Një kopsht për Antonio Gramshin dhe “shokët” e tij, Stalinin dhe Leninin, në ish-Kinostudio

 

E teksa në mbarë botën, këtë vit Antonio Gramshi po përkujtohet për 80-vjetorin e ndarjes nga jeta, nuk do të mungojë as vëmendja e Ministrisë sonë të Kulturës karshi figurës së tij. Kontributi që Gramshi (22 janar 1891-27 prill 1937) ka dhënë në politikë, mendimet e tij si filozof dhe mbështetja që u ka dhënë shtresave të varfra ka bërë që sensibilizimi për përkujtimin e kësaj figure të vazhdojë edhe gjatë muajve në vazhdim.

Koncept-ideja e rivitalizimit të “Parkut të Artit” në ambientet e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” (sot, Ministria e Kulturës) u prezantua dje nga artisti italian Alfredo Pirri në MK. Gjatë prezantimit artisti shpjegoi idenë e tij për projektin, që titullohet “Shokët dhe engjëjt”, hapësirë-kopsht, që i dedikohet Antonio Gramshit (Antonio Gramsci-t) dhe statujave të Stalinit dhe Leninit, që aktualisht qëndrojnë në murin e pasmë të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Kumbaro u shpreh se nëpërmjet prezantimit të kësaj projekt-ideje, që sjell një rifunksionalizim të parkut për një pol të ri kulturor dhe për të parë në dritën e filozofisë së Antonio Gramshit skulpturat e realizmit socialist. “Ky do të jetë një debat i gjerë kulturor, lidhur me figurën e Antonio Gramshit”.

Prandaj, sipas saj, rikualifikimi i parkut në një skenë të hapur nuk është një koncept statik. “Punuam për rikualifikimin e ish-Kinostudios, duke e sjellë jo vetëm një qendër zyrash, por edhe në një pol kulturor dhe social. Sot kemi disa institucione të artit, duke filluar që nga QK e Fëmijëve e deri tek TKOBAKVP. Morëm propozimin nga artisti Pirri për të krijuar një mesazh me një filozofi të caktuar. Ky projekt ka mbështetjen e Regione Puglia-s dhe Fondacionit “Antonio Gramshi”, u shpreh Kumbaro.

Koncept-ideja e artistit Alfredo Pirri për projektin “Shokët dhe engjëjt” është frymëzuar nga poezia “Trëndafili i Turit” (La rosa di Turi) nga Antonio Gramshi.

(Ti e di, prej një viti e sot, në cikle të përjetshme/Stinët janë brenda meje. /Pres që shokë dhe engjëj/

të bashkohen me mua. /Hap sytë papritur, /Dhe shikoj pyje rreth vetes, /Të fluturoj në tavan, /Pa harruar se…/Ti e di, trëndafili është ringjallur krejtësisht/Edhe pse, prej një viti e deri sot, /tregime e përralla dëgjoj brenda meje. /Të mbyll sytë papritur, /duke dëgjuar pyjet rreth meje, /dhe nëse hapësira nuk ekziston, /koha është mish dhe besoj se atomet dhe vakumi janë në mua. /Mendja është e dobët për atë që, /Dukshëm si ne, /Noton në një det që nuk ekziston. / Nëse duke u shtirur, i palëvizshëm, përballem me çaste, /Pak shekuj në heshtje, /Kam numëruar njëqind pështyma dhe jam këtu, /Tani që i nxehti lajmëron ngricën, /fllad i brishtë mbi mua. /Trëndafili është gjallë me siguri. / Më pas dëbora do të lulëzojë.)

Premisë

Përse mendojmë të realizojmë pikërisht në Tiranë, një vepër dedikuar politikanit dhe mendimtarit të famshëm italian, simbol i rezistencës ndaj fashizmit, të menduarit dhe shembulli praktik i të jetuarit i të cilit, është aktualisht në qendër të vëmendjes së studiuesve, institucioneve politike dhe kulturore në të gjithë botën? Pikërisht, sepse familja e tij është me origjinë shqiptare, e cila vjen në fakt nga Gramshi, një vend jo shumë larg Tiranës dhe prej aty zhvendosen në Itali ku lind Antonio më 1891.

