Nishani dekoron atdhetarin Strugan

Mehmet Latifi-INA

Në ceremoninë e rastit Presidenti Nishani përkujton dhe vlerëson heronj dhe veteranë të shquar në kuadër të Ditës Evropiane të Fitores mbi Nazi-Fashizmin e ndër ata edhe legjendën e aviacionit shqiptar, Edip Ohrin-pas vdekjes.

Në kuadër të Ditës Evropiane të Fitores historike mbi Nazi-Fashizmin, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani përkujtoi, vlerësoi dhe nderoi me anë të një ceremonie të veçantë heronj, veteranë dhe veprimtarë shqiptarë me kontribute të shquara të shënuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u radhit me luftën e vet çlirimtare në anën e Aleatëve fitimtarë të saj.

Në ceremoninë solemne dhe përkujtimore të fitores vendimtare që shënoi edhe kapitullim përfundimtar të nazistëve, Kreu i Shtetit vlerësoi veprimtarët dhe veteranët e paharruar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Me dekretin Nr.10285, të dates 08.05.2017, Presidenti i Republikës i jep Edip Ohrit (pas vdekjes), “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij shumëvjeçare si një nga ushtarakët më të shquar të ushtrisë shqiptare, për cilësitë e tij të pamohueshme si pilot dhe drejtues i Aviacionit Ushtarak, por edhe për qëndrimin dinjitoz gjatë dhe pas goditjes politike nga diktatura komuniste”.

Poashtu, me këtë dekoratë janë nderuar edhe: Liri Belishova, Llazar Fundo (pas vdekjes), dhe Hamit Keçi (pas vdekjes)  duke nderuar veprën dhe kontributet e tyre të paharrueshme atdhetare në luftë për lirinë e vendit.

“Sot është 8 Maji, kur Evropa Perëndimore kujton dhe nderon përpjekjet gjigande që u bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër një të keqeje të madhe, një mizorie të paimagjinueshme, e cila me shpejtësi po tentonte të shtrinte jo vetëm ideologjinë dhe praktikat dhe modelin, por që u rrek të projektonte një të ardhme të errët për mbarë njerëzimin. Pushtimi nazi-fashist preku edhe trojet shqiptare, edhe popullin shqiptar ashtu siç preku edhe gjithë atë pjesë të njerëzimit që vlerësonte maksimalisht rëndësinë e lirisë, pavarësisë e të vetëvendosjes, edhe shqiptarët me vendosmëri nuk mund të qëndronin kurrsesi pa reaguar me të njëjtin dimension, me të njëjtën gatishmëri, pa bërë të njëjtat sakrifica si popujt e tjerë liridashës në mbarë Evropën e në botë.” – theksoi Kreu i Shtetit.

“Kemi pasur gjithmonë heronj dhe jemi me fat. Ky vend ka pasur gjithmonë dëshmorë sa herë është kërkuar që të bëhet sakrifica sublime. Nuk i trembi lufta, predhat dhe plumbat e pushtuesve. Po aq shumë nuk u tronditën e nuk u përkulën nga birucat e burgjeve të diktaturës ndaj besoj se gjithmonë këtë burra e gra, të cilët patën kurajën, edhe fatin të tregojnë se cili është dimensioni i një heroi, i një shqiptari patriot, të mbeten po aq të nderuar e të respektuar në historinë qindra e mijëravjeçare që pritet të vijojë më tej për Shqipërinë e shqiptarët përsa kohë të ekzistojë njerëzimi!”

Duke marrë Dekoratën akorduar Edip Ohrit, legjendës së aviacionit shqiptar, qytetarit të Strugës, e bija e tij, Mira Ohri, iu drejtua Presidentit Bujar Nishani, dhe të pranishmëve në Presidencë ku ndër të tjerë ishin shumë bashkëveprimtar dhe bashkëkohanik të Edip Ohrit, mandej shumë personalitete të jetës shoqërore, politike dhe kulturore, e ndër ta edhe kryetari dhe sekretari i komunës së Strugës, dr. Mustafa Zabzuni dhe Krenar Lloga, Mira Ohri tha:

“Jemi të emocionuar familjarisht ku po nderohet babai ynë i ndjerë Edip Ohri. E konsiderojmë këtë dekoratësi një vlerësim shumë të lartë nga ana Juaj, gjë e cila na bëri të jemi mirënjohës për Ju personalisht, për institucionin që drejtoni prej vitesh ashtu edhe për organizatat që e kanë propozuar.

Vlerësimi Juaj për vitet e luftës, pjesë e së cilës ishte edhe babai ynë, na bën të ndjehemi krenar. Ndjehemi të prekur nga vlerësimi që i  bëhet punës dhe kontributit në disa dhjetra vjeçare të babait tonë në radhët e Ushtrisë Shqiptare dhe të armës së aviacionit.

Ky vlerësim është gjithashtu një nderim imadh për mijëra ushtarak në mbarë vendin që e gjejnë veten të respektuar nga vitet që kanë kaluar në radhët e ushtrisë sonë. Për shumë prej tyre ashtu si edhe për babain tonë Edip Ohrin, vitet në ushtri dhe në aviacion kanë qënë vite të mbushur me shembuj sacrifice e vetëmohimi, në përpjekje të mëdha, me përkushtim e devotshmëri për detyrën, shtetin dhe uniformën ushtarake në funksion të modernizimit të ushtrisë e mbrojtjes së vendit.

Së bashku me ne ndjehen të nderuar dhe krenar brezat e aviatorëve që ngritën dhe fuqizuan armën e dashur të aviacionit sikur besoj se ndajmë nderimin dhe krenarinë e kësaj dekorate me miqte e të afërmit e babait tonë të Strugës.

Dekorata e lartë na obligonqë ta mbajmë lartë emrin Edip Ohri dhe të Shqipërisë së dashur, sepse babai ynë i takonte Shqipërisë dhe Shqipëria ishte çdo gjë për babain tonë”. (INA)

Comments

comments