Novi Pazar: UÇK-ja pushton qytetin…artistikisht!

Qytetarët e Novi Pazarit kanë mbetur të habitur kur dolën sot në rrugët e qytetit dhe takuan njerëz me uniforma të UÇK-së, dhe panë gjithshtu flamujt e UÇK-së të vendosur nëpër ndërtesat e institucioneve të qytetit.

Më vonë ata kuptuan se e gjitha ishte një skenografi e organizuar për filmin “Rat race”, i cili përpos në Novi Pazar, do të filmohet edhe në Itali dhe Gjermani.

Në Novi Pazar janë regjistruar skenat, të cilat në fakt paraqesin imazhe të ngjarjeve të zhvilluara në vitet e ’90-ta në Kosovë.

Tobias Streck, drejtor i këtij projekti, pas vizitës në qytet tha se ishte krejtësisht e qartë se Novi Pazari i korrespondon skenarit dhe nevojave të regjistrimit të një filmi të tillë.

“Qyteti juaj i përgjigjet estetikës së filmit dhe ka vende të jashtëzakonshme. Është nder i madh që të punojmë pikërisht te ju” tha Streck gjatë konferencës për shtyp.

Skenat për film do të regjistrohen në vende të ndryshme të qytetit, nga 9 deri më 19 shtator.

Comments

comments