Programi i përgjithshëm i projektit

Në disa fjalë të poemës së famshme të Antonio Gramsci-t me titull “La rosa di Turi” (Emri i vendit në të cilin ai qëndroi për një kohë të gjatë në burg gjatë fashizmit) frymëzoi titullin e veprës në fjalë: shokët dhe engjëjt. Qëllimi është që Antonio Gramsci të kujtohet jo vetëm nëpërmjet ‘një monumenti’ po nëpërmjet realizimit të një hapësire publike të karakterizuar nga prania e artit, por që ka edhe një vlerë qytetare dhe simbolike shumë të fortë: një “kopsht” që strehon brenda tij një instalacilon të përhershëm që na jep një paraqitje mes natyrës dhe historisë. Një lloj peizazhi natyral në të cilin elementi i egër dhe spontan i natyrës bashkohet me elemente botanikë dhe artistikë fuqimisht të projektuar në mënyrë të atillë që të krijojnë një ekuilibër në mes asaj që rritet në natyrë në mënyrë të mëvetësishme dhe formave të artit që janë në gjendje të dëshmojnë për integrimin me historinë dhe kulturën. Bëhet fjalë për një vend me vlerë që është tokë në pronësi publike, e cila është ngjitur dhe i përket godinës së Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, aktualisht kjo tokë është thuajse e braktisur dhe në pritje për t’u kthyer në një ambient publik. Kombinimi i emrit të Antonio Gramsci-t me një institucion shtetëror i nivelit më i lartë në fushën e kulturës, do të risillte, në një farë mënyre, në ‘shtëpi’ mendimtarin dhe politikanin e famshëm italian, duke kontribuar në zgjerimin e rolit të atij që u konsiderua interpret absolut, i cili për herë të parë reflektoi mbi rolin dhe detyrat e intelektualëve në kohët moderne dhe do ta bënte Shqipërinë vendin e parë në botë që i dedikon një vepër të qëndrueshme Antonio Gramsci-t, i cili aktualisht ka frymëzuar me dhjetëra nisma politike, kulturore dhe artistike në të gjithë botën por që mbeten vepra të momentit për të mos thënë (me qëllim por pozitivisht) jetëshkurtra.

