Në tepsinë e oligarkëve

0

Me vendimin e ditës së mërkurë Erion Veliaj i dha një tjetër goditje mundësisë për të bërë biznes në Tiranë. Sipas vendimit të miratuar me votat e majta në Këshillin Bashkiak, ulja e taksave do të aplikohet për ato sipërfaqe pallati që arrijnë deri në 30 mijë metra katrorë dhe që do të shfrytëzohen për zyra.

Me një justifikim sa të turpshëm aq edhe qesharak, këshilli bashkiak që i majtë është vetëm në letra, por që në fakt e ka kapërcyer me vite dritë ylberin përtej të majtës dhe të djathtës, e miratoi këtë vendim duke shkelur haptazi parimin e barazisë përpara ligjit dhe duke shkatërruar politikat fiskale në favor të biznesit.

Vendimi saktëson vendndodhjen ku do të zbatohet ky vendim. Nuk është habi që harta e shtrirjes së këtij vendimi të përputhet me kullat e reja të betonit që po ndërtohen nga oligarkët. Me sa duket, kryetari i bashkisë ka vendosur që t’i shërbejë deri në fund atyre të cilët pasurojnë dita ditës atë dhe qeverinë që e ka vendosur aty ku është. Fatkeqësisht, tiranasit sot po qeverisen nga një person i cili ka për borxh të linçojë publikisht dhe paturpësisht një qytetar të përgjegjshëm kur ky i fundit e kritikon për metodat e shëmtuara të mënyrës se si takson, dhe nga ana tjetër promovon politika fiskale lehtësuese në shërbim të një grushti njerëzish.

Sot Tirana nuk është më motori ekonomik i Shqipërisë. Por, është vendi ku mbyten në djep sipërmarrjet e reja, si pasojë e verbërisë dhe makutërisë të pushtetarëve që po punojnë përditë për t’i shndërruar shqiptarët në skllevërit e tyre. Vendimi i Bashkisë Tiranë është një tjetër unazë turpi në gjerdanin e bëmave anti-biznes dhe anti-treg që një qeveri e korruptuar lokale dhe qendrore kanë ndërmarrë që në vitin 2013 dhe më tej në 2015.

Kushdo që pretendon se kjo ulje taksash do të sjellë rritjen e punësimit gënjen, pasi punësimi nuk rritet duke shtuar zyrat bosh te atyre që mbajnë peng biznesin por duke çliruar sipërmarrjen pikërisht prej tyre. E për sa kohë sipërmarrjet të jenë nën thundrën e një regjimi të padrejtë fiskal, ato nuk do të shtohen, por do të zvogëlohen. Për sa kohë që sipërmarrësit do ta shohin shtetin si protektor të bizneseve të qeverisë, ato do t’i investojnë paratë diku gjetkë.

Për ne si opozitë, ulja e taksave për të gjitha bizneset dhe lehtësimi i praktikave për të bërë biznes janë shtyllat mbi të cilat ngrihet politika jonë fiskale. Por mbi të gjitha, parimi jonë kryesor është se tregu dhe qytetarët janë ato që vendosin për një biznes dhe jo favorizimet klienteliste dhe fiskale të vendosura nga një individ i caktuar, që për interesa meskine dënon dhe ndëshkon gjithë biznesit, dhe vret shpirtin e sipërmarrjes së lirë.

Kësaj situate, ku oligarkët e sotëm mëkojnë pushtetarët e nesërm, ku bizneset e disave ushqehen me paratë e të gjithëve, ku monopolet më antiproduktive në botë mbështeten haptazi nga qeveritarë vendorë i duhet dhënë fund një herë e mirë.
Fraza më e bukur që është thënë ndonjëherë për sipërmarrjen është kjo: “një sipërmarrës e pranon përfundimisht se ka dështuar vetëm atëherë kur ai heq dorë nga marrja përsipër e riskut”. Oligarkia shqiptare ua ka hequr sipërmarrësve tanë shansin dhe mundësinë të guxojnë. Është koha të guxojmë për të projektuar zhbërjen e kësaj oligarkie.

Komentet

komentet