardane, religjioni, mitologjia, si dhe tema të tjera të rëndësishme historike. Opusi  krijues i Dr. Zefit,   edhe sot paraqesin udhërefyes për zhvillimin shoqëroro-ekonomik,  politik e kulturor të popullit shqiptar. Prof. Mirdita  ju rrek një pune të vështirë, por të ndershme dhe objektivisht shkencore mbi të kaluarën e Shqipërisë. Mund të themi. ashtu si dikur Millan Shufllaj edhe prof Mirdita nga aspekti historik i konsideronte shqiptarët  më  të drejt si aleat natyror të kroatëve. Madje, ai ngritjen intelektuale dhe akademike ia kishte borxh  Zagrebit dhe Kroacisë ku u formua si studiues si shumica e klasës elite intelektuale shqiptare. Prof Zefi  në hulumtimet e veta  mbi antikitetin dhe vazhdimësinë iliro-shqipatre i sheh shqiptarët  si  popull autokton faktor të pa anashkaluar në rrjedhat e  historisë së Ballkanit. Ai me veprimtarin e tij shkencore e luftojë ëndrrën e disa studiuesve të Beogradit  të cilët mendonin se Europa duhet ta mësojë të vërteten  historike të Ballkanit vetëm përmes tyre.  Me rastin e përvjetorit të tetë të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,  ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale të Meritave. Për fund te nderuar pjesëmarrës dua ta  potencoj faktin se të gjithë ata qe e kanë njohur prof. Zef Mirditën  si njeri, e njëri ndër  ta isha edhe unë si student i   dikurshëm i tij, gjithëherë potencojnë  formësimin e tij të lartë intelektual por ai njëkohësisht   në vete ruante edhe  vetitë që nuk mësohen në libra“.

Përfundimi i kësaj tribune të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme e që shihej edhe nga fjalët e shumë të pranishmëve, duke e vlerësuar mirë, u paraqit edhe një këngë e veçantë, të cilën e ka dashtë shumë profesori i ndjerë Mirdita, me titull: “Oj Zambaku i Prizrenit“, e që shihej edhe tek shumë të pranishëm edhe loti në sy, duke e kujtuar profesorin Mirdita. Foto: Sejfedin Prekazi