Projekti

Projekti (në fazën embrionale) parashikon ndërtimin e një instalacioni mjedisor, që do të vendoset në kopsht në një pikë të përzgjedhur unanimisht. Instalacioni është menduar të jetë në formë panelesh të mëdha kristali, të ngjashme me një lloj “sere” me të njëjtën madhësi me qelitë e burgut në Turi. Këto pllaka strukturore prej kristali do të krijohen nga bashkimi i dy ose më shumë pllakash xhami dhe duke përfshirë në materialin që lidh (ky është një proces teknik i eksperimentuar tashmë) shtresa e puplash të shpërndara rastësisht në një mënyrë të tillë që mjedisi të duket si i formuar nga pupla shpendësh dhe se secila nga mijëra puplat e përdorura vepron si një ekran, i cili ndalon depërtimin e dritës gjatë gjithë ditës, duke ndryshuar ngjyrë herë mbas here në varësi të ndryshimit të ngjyrave të dritës natyrale. Në të njëjtën kohë, duke përfshirë edhe një burim artificial të lehtë ndriçimi në qendër të strukturës, e gjithë hapësira përreth do të karakterizohet nga miliona hijëza të vogla, të cilat do të ndërveprojnë me ambientin, duke e barë bërë atë vibrues dhe të ndryshueshëm. E parë nga jashtë, vepra do të duket si një far magjik dhe i papeshë. Kjo hapësirë (ende për t’u vendosur në se do të ketë çati ose jo) mund të mikpresë në qendër të saj një bimë … një trëndafil që do të jetë mysafiri i vetëm e i përhershëm. Instalacioni do të bazohet në një platformë-bazë paksa ngritur nga toka, disa centimetra, e shpuar në qendër në mënyrë që të strehojë trëndafilin, si një vazo e madhe lulesh. Rreth kësaj strukture dhe të harmonizuara me disa prej pemëve më të mëdha që ky kopsht ka, do të vendosen disa statuja të mëdha (të plota ose të pjesshme) ekzistente, të cilat aktualisht janë të depozituara në pjesën e prapme të Muzeut të Artit Modern (GKA) në Tiranë. Statuja bronzi të hedhura në tokë gjatë revolucionit që solli shtetin e ri dhe statuja që përfaqësojnë liderët politikë (Lenin-in, Stalin-in …) të cilët Gramsci ndoshta duke aluduar i quan shokë në poezi, dhe nga të cilët (të paktën nga Stalini) pret ndihmë, pret një plan që do ta nxirrte atë nga burgu. Këto statuja (origjinale ose kopje) do të mbështillen me grila të veshura me bimë (por me karakteristika më të forta dhe më skulpturore sesa rrjetet e zakonshme që përdoren në këto raste) me qëllim mundësimin e rritjes së bimëve kacavjerrëse të cilat do të dalin plotësisht ose pjesërisht jashtë, të cilat do të lulëzojnë dhe do t’u bien gjethet sipas stinëve. Statujat do të komunikojnë me ‘serën’ në një rrafsh simbolik, sipas shpresës së Gramsci-t për të dalë nga burgu, duke bërë së bashku engjëjt dhe shokët, ndoshta të imagjinuara në poezi ashtu, si engjëjt që zhvendosin shtëpinë e Marisë nga Nazareti në Loreto, pra të aftë për të transportuar, si idealet, organet fizike në vende të tjera, duke i bërë ato organe shpirtërore. E gjitha kjo do të plotësohet me një projekt peizazhi dhe natyral që do të thellohet më tej.

Mënyra:

Plani përfshin procedurat dhe periudhën e mëposhtme: Në shtator 2017 do të organizohet një seminar pune që do të zhvillohet në Tiranë për të shpalosur parimet e projektit, duke vënë në dukje treguesit paraprakë artistikë të projektit dhe identifikimin e figurave dhe organeve që kanë për qëllim zbatimin e tij, përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive (si ekonomike dhe menaxhuese). Menjëherë pas kësaj, do të hartohet një plan pune me bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha figurave të identifikuara gjatë seminarit. Në dhjetor të 2017-ës do të organizohet një konferencë ndërkombëtare kushtuar figurës së Antonio Gramsci-t që do të mbahet në Universitetin e Tiranës, ku do të ketë një prezantim publik të projektit për botën akademike. Për të vazhduar më tej me projektin sipas kohës dhe mënyrës së përcaktuar gjatë rrugës së përbashkët të zhvillimit të tij.

Mario Bruneti: Përse duhet kujtuar Antonio Gramshi

Në muajin prill erdhi në Shqipëri politikani dhe gazetari me origjinë arbëreshe Mario Bruneti, i cili për “Shekulli”-n rrëfeu përpjekjet, që ishte duke bërë në dyert e institucioneve, për njohjen e figurës së Antonio Gramshit, origjina e të cilit mendohet se është Gramshi. “Ai ka themeluar Partinë Komuniste në Itali dhe ka qenë praktikisht njeriu që kontribuoi në partinë ndërkombëtare në Moskë. Fashizmi e burgosi! Kështu që në këto momente nuk po flas për ideologjizmat e partisë komuniste, por po flas për Gramshin, si filozof, i cili ka analizuar instrumentet e vlerësimit të shoqërisë. Kjo çështje na jep neve një metodë për të hetuar mbi shoqërinë, mbi proceset që çojnë në ndarje midis të pasurve dhe të varfërve”. Sipas Brunetit, shkrimet e Gramshit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, madje ka hipoteza që pas Biblës është një nga autorët më të përkthyer në botë. “Është një mendje e madhe, që askush nuk mund ta vendosë në diskutim”.

Comments

comments