Njihuni me politikanët më të “çuditshëm” të Shqipërisë

Ndocaj dhe historia e tij është vetëm qershia mbi tortë e përfaqësuesve të çuditshëm të popullit në Parlament.

Absurditeti është që Parlamenti i parë në ‘92 kishte më shumë intelektualë sesa të tjerët ndër vite. Sot, në sallën e përfaqësuesve të popullit kanë hyrë edhe deputetë të cilët publiku nuk i sheh si përfaqësues.

Kur u shfaq në 2013-n si kandidat, Ndocaj u bëri përshtypje të gjithëve me paraqitjen e tij, me kapele kauboji, nga e cila mori edhe nofkën “kaubojsi”. “Kemi këtë kongresmenin nga Teksasi këtu”, tha Rama kur e prezantoi në një miting.

Ndocaj nuk u zgjodh, por Dekriminalizimi kapi të tjerët në listë para tij, si Arben Ndoka. Megjithatë, një personazh si Ndocaj u përmend edhe si kandidat për kreun e PS.

Një tjetër është Nard Ndoka, filozofi. Jo të gjithë e dinë kryetar i cilës parti është, por që është kryetar dhe filozof këtë e dinë të gjithë nisur nga batutat e tij.

Agron Shehaj tronditi Parlamentin me fjalimin e tij të parë. Ai pranoi kandidimin pasi kryetari Basha iu lut 6 muaj rresht. Grida Duma, simpatikja e PD, në kandidimin e saj për bashkinë e Durrësit shpërndau një video që u komentua gjatë.

Socialisti Tërmet Peçi u bë i njohur nga kjo shprehje: “Unë do të bëj gjithçka për një fitore publiçitare”. Së fundmi, ai ka rimarrë vëmendjen me një pikturë dedikuar kryeministrit Rama.

Të vjetërve në politikë nuk u mbahet mend emri për ndonjë lëvizje politike apo amendament të propozuar në Parlament, por për disa batuta. Një prej tyre është ajo e Sadri Abazit teksa prezantonte Ramën në Dibër. Ndërkohë, ish-drejtorja e Doganave, Spiropali e krahasoi Ramën me Skënderbeun.

Të rinjtë pa asnjë eksperiencë në politikë, por me mbështetje të fortë nga më të vjetrit apo kryetarët e partive, sot janë zgjedhur përfaqësues të popullit.

Por pavarësisht deputetëve aq shumë të përfolur ndër vite për etikën, moralin apo skandalet në media e portale, debateve të hijshme e pahijshme në Parlament, këta janë ata që përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që zgjidhen nga kryetarët ndonëse nga populli nuk do të ishin zgjedhje as e parë dhe as e fundit.

Por më keq se ta, përfaqësues më pak të denjë janë ata që mandatin e kanë humbur për shkak të së shkuarës kriminale. Dhe nuk kanë qënë pak përfaqësuesit që kanë hequr dorë vetë nga mandati, apo janë detyruar nga organet ligjzbatuese që t’i rikthehen sërish jetës së mëparshme.

Mark Frroku, Armando Prenga, Arben Ndoka, Omer Mano, Dashamir Tahiri, etj, sot nuk janë më pjesë e Kuvendit por vendin e tyre e kanë zënë të tjerë, për të cilët sërish akuzat do të vazhdojnë.

Shumë prej deputetëve, të vjetër e të rinj, nuk kanë mbajtur asnjëherë një fjalim nga foltorja e Kuvendit, ndonëse në komisione janë anëtarë të përhershëm./t.ch

 

Comments

comments