Nesër në sprovë koalicioni Zaev – Ahmeti, a do të kalojë Ligji për gjuhët?!

0

Vazhdimi i seancës së 32-të në Kuvendin e Maqedonisë, në të cilin në rend dite janë amendamentet për ligjin për përdorimin e gjuhëve do të caktohet nesër. Kështu është marrë vesh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me koordinatorëve e grupeve parlamentare, në të cilën kanë marrë pjesë edhe nënkryetarët e Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Nga kabineti i Xhaferit ende nuk ka informacion zyrtar, por vetëm theksojnë se kur të caktohen seancat do të vendosen në ueb-faqen e Kuvendin.

Megjithatë, pjesëmarrësit në koordinim konfirmojnë se vazhdimi i seancës do të caktohet nesër pasdite.

Deri më tani nuk ka informata se çfarë marrëveshje është arritur mes grupeve të deputetëve të BDI-së dhe LSDM-së në lidhje me atë nëse amendamentet do të shqyrtohen ose, do të votohet ligji pa debatuar.  Fillimisht seanca për amendamentet duhej të mbahet në të martën e kaluar, por ajo përpjekje ra poshtë pasi që BDI dhe LSDM nuk kanë arritur marrëveshje nëse duhet të hapet debat për amendamentet ose jo. Atëherë, një pjesë e deputetëve të LSDM-së, kërkuan që amendamentet të diskutohen që të mos shkelet Rregullorja e Kuvendit.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, vazhdon të jetë në të njëjtin qëndrim, se ata nuk i tërheqin amendamentet, ndërkaq nëse caktohet seancë, ata do të marrin pjesë me qëllim që t’i mbrojnë amendamentet.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev, dje tha se këtë javë pritet që të miratohet ligji për përdorimin e gjuhëve. Sipas kryeministrit, deputetët e shumicës parlamentare kanë dhënë edhe një javë për dialog dhe bisedim për zgjidhje të pranueshme për opozitën, por sipas tij, këtë javë, patjetër duhet të votohet ligji.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është në lexim të tretë në Kuvend, pasi që ai nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivnaov, me arsyen se është kundërkushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35.569 amendamente, me të cilat duan ta dëshmojnë se i njëjti ligj është jo-kushtetues dhe të tërhiqet. Qëndrime të kundërta ka shumica parlamentare e cila vlerëson se ligji është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.