Obama: Ja plani im pasi të largohem nga Shtëpia e Bardhë

Presidenti aktual i SHBA-ve, Barack Obama nuk e ka ndërmend ta kalojë duke pushuar periudhën post-presidenciale.

Një bibliotekë presidenciale e hapur për të gjithë, me në themel tema të rëndësishme siç është kapërcimi i pabarazive ekonomike, sociale e racore, ky duket se është plani i Obamës.

Në fakt, biblioteka në fjalë është vetëm një prej projekteve që shefi i Shtëpisë së Bardhë ka ndërmend të vërë në jetë pas përfundimit të mandatit.

Për realizimin e këtij plani do të duhen të paktën 1 miliard dollarë, të cilat është i bindur se do të arrijë t’i grumbullojë falë donacioneve. Çdo ish-Presidenti amerikan i është atribuar një bibliotekë në momentin e largimit nga posti.

Bëhet fjalë për vende ku mblidhen të gjitha dokumentet e materialet mbi aktivitetin e kreut të administratës, materiale që konsiderohen të nevojshme për t’u arkivuar, edhe për këtë aktualen, që selinë do ta ketë në Çikago.

Brenda muajit, “Fondacioni Obama” do të shqyrtojë një seri studimesh arkitekturore me qëllimin që shumë shpejt, projekti i ndërtesës të marrë jetë.

Edhe pse vitin e kaluar, ai u shpreh se ende nuk kishte bërë asnjë plan mbi atë se çfarë do të bënte në vazhdim, tani duket se e ka ndarë mendjen për t’i lënë trashëgim vendit një strukturë ku të përmblidhen plot dokumente, e që falë internetit, do të jenë lehtësisht të aksesueshme nga çdo cep i botës.

Biblioteka do të përfshijë dhe një zyrë për shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë, edhe pse nuk është çudi që ai vetë të zgjedhë të qëndrojë edhe për ca kohë në Uashington, të paktën derisa vajza e vogel, 14-vjeçarja Sasha, të përfundojë shkollën.

Comments

